Juncker në Beograd: Për t’u anëtarësuar në BE duhet të zgjidhni çështjet territoriale

Leda Hysa

 

Kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker vizitën e radhës pas Shqipërisë e ka bërë në Beograd ku ka dhënë mesazhin e qartë për Serbinë se, ajo është vërtet në kryen e listës së anëtarësimit bashkë me Malin e Zi, por pa zgjidhur çështjet territoriale nuk do të bëhet dot pjesë e bllokut.

Gjatë takimit me kreun e shtetit serb, Aleksandër Vuçiç, Juncker bëri thirrje për një marrëveshje ligjore detyruese mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Procesi i anëtarësimit mbështetet në meritat e secilit vend kandidat, e rrjedhimisht edhe data e anëtarësimit të Serbisë varet prej saj”, tha ai.

“E di që shumë njerëz flasin për vitin 2025. Dua të jem i qartë. Ky nuk është premtim, por perspektivë, inkurajim, sepse vendi që synon të anëtarësohet, duhet të tregojë guxim në atë rrugë. Ne nuk mund të importojmë konflikte dypalëshe. Është me rëndësi që ato të zgjidhen para hyrjes në BE sepse duam që vendeve të Ballkanit t’u ofrojmë qëndrueshmëri dhe jo të bartim instabilitet”, deklaroi Juncker.

Ideja e kompromisit me Prishtinën gjeti dhe mbështetjen e Vuçiçit. Serbia, tha ai, duhet ta kuptojë sa është e rëndësishme një gjë e tillë, në të kundërtën, “do të mbytet në të kaluarën e saj”.

Presidenti serb nuk e sqaroi se cili mund të jetë kompromisi në fjalë, por kundërshtoi, siç tha, zërat në vendin e vet që thonë se “më e mira është të mbahet një konflikt i ngrirë, e madje shtoi se duhet të gjendet një zgjidhje historike për marrëdhëniet me shqiptarët, “në një mënyrë tjetër dhe jo me luftëra”.

l.h/ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *