Gjykata speciale, sfida e përgjegjësisë!

Ornela

Bedri Islami

Nuk ka asnjë rast tjetër në Europën e pas luftës, por edhe përtej kufijve të saj, që ndaj njerëzve që bënë luftën kundër një armiku të përbashkët, i cili djeg, vret, masakron, torturon, përdhunon dhe dëbon, të ngrihen akt-akuza për krimet e luftës.

Kjo ndodhi vetëm në Kosovë. Ngritja e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të luftës në Kosovë është njëri nga vendimet më të kontestuara të parlamentit të tij, i cili edhe sot e kësaj dite ka pas vetes shumë pikëpyetje dhe enigma, të cilat , vonë ose kurrë do të mund të përcaktohen saktë se si ka ndodhur.

Vendimin për Gjykatën Speciale e miratoi parlamenti i Kosovës, sidomos përmes votave të PDK-së, aso kohe e prirë nga Hashim Thaçi dhe LDK e drejtuar nga Isa Mustafa. Disa parti të tjera mes të cilave VV, Nisma dhe AAK, të tria të drejtuar nga personalitete që kishin bërë pjesë në elitën drejtuese të luftës apo kishin qenë në përfaqësimin politik të saj e kundërshtuan si një veprim të padrejtë, njëanshmërisht i skajuar politikisht, pasi do të gjykojë vetëm shqiptarët e angazhuar në luftë, duke lënë mënjanë serbët, të paktën serbët e Kosovës të cilët me një turr të pabesueshëm  u veshën dhe vepruan si paraushtarakë, duke menduar se ky ishte fundi i shumicës shqiptare në Kosovë.

Në pragun e miratimit të vendimit kam pasur rastin të takoj disa herë zotin Thaçi, që në atë kohë ishte kryeministri i Kosovës dhe natyrisht mes të tjerave kemi folur edhe për ngritjen e Gjykatës Speciale. Ka qenë ndoshta njeriu më i angazhuar për krijimin e saj, megjithëse ishte i vetëdijshëm se përmes saj gjithçka do të vendosej në një pabarazi të madhe.

Raporti i Dik Martyt ndërkohë ishte bërë publik. Akuzat e tij ngjanin si dy pika uji me akuzat e ngritura pas luftës nga pushteti serb, sidomos nga qarqet më thellësisht të interesuara për të vënë një shenjë barazimi mes vrasësve dhe atyre që u kishin dalë përballë.

Në mes të tjerave ndodhej edhe akuza monstruoze e trafikimit të organeve nga një shtëpi që më pas mori emrin “Shtëpia e Verdhë”, diku në rrethinat e Burrelit dhe për të cilën kishte qenë i angazhuar edhe opozitari i sotëm, Lulzim Basha.

Në bisedën me kryeministrin e kohës, Hashim Thaçi ishte e qartë se dëmi i bërë ishte i pariparueshëm për një kohë të caktuar dhe se ndoshta e vetmja rrugë për të zgjidhur përfundimisht këtë peshë që kishte hedhur një zviceran dhe bashkë me të edhe një ish prokurore, Karla del Ponte, mund të ishte Gjykata Speciale. Ishte e dhimbshme, por ai e konsideronte të domosdoshme.

Së bashku me ngulmimin për të miratuar këtë Gjykatë të veçantë, si duket i ishin bërë edhe premtime të tjera, sidomos për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, njohje më të gjerë ndërkombëtare, forcimi i ekonomisë dhe pjesëmarrje më të fuqishme në institucione dhe organizma ndërkombëtare.

Më pas si ndodh rëndom në politikën tonë ka pasur supozime,por edhe thënie të drejtpërdrejta se miratimi i Gjykatës është bërë duke i premtuar Thaçit se ndaj tij nuk do të ketë asnjë lloj pasoje.

Vetëm ata që nuk i njohin qëndrimet dhe veprimet e drejtësisë perëndimore mund të kenë perceptime të tilla  thellësisht politike. Alija Izetbegoviç, ish lideri i Bosnjës që nënshkroi paqen me shtetin serb, ishte njëri nga ata që do të merrej i pandehur për krime lufte, pavarësisht se kishte qenë president, dhe vetëm vdekja e shpëtoi nga një gjendje tjetër.

Sidoqoftë, Gjykata Speciale me të gjithë anekset e saj është sfida e ardhshme e Kosovës. Prej shumë kohësh flitet e përflitet për listat e atyre që do të arrestohen, jepen datat se kur do të ndodhin e kush do të jetë në njërin grup e cili në një grup tjetër; si do të shkojnë gjërat dhe si do të vijojnë më pas; e gjitha kjo për të krijuar një vizion krejt ndryshe.

Është krejt e mundshme që Gjykata Speciale të godasë edhe në emrat e njohur të politikës së Kosovës, sidomos nga ana e atyre që luftuan. Në pamjen e parë gjithçka duket e natyrshme, pasi  sipas aktakuzave të ngritura në shtyp, jo nga gjykata, krimet e supozuara gjatë luftës kanë ndodhur jo vetëm mbi serbë, por edhe mbi shqiptarë, të cilët ose akuzoheshin si bashkëpunëtorë të hapur të pushtetit të dhunshëm serb, ose si kundërshtarë politikë.

Me një vendim të posaçëm të Ibrahim Rugovës  që gjatë luftës, Lidhja Demokratike e Kosovës ngriti një grup pune, të drejtuar nga Eqerem Kryeziu i Prizrenit, për të dokumentuar krimet e luftës që mund të ndodhnin nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga forcat serbe, por që në fakt janë grumbulluar, shkruar e dorëzuar vetëm ata që kanë ndodhur ose supozohet se kanë ndodhur nga njerëzit e UÇK-së.

A ka pasur krime në Kosovë? Kjo është një çështje që do të shqyrtohet hollësisht nga Gjykata Speciale dhe jam i një mendje me zotin Hashim Thaçi se, përmes kësaj gjykate do të mund të bëhet katarsi i luftës çlirimtare. Gjyqet e zhvilluara në Hagë ndaj Ramush Haredinajt, dy herë dhe ndaj Fatmir Limajt, për këtë të fundit edhe në Kosovë nga gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë, njëri kryeministër e tjetri zëvendës i tij, kanë hedhur premisat se pastrimi i ngjarjeve do të jetë me të gjithë rreptësinë, por edhe me saktësinë e duhur.

Kohët e fundit në Kosovë kishte një lëvizje politike nga më se 40 deputetë të Kuvendit të Kosovës, por mbështetur edhe nga elita e lartë politike e saj për të ndryshuar ligjin jo për ta zhbërë atë, duke synuar zhvillimin e ngjarjeve brenda në Kosovë, e jo në një vend tjetër.

Ishte një lëvizje politike e vonuar, tani e dëmshme për Kosovën që sillte pasoja të rënda jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen e saj.

Arrestimet e pritshme mund të sjellin edhe trazira të mundshme, por  jam i bindur se nuk do të ketë përplasje trazuese. Ngjarjet i kanë ndryshuar njerëzit. Vitet kanë bërë që gjërat të shihen më qetësisht, megjithëse plagët janë tepër të ndjeshme dhe ende të hapura. Më shumë se 1200 të zhdukur nuk dihet as se ku e kanë banesën e fundit. Mijëra të tjerë, që janë vrarë barbarisht në shtëpitë e tyre ende nuk janë qetësuar në shpirtrat e të afërmve.

Por ata që presin kataklizëm do të zhgënjehen shpejt. Edhe nëse arrestimet ndodhin në piramidat partiake, tashmë partitë politike kanë njerëz të shumtë që mund të zëvendësojnë njëri-tjetrin. Përvoja e më shumë se 18 viteve jetë politike aktive ka krijuar një brez politikanësh që fare mirë mund të bëjnë përdallimin mes ngjarjeve të domosdoshme dhe zhvillimit të mëtejshëm në Kosovë.

Gjykata Speciale është patatja e nxehtë e ndërkombëtarëve. Disa ditë më parë, Kryeprokurori i Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të Luftës, David Schwendiman dha dorëheqjen nga posti i tij  si duket i zemëruar dhe i pakënaqur me përplasjet për botën e nëntokës që përpiqet të përplaset në zhvillimet e mëtejshme. Është krejt e mundshme që të joshur nga premtimet për një jetë ndryshe, disa dëshmitarë të jenë viktimë e supozimit të një jete ndryshe familjare dhe mbi këtë dëshirë, të kenë thënë ose krijuar fakte të paqëndrueshme. Fakti që disa prej tyre kanë punuar me ish- funksionarë të shërbimit sekret serb, si Fadil Sulejviqi, gjithçka mund të sjellë dhe asgjë nuk është e imunizuar. Ashtu si mund të ketë edhe dëshmi tronditëse të cilat, për figura të veçanta mund të krijojnë një imazh tjetër politik, njerëzor e publik.

Sido që të jenë dëshirat e politikës në Kosovë, Gjykata Speciale, si një tren i pazakontë, është vënë në lëvizje prej kohësh dhe nuk mund të ndalet.

Këtë e bëri të qartë edhe ish Kryeprokurori i larguar i cili më pas deklaroi për mediat se :

“Njerëzit në rajon, ata të cilët duhet të brengosen se do të mbahen përgjegjës, nuk kanë pse gëzohen nga largimi im. ..Kur të vijë koha, do të bëjmë atë që duhet”.

Pikërisht ardhjes së kësaj kohe disa i druhen e disa i gëzohen në Kosovë.

Por, jam i bindur se edhe pas kësaj, diçka do të jetë krejtësisht e qartë: Lufta ishte e drejtë, e pastër, domosdoshmëri historike, e cila solli një realitet të ri në Kosovë. Pa këtë luftë gjërat do të ishin si më parë dhe shansi historik do të kishte humbur, ndoshta përgjithnjë.

Share This Article
2 Comments
  • O Bedri Islami, pse thua “Ngritja e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të luftës në Kosovë është njëri nga vendimet më të kontestuara të parlamentit të tij, i cili edhe sot e kësaj dite ka pas vetes shumë pikëpyetje dhe enigma, të cilat, vonë ose kurrë, do të mund të përcaktohen saktë se si ka ndodhur.” Pse thua “…vonë ose kurrë…” Jo “vonë ose kurrë” por, dihen te gjitha, e ato te gjitha nuk i shohin vetem qorrat me sy ne balle dhe bashkepunetoret e atyre qe e kane ndersyer gjithe politiken evropiane e boterore kunder Shqiperise dhe shqiptareve e ata jane bashkepunetoret e tu e te Fatos Klosit – “shqiptaret” e Tites te Ibrahim Rugoves e Serbia e tyre, qe s’lane gur pa levizur per ta prure ketu ku eshte luften e lavdishme e shqiptare te UÇK… Pra, dije qarte ti, Shqiperia e shqiptareve dhe e gjithe bota se te gjitha te zezave anti shqiptare u prijne “shqiptaret” e LDK te Rugoves me kompanite e saj satelite dhe Serbia me aleatet e saj…, e, ti me shoket “analiste” pordh n’uje sa te duash!…

    DRENICA E KUQE

  • Lufta qe e bene shqiptaret, kroatet dhe boshnjaket kunder regjimit te Milosheviqit ishte e drejte. Kete nuk mund ta mohoje askush. Por , fatkeqesisht , gjate luftes u bene edhe disa krime. Keto krime te kryera nga clirimtaret ishin shume me te pakta se sa krimet qe i bene serbet. Kroatet dhe boshnjaket diten me mire qe t’i menaxhojne keto situata. Ata i denuan disa luftetare te vete . Ato denime ishin shume te lehta per luftetaret e lirise, por ama ata para syve te botes mund te mbroheshin per denime ndaj kryeseve te krimeve gjate luftes. Ne Kosove nuk ndodhi e njejta gje. Ne Kosove nuk u denua askush per krime. Prandaj veproi komuniteti nderkombetare dhe u ngrit Gjykata Speciale.
    Denimi ndaj 2-3 komandanteve nuk do te thot se e zbeh luften e drejte te shqiptareve te Kosoves. Eshte pikerisht e kunderta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *