Mino Raiola del sërish në skenë, por me të njëjtin argument të vjetër: flet për Donnarummën.
Gjatë një interviste të dhënë për emisionin “Calcio&Mercato” në televizionin Rai (që pritet të jepet e plotë mbrëmjen e së premtes në orën 22:45), agjenti i famshëm i shumë futbollistëve me emër, përfshi portierin kuqezi, ka theksuar edhe njëherë mendimin e tij.
“Gigio ka bërë zgjedhjen e tij, të qëndrojë te Milani dhe unë e respektoj atë”, thotë Raiola.
“Por nëse do të më kërkonte një ditë të largohej, do të isha i gatshëm të punoja menjëherë, sepse kërkesat për të nuk mungojnë. Përkundrazi, nëse do të ishte në dorën time, Gigio do të ishte larguar me kohë nga Milani”, vijon Raiola.
Gjatë intervistës ai flet edhe për një rikthim të mundshëm të Balotellit në Itali, ku thekson se ka biseduar me Juventusin, Romën, Napolin dhe Interin, por jo me Milanin, sepse siç shprehet, nuk mund të bisedojë me Mirabellin, pasi nuk është në nivelin e tij.
“Mario është gati të rifutet në lojë. Është pjekur shumë dhe mbetet një nga 10 sulmuesit më të mirë në botë. Vlen 100 milionë euro, por është me parametër zero, ndaj bëhet fjalë për një marrëveshje të madhe. Po bisedoj me shumë klube në Angli dhe në Itali. Kam folur me Juven, Romën, Napolin dhe Interin. Milani? Jo, sepse është Mirabelli dhe nuk mund të flas me të, nuk jam në nivelin e tij”, tha Raiola.
a.s/dita
