Pranvera Kola -DITA
Ndryshe nga sa ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, testimi i kandidatëve që konkurojnë për t’u punësuar në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit (QSHA), sipas një kalendari të përcaktuar për secilin profil dhe do të jetë tërësisht i informatizuar, e jo më me shkrim.
Udhëzimi i miratuar dy ditë më parë nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka përcaktuar rregullat e reja se si do të zhvillohet provimi i informatizuar për të gjithë mësuesit që janë në kërkim të një kontrate të lirë pune në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e vendit. Gjatë ditëve në vijim pritet të zbardhen edhe datat konkrete të testimit për secilin specialitet.
I gjithë procesi do të administrohet, drejtohet dhe monitorohet nga Drejtoria e Miradministrimit të Burimeve Njerëzore dhe Aseteve në MASR. Sipas udhëzimit, në testim kanë të drejtë që të hyjnë të gjithë kandidatët që kanë kaluar fazën e parë të konkurimit me dosje. Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar dërgon zyrtarisht dhe në format elektronik në QSHA dhe MASR listën e kandidatëve që do t’i nënshtrohen testimit të informatizuar. Kjo listë do të shpallet një javë para nisjes së provimeve përkatëse.
Struktura e testit
Testimi i informatizuar do të zgjasë 60 minuta dhe do të zhvillohet me një raund të vetëm. Vlerësimi do
të bëhet në mënyrë automatike direkt nga sistemi kompjuterik.
Testi do të ketë pyetje të tilla që vlerësojnë njohuritë që mësuesit kanë në njohjen e dokumentacionit zyrtar, dokumentacioni kurrikular të arsimit parashkollor, aspektet e pedagogjisë dhe të metodologjisë së mësimdhënies, aspektet e etikës dhe të komunikimit, si dhe njohjen e rregullave të drejtshkrimit të gjuhës-shqipe, si dhe pjesa dërrmuese e pyetjeve të tetsit kanë të bëjnë me dijet e mësuesit në njohjen dhe zbatimin e kurrikulës së arsimit parashkollor.
Në rast se kandidatët që aplikojnë për t’u punësuar në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar dëshirojnë që të mbartin pikët e testimeve të viteve të kaluara, ata nuk do t’i nënshtrohen testimit të informatizuar që zhvillohet në QSHA.
Pikët që kanë grumbulluar nga testimet e viteve të shkuara, me kërkesë të vetë kandidatit dërgohen nga njësia arsimore vendore në MASR dhe do të shërbejnë për renditjen përfundimtare që do të bëjë Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar.
Kujdes në ditën e provimit!
Ditën e zhvillimit të testimit të informatizuar, çdo kandidat duhet që të jetë i pajisur me dokument identiteti, të paraqitet së paku 30 minuta para fillimit të provimit, të mos mbajë dhe të mos përdorë celularë, apo mjete të tjera komunikimi, pasi këto vlerësohen si kriter përjashtimi nga provimi. Gjithashtu është e ndalur konsumimi i duhanit apo ushqimeve në ambientet e provimit. Sallat ku do të zhvillohet testimi do të mbikëqyren nga një, ose më shumë administratorë.
Rregullat që duhet të dini
Nëse një kandidat nuk paraqitet në testim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet i kryer. Kandidati nuk mund të tërhiqet nga testimi në rast se është futur në sallën e provimit. Në rast se kërkon të tërhiqet në kushte të tilla, atëherë ai duhet që të nënshkruajë në fund të provimit deklaratën me rezultatin e marrë.
Si do bëhet vlerësimi
Vlerësimi i Vlerësimi i kandidatëve bëhet në dy faza. Faza e parë që përfshin pikët që secili kandidat ka siguruar nëpërmjet konkurrimit me dosje, të cilat në total janë 30 pikë. Ndërsa faza e dytë është vlerësimi me pikë i testimit të informatizuar. Testi do të ketë në total 50 pyetje përgjigjet e të cilave vlerësohen me 100 pikë, e të cilat më pas konvertohen në 70 pikë, sipas një skeme të detajuar tashmë. Qendra Ndërinstitucionale bën mbledhjen e pikëve për të dyja format e konkurrimit duke nxjerrë rezultatin final për secilin kandidat.
Shpallja e mësuesve fitues
Me mbarimin e fazës së dytë të konkurimit (testimi i informatizuar), Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar do të zbardhë rezultatet finale të marra nga secili kandidat për çdo profil dhe lëndë mësimore ku është konkurruar.
Renditja përfundimtare për çdo lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë 2018”. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës.
Kandidati, i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit, apo lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën të zgjedhë i pari vendin e lirë të punës ku do të lidhë kontratën. Ky kandidat me pikët më të larta, ftohet nga komisioni dhe zgjedh një nga vendet e lira me ngarkesë të plotë, të pjesshme, apo dhe të përhershme, sipas preferencave të shprehura edhe prej tij vetë.
Fillimisht me mësuesin e përzgjedhur do të lidhet kontrata 1-vjeçare e punës. Në përfundim të kësaj periudhe mësuesi do të vlerësohet nga drejtoria e shkollës, si dhe këshilli i prindërve. Për rastet kur vlerësimi i këshillit të prindërve, apo i komisionit të shërbimit psiko-social nuk është pozitiv për cilësinë e shërbimit arsimor të ofruar nga mësuesi gjatë periudhës një vjeçare të provës, arsimtari e humbet vendin e punës që fitoi nëpërmjet testimit dhe konkurrimit me dosje.
p.k/dita
