Gara për pranimet e reja në programet e specializimeve afatgjata në mjekësi nis më 12 mars. Vendimi më i fundit i marrë nga Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë, përcakton se: “Të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret për të ndjekur këto programe të ciklit të tretë, duke nisur nga dita e hënë, datë 12 mars, duhet që të dorëzojnë pranë departamenteve përkatëse dosjen me dokumentet e kërkuara”.
“Procedurat e pranimit të dosjes do të vijojnë deri në datën 21 mars. Më pas, do të jetë një komision ekspertësh që do të vlerësojë të gjitha dosjet e paraqitura dhe sipas kritereve të përcaktuara do të zbardhë listën zyrtare të kandidatëve që do të kalojnë në dy fazat e tjera të konkurimit, që janë intervista me gojë dhe testimi i informatizuar” shkruan “Dita”.
Procedurat e aplikimit, përzgjedhjes dhe konkurimit do të bëhen konform rregullores së miratuar nga Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë. I gjithë procesi do të monitorohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
p.k/dita
