Banorët e fshatit Daullas të Fierit, pasditen e së enjtes, kanë zbuluar rastësisht në një kanal kufomën e një burri.
Menjëherë janë lajmëruar uniformat blu dhe mjekësia ligjore, të cilët pasi kanë shkuar në vendin e ngjarjes, kanë marrë mbetjet e trupit të dekompozuar. Ende nuk dihet se kujt i përket kufoma.
Paraprakisht, hidhen dyshime se viktima, mosha e të cilit nuk mund të përcaktohet, mund të jetë vrarë e më pas groposur në kanal. Në kanalin ku ishte groposur kufoma, është gjetur gjithashtu një batanije dhe një valixhe. Kjo ka bërë që hetuesit të dyshojnë se pasi shtetasi është vrarë, e kanë mbështjellë me batanije. Ndërkaq, valixhja që është gjetur pranë kufomës mbetet e mistershme.
Ekspertët hedhin dyshime se kufoma mund të ketë rreth një vit që është groposur. Nisur nga ky fakt, edhe pse ende i pakonfirmuar, dyshohet se kufoma i përket 36- vjeçarit K.B., i zhdukur në qershor të vitit të kaluar.
I zhdukuri punonte në një biznes të vogël familjar, ku merrej me lyerjen e automjeteve. Zhdukja e tij u denoncua nga familjarët, të cilët prej ditësh kishin humbur kontaktet me të. Edhe pse u denoncua, në atë kohë nuk pati të dhëna rreth tij.

Burime konfidenciale tregojnë se Policia është informuar se ai mund të ishte vrarë dhe varrosur në një kanal. Por, nga Policia momentalisht nuk ka asnjë deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen.
Tashmë kanë nisur hetimet dhe po shihen të gjithë regjistrat e denoncimeve për humbje personi të ndonjërit, ndërsa mjekët ligjorë kanë nisur punën për ekzaminimin e ADN-së për të bërë më pas identifikimin e kufomës. Trupi është dërguar pranë mjekësisë ligjore, nga ku do të konfirmohet më me hollësi nëse ka shenja plumbi e dhune.
Nuk përjashtohet mundësia edhe e vdekjes natyrale të ndonjë endacaku, por pista më e dyshimtë për momentin mbetet ajo e një vrasjeje të mundshme.
s.a/dita
