Javën e ardhshme do të rihapet gara për pranimet e reja në programet e specializimeve afatgjata në mjekësi. Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë ka përcaktuar kuotat për garën e vitit akademik 2017-2018, si dhe kriteret që do të zbatohen për të tria fazat e konkurimit.
Sipas vendimit të marrë, 247 është numri i kandidatëve që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur specializimet afatgjata përgjatë këtij viti. Konkurimi do të zhvillohet në tre faza, duke nisur me aplikimin me dosje sipas afateve të përcaktuara, intervistën me gojë, si dhe testimin e informatizuar që do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit. Secila prej këtyre fazave do të vlerësohet më pikët përkatëse.
“Të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret për të ndjekur këto programe, duke nisur nga dita e hënë, datë 12 mars, duhet që të dorëzojnë pranë strukturave përkatëse të këtij Universiteti, dosjen e dokumenteve të kërkuara. Procedurat e pranimit të dosjes do të vijojnë deri në datën 21 mars”, shkruan “Dita”.
Më pas do të jetë një komision ekspertësh që do të vlerësojë të gjitha dosjet e paraqitura dhe do të zbardhë listën zyrtare të kandidatëve që do të kalojnë në dy fazat e tjera të konkurimit, që janë: intervista me gojë dhe testimi i informatizuar
Kush duhet të aplikojë?
Kanë të drejtë të aplikojnë për programet e specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, kandidatët që plotësojnë këto kushte: Kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave”, si dhe kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit në Republikën e Shqipërisë.
Gjithashtu mund të aplikojnë edhe të gjithë kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave”, por që kanë kryer njehsimin e diplomës pranë MASR. Edhe këta kandidatë duhet të kenë fituar edhe të drejtën e ushtrimit të profesionit në vendin tonë. Në fazën e aplikimit çdo kandidat duhet të paraqitet personalisht për të bërë regjistrimin dhe për të dorëzuar dosjen e dokumenteve të kërkuara.
Ndarja e kuotave për 32 specialitetet mjekësore

p.k/dita
