Pse janë të rëndësishme mineralet për shëndetin tonë? Ushqimet ku gjenden

Pranvera Kola

Kalciumi

Gjendet në qumësht dhe nënproduktet e tij, zarzavate (brokoli, bishtajat, etj) dhe konservat. Marrja e tij ndikon në formimin e kockave dhe dhëmbëve, ndihmon në koagulimin e gjakut, ndihmon nervat në përçimin e mesazheve dhe ndihmon muskujt. Marrja e mangët e kalciumit shkakton zhvillim jo të mirë dhe dobësim të kockave që çojnë në osteoporozë, ndërkohë që teprica shkakton konstipacion dhe gurë në veshka.

 

Kaliumi
Gjendet në lëngun e portokallit, banane, frutat e thata, patate, mish, peshk, pulë, fruta, zarzavate, etj. Kaliumi mban normale rrahjet e zemrës, ndihmon në kontraktimin e muskujve dhe ngacmon nervat, ndaj mungesa e tij shkakton lodhje dhe dobësi të gjymtyrëve, rrahje të shpejta të zemrës, insuficiencë kardiake dhe dëmtim të veshkave.

 

Natriumi
Gjendet në kripën e gjellës, turshitë, ushqime të kripura e të përpunuara industrialisht, djathi, etj. Ky mineral ndihmon në ruajtjen e balancimit të ujit dhe ekuilibrit acido-bazik, ndihmon nervat në përçimin e mesazheve dhe muskujt që të mos kontraktohen.

 

 

Hekuri
Gjendet tek mishi, shpendët, peshku, fasulet, bizelet e thata, frutat e thata, zarzavatet me gjethe jeshile, drithëra të fortifikuara me hekur, etj. Hekuri është pjesë e hemoglobinës në qelizat e kuqe të gjakut. Mangësia e tij shkakton: anemi, dobësi, lodhje, irritabilitet, humbje oreksi, rrezik të madh për infeksione, ulje të vëmendjes, vonesë në rritje (nëse pamjaftueshmëria zgjat), si dhe konfuzion.

 

Zinku
Gjendet tek mishi, mëlçitë, midhjet, peshku, qumështi, gruri i pa zhveshur, arrat e bishtajat dhe funksionet e tij janë të shumta. Rrit imunitetin, ndihmon në luftën kundër infeksioneve dhe kancerit, pasi ndihmon në prodhimin e proteinave trupore, në përdorimin e vitaminës A, ndihmon në formimin e enzimave dhe insulinës dhe jep ndjenjën e shijes.

 

Jodi
Është pjesë e hormoneve të tiroides. Mangësia, ose marrja e pamjaftueshme e tij shkakton gushë, zmadhim të gjëndrës tiroide, prapambetje mendore deri në: kretinizmin, ulje të inteligjencës dhe performancë jo të mirë shkollore, lindje me peshë të vogël, foshnje të lindura të vdekura, si dhe në aborte.

p.k/dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *