Ushqimet e duhura për kocka të shëndetshme

Pranvera Kola

Dobësimi i kockave si shkak i sëmundjes së osteoporozës është një ndër problemet më të shpeshta që  shfaqet tek moshat e rritura. Si shkak i kësaj sëmundjeje, kockat bëhen më poroze me kalimin e kohës, gjë e cila rrit riskun për fraktura të tyre, invalidizime dhe deformime.

Ekspertët e shëndetit publik e konsiderojnë si më shqetësues faktin që sëmundja zhvillohet në mënyrë të heshtur dhe shpesh nuk ka simptoma deri në momentin kur ndodh fraktura e parë (thyerja apo krisja e kockave).

Një ndihmë të madhe në parandalimin e dëmtimit të kockave luan edhe kujdesi për ushqimet që konsumoni. “Mos lejoni që kjo sëmundje e “heshtur” të gëlltisë kockat tuaja”, bëjnë me dije ekspertët e shëndetit publik.  Kalcium i mjaftueshëm, vitamina D dhe proteinat janë thelbësore për kockat dhe shëndetin e muskujve tuaj.

Produktet ushqimore të qumështit, të tilla si: kosi, djathi, etj, kanë sasi më të lartë kalciumi, si dhe proteina e minerale të tjera që janë të mira për kockat.Kalciumi gjendet edhe në disa fruta dhe perime jeshile (lakër jeshile, brokoli, kajsi), në peshkun e konservuar (sardelet), si dhe në bajame, farat e lulediellit dhe fasulet e thata.

Disa njerëz që mund të kenë nevojë të marrin shtesa, nëse ata nuk arrijnë të marrin sasinë e nevojshme të përditshme të kalciumit nga ushqimet. Por, këto shtesa duhet të jenë të kufizuara deri në 500-600 mg në ditë, dhe në përgjithësi rekomandohet që të merren të kombinuara me vitaminën D, sipas këshillimeve të dhëna nga mjeku specialist.

“Për meshkujt e moshës nga 10 në 18 vjeç kërkesat për kalcium shkojnë në 1300 mg/ditë, për meshkujt nga 19 deri në 70 vjeç, duhen 1000 mg/ditë, si dhe për ata mbi 70 vjeç 1200 mg/ditë”, shkruan Dita.

Duhet të dini që :”Vetëm 45 gram djathë i bardhë plotëson 30 për qind të nevojës ditore të trupit për kalcium, 1 gotë kos ose një gotë qumësht përmbush ¼ e kërkesave tuaja të përditshme për kalcium, 1 kokërr vezë plotëson 6 për qind të nevojës ditore për kalcium. Një pjatë spinaq plotëson pothuajse 25 për qind të nevojës ditore për kalcium.

Po sipas këtyre burimeve, pjesa më e madhe e vitaminës D në trup prodhohet nga ekspozimi i lëkurës ndaj diellit. Megjithatë, në varësi se ku jetoni, ju mund të mos jeni në gjendje për të marrë sasi të mjaftueshme vitaminë D vetëm nga ekspozimi ndaj diellit. Sasi të vogla të vitaminës D gjenden edhe në disa ushqime, si: e verdha e vezës, peshku salmon dhe ton, apo edhe në ushqimet e fortifikuara me vitaminë D.

Peshku salmon përmban acidin yndyror omega 3. Përveç kësaj, 90 gram peshk plotëson 100 për qind nevojën tuaj ditore për vitaminë D.

p.k/dita

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *