(Vijon nga numri i kaluar)
Në këtë pjesë të dytë të historisë së arrestimit të Fatos Nanos njëzet vjet më parë, përshkruhen ngjarjet që ndodhën më 30 korrik 1993. Si ishte atmosfera në kryeqytet, takimi i ambasadorit amerikan Uilliam Rajerson me Presidentin Berisha gjysmë ore para arrestimit të liderit socialist dhe telefonata nga zyrat qendrore të “Zërit të Amerikës” në Uashington që më njoftoi se Fatos Nano sapo ishte arrestuar… Cili ishte reagimi i socialistëve, mitingu në aneksin e stadiumit “Dinamo” dhe shmangia e konfrontimit më demokratët…
Tension në Tiranë para arrestimit
30 korriku i vitit 1993 gdhiu i shqetësuar në Tiranë. Qetësia në dukje e njerëzve që ecnin rrugëve apo nëpër kafene, ishte mashtruese. Një sy i vëmendshëm do të vinte re një lloj hutimi të përgjithshëm të qytetarëve, të cilët më shumë flisnin me gjeste dhe sy se sa me fjalë. Ndërsa te policët dallohej një alarm i parakohshëm, teksa u binin bilbilave kot së koti dhe bënin lëvizje të pakontrolluara në udhëkryqe dhe në pikat më të ngarkuara të trafikut. Do të arrestojnë Fatos Nanon. Jo more? Kush ta tha? Unë mora vesh se e arrestuan… Ik, mor tutje, se nuk ua mban ta bëjnë këtë. Nuk jemi në kohën e Enver Hoxhës! Jemi, a s’jemi në kohën e Enverit, në qoftë se nuk e ke mësuar deri tani, do ta mësosh shpejt. Fakti është fakt, Tosi e hëngri… Mos ja fut kot, o burr i dheut, i marrin të keqen Fatosit. Unë dëgjova lajmet në radio e… Akoma e dëgjon radio Tiranën ti?! Hajde, pykë, hajde! Ika unë të marr vesh ndonjë gjë të saktë andej nga partia… Më duket se të gjithë paskan lajthitur sot. Kohë e çoroditur, njerëz të çoroditur… Në orën 6 pa 10 takohemi te stadiumi…
Më shtrëngimin e vapës në orët e mesditës edhe muhabetet nxeheshim më keq. Me një tollovi mendimesh të tilla, e kanë arrestuar, s’e kanë arrestuar, do ta arrestojnë… u ktheva në shtëpi si zakonisht duke vrarë mendjen se ç’do të transmetoja për pasdite. Tubimi i socialistëve fillonte në orën 18.00, ndërkohë që fillonte dhe emisioni i Zërit të Amerikës. Gjatë atyre ditëve të para dhe pas heqjes së imunitetit të Nanos kisha transmetuar në të gjitha edicionet për atmosferën e tensionuar politike në vend, por, atë ditë tensioni ishte rritur më tepër…
Telefonata nga Uashingtoni: “Nanon e kanë arrestuar”
Ndërsa po përpiqesha të kthjelloja disi mendimet e të çlodhesha pakëz, ra zilja e telefonit.
– Hë, ç’kemi nga Tirana? – ishte pyetja e zakonshme nga zyra në Uashington.
Tregova shkurtimisht për situatën që mbretëronte në kryeqytet, duke nënvizuar se ka shumë thashetheme se ose e kanë arrestuar, ose do ta arrestojnë Fatos Nanon, por burimet zyrtare ende nuk kanë thënë gjë. Ndërkohë që isha duke biseduar, hodha rastësisht sytë tek ora e dorës që e kisha hequr dhe lënë mbi tavolinë. Ajo shënonte 14 e 31 minuta.
Kaq shpejt?, pyeti, apo u çudit shefi, duke shtuar se ne do të japim diçka për orën gjashtë, apo jo? Do të japim, i thashë, por ndërkohë mbase marrim vesh ndonjë gjë më të saktë.
Biseda mbaroi shpejt dhe, duke patur parasysh se lajmet e radio Tiranës ishin një orë më vonë, pra më 15 e 30, mendova të shkruaja diçka paraprakisht. Por, nuk kishin kaluar as 10 minuta dhe zilja e telefonit ra përsëri.
– Po, – tha shefi, – marr vesh se Nanon e kanë arrestuar para pak çastesh. Saktësoje me burimet zyrtare dhe…
Sapo mbylla telefonin me Amerikën, u lidha me ATSH-në ku ma konfirmuan menjëherë lajmin. Kishte mbërritur njoftimi i zëdhënësit të prokurorisë së Tiranës, të cilin ma lexuan në telefon. Ishte lakonik dhe që mbahej lehtësisht mend. Megjithatë, unë e regjistrova.
Në orën 16, kur ra përsëri telefoni, unë e kisha bërë gati materialin për transmetim. Biberaj, që kishte shkuar vetë në studio, filloi regjistrimin …
Nga kronikat.
“…Arrestimi i kryetarit të PS Fatos Nano sot në orën 14 e 30, sipas zëdhënësit të prokurorisë së rrethit të Tiranës, u bë mbi bazën e materialit kallëzues të shërbimit të Kontrollit të Shtetit dhe hetimeve të zhvilluara.
Zoti Nano, ish-kryeministër i Shqipërisë për pak më shumë se dy muaj në gjysmën e parë të vitit 1991, akuzohet për shpërdorim detyre dhe fallsifikim të dokumenteve zyrtare në lidhje me ndihmat italiane. Arrestimi i numrit 1 të socialistëve shqiptarë bëhet vetëm dy ditë pasi atij iu hoq imuniteti i deputetit nga parlamenti…
Heqja e imunitetit zotit Nano ka çuar në një rritje të tensionit politik në Shqipëri, ndërsa arrestimi i tij mendohet se do ta acarojë edhe më shumë luftën midis partisë më të madhe në opozitë dhe PD në pushtet. PS ka paralajmëruar edhe për bojkotim të pushtetit vendor nga përfaqësuesit e saj, të cilët kanë rreth 50 për qind të vendeve në këto organe.
Arrestimi i zotit Nano u bë vetëm tre orë para një tubimi proteste të paralajmëruar të anëtarëve dhe simpatizantëve të PS sot pasdite në Tiranë. Zëra të ndryshëm nga PS thanë sot se zoti Nano do të merrte pjesë dhe do të fliste para simpatizantëve të vet. Zëri i Popullit e njofton mbajtjen e tubimit me gërma të mëdha në faqen e parë të saj. Duke iu drejtuar punëtorëve, të papunëve, studentëve, nxënësve dhe pensionistëve, Zëri i Popullit bën thirrje për veprime masive popullore për të frenuar pushtetin e sotëm që, sipas saj, është policor dhe i telekomanduar për interesa që nuk janë në favor të Shqipërisë.
Por, PD dhe shtypi i saj i kanë cilësuar këto veprime të opozitës si revanshiste dhe të qëllimshme për të kthyer mbrapsht rrotën e historisë. Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, L. Toto, tha për Zërin e Amerikës se ata që akuzojnë pushtetin demokratik për diktaturë, revanshizëm dhe fashizëm, po i manifestojnë vetë haptaz dhe publikisht ato, duke i shpalosur çdo ditë në faqet e Zërit të Popullit. Vetë zoti Nano dhe udhëheqës të tjerë të asaj partie bëjnë thirrje për hakmarrje, revanshizëm e përmbysje të pushtetit me dhunë. Mirëpo, theksoi zoti Toto, këto janë thirrje të dëshpëruara, pasi për këtë pushtet votoi shumica e elektoratit shqiptar më 22 mars të vitit të kaluar”.
Rajersoni takon Berishën para arrestimit të Nanos
Shpejt u mor vesh se më 30 korrik, në orën 14, pra gjysmë ore para se Fatos Nanos t’i hidheshin prangat, kishte dalë nga zyrat e Presidencës, gati tinëz, ambasadori amerikan Rajerson. Mund të ketë qenë një rastësi, ai si diplomat mund të ketë shkuar atje për ndonjë çështje krejt tjetër, pa asnjë lidhje me ngjarjet e tensionuara të asaj dite, por menjëherë në qarqe të ndryshme, u krijua bindja se vizita e tij në presidencën shqiptare kishte të bënte me Nanon. Ai bashkë me Berishën kanë vendosur për fatin e mëtejshëm të udhëheqësit socialist, thuhej. Në opinionin e gjerë përshtypja ishte se Rajersoni në atë kohë gëzonte një besim dhe ndikim të madh mbi Berishën. Ai e shtynte derën e Berishës me këmbë, si i thonë fjalës.
Por, ky detaj, domethënë vizita e asaj dite e Rajersonit në Presidencë është lënë vazhdimisht në hije dhe thuajse është harruar.
Tinguj çiftelie në “Zërin e Amerikës”
…Pas pak më morën sërish në telefon nga zyra. Në receptor dëgjova zërin tim të më rikthehej me një jehonë të çuditshme nga larg… Tingujt e një çiftelie dhe zëri i një rapsodi që këndonte një këngë majekrahu mbërritën deri tek unë pak më vonë. Dukej se materiali që kisha dhënë ishte pëlqyer…
Në atë kohë Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe programin e pasdites e kishte një orësh, nga ora 18 deri më 19. (Pak kohë më vonë ky program u nda në dy pjesë, dhe përveç orës 18 deri 18 e 30, transmetohej edhe një gjysmë ore tjetër nga 20 e 30 deri në 21). Ramë dakort që për programin e mëngjesit që transmetohej nga ora 6 deri në 6 e 30 të përgatisja një material për tubimin e socialistëve, për tek i cili po bëhesha gati të nisesha.
Kur dola nga shtëpia rreth orës 17, piku i vapës kishte rënë. Menjëherë në rrugët kryesore të qytetit vura re një gjallëri jo të zakonshme njerëzish që shkonin drejt jugperëndimit të Tiranës. Të gjithë tashmë e kishin marrë vesh arrestimin e Fatos Nanos dhe tubimi i socialistëve te stadiumi Dinamo do të ishte reagimi i parë për këtë veprim të pushtetit. Do të shërbente pra si një lloj testimi për forcën, organizimin dhe masivitetin e elektoratit socialist. Tubimtest, mendova. Ndërsa u ndodha në mes të një grupi qytetarësh të panjohur, ndjeva shenjën e parë të revoltës dhe nervozizmit të tyre. Qytetarët, natyrisht të elektoratit të majtë, zienin nga zemërimi dhe shanin me një fjalor të rëndë Qeverinë, Sali Berishën, madje dhe Amerikën… Ky zemërim sa vinte e shtohej, ndërsa turma bëhej më e dendur në afërsi të stadiumit.
Nuk e di pse ato çaste më erdhën sërish në mendje tingujt e çiftelisë dhe kënga majekrahu e pakmëparshme, me një jehonë të zgjatur nga Uashingtoni në Tiranë. Një jehonë 7 mijë kilometërshe e gjatë. Përfytyroja se si kalonte ajo mospërfillëse mbi Atlantik, mbi kreshpërimin e dallgëve oqeanike që dukej sikur imitonin malet e alpeve shqiptare. Rapsodi ndihej i gjithëfuqishëm në sfond të maleve me dallgë. Ai vazhdonte t’i binte çiftelisë dhe me pëllëmbën e dorës prapa veshit lëshonte një piskamë të jashtëzakonshme me një dëshirë të ethshme që atë piskamë ta dëgjonte e gjithë bota…
“O djem, rrëmbeni pushkët!…”
Nga përfytyrimi më shkundën disa thirrje dhe brohorima të fuqishme që ndërpriteshin nga vargjet e njohura të këngës “Eja, mblidhuni këtu, bashkë me ne..”. Një këngë gati shekullore kjo, një këngë kushtrim, një këngë thithëse që nxirrej nga arkivi i kujtesës në raste të veçanta nga shqiptarët. Në momente kulmore, në raste alarmesh, për shembull, kur ndjenin rrezikun e ndonjë lufte a pushtimi.
Tubimi kishte filluar para kohe në një situatë të elektrizuar. Në fushën e madhe përpara stadiumit ishin dyndur shumë herë më tepër njerëz nga sa kishin marrë pjesë në tubimet e mëparshme, ndërkohë që nga të gjitha drejtimet vërshonin të tjerë pandërprerje. Podiumi ishte po ai i herëve të shkuara: vendstrehimi i ndërtuar në kohën e Enver Hoxhës. Aty kishin mbërritur gjithë udhëheqësit më të lartë të PS. Natyrisht pa Nanon. Ata po prisnin të vinte ora e caktuar për të filluar fjalimet, që, ashtu si rrodhën ngjarjet, me siguri i kishin përmbysur e riformuluar në çastet e fundit. Gazetarët po bënin gati aparatet e tyre të regjistrimit. Dy – tre njerëz shpërndanin postera me fotografi të mëdha me ngjyra të Nanos që dukej se ishin përgatitur enkas për këtë rast. Ndoshta, ata e kishin ditur që ai do të arrestohej. Por jo atë ditë…. Policët komunikonin me shefat e tyre me radio. Kishte shumë unifoma blu atë ditë, të cilët megjithatë dukeshin të pamjaftueshëm. Ndaj shumë shpejt u panë të vinin furgonë të tjerë me policë. Gjithashtu me shkopinj gome në duar. Aty u dëgjua për herë të parë thirrja E duam, e duam, e duam Fatos Nanon!, një thirrje që do të bëhej shpejt lejtmotiv dhe bashkudhëtare në të gjitha tubimet e mëvonshme të socialistëve në mbarë vendin.
Ky tubim po bëhej posaçërisht për Nanon. Dhe… Se mjaft në robëri, / o e mjera Shqipëri, / o djem rrëmbeni pushkët, / Ja vdekje, ja liri!…
Filluan të flisnin oratorët. Por thuajse asnjë fjalë e tyre nuk u merrej vesh, pasi sapo ata hapnin gojën, turma fillonte të thërriste në kor shumë më fuqishëm duke tundur në duar posterat me portretet e Nanos.
“Te sheshi! Te sheshi!” u dëgjua në fillim një zë, pastaj dy, pastaj turma filloi të thërriste “Te sheshi! Te sheshi!”. Dhe kjo donte të thoshte në qendër të Tiranës, te sheshi Skënderbej. Kaq u desh dhe, si me një komandë gjigante, turma bëri prapakthehu! Ata që ishin të fundit dolën në fillim dhe ata që ishin në tribunë, pra udhëheqësit, mbetën në fund. Situata doli papritmas, në moment, jashtë kontrollit (këtë do ta pohonin më pas edhe vetë udhëheqësit e PS) dhe dukej se nuk kishte asnjeri forcë t’i përmbante më ata dhjetra mijëra njerëz. Edhe policët u hutuan dhe nuk bënë asnjë përçapje për t’i ndalur ose për t’i kthyer mbrapsht.
Në rrugën automobilistike turma mori formën e një lumi të harbuar që vërshonte drejt bulevardit të madh, me synim qendrën… Gazetarët e ndiqnin lëvizjen e turmës në distancë, nga trotuarët, me vëmendje, por edhe me shqetësim. Rastësisht u ndodha në shoqërinë e dy drejtuesve të rëndësishëm të Radiotelevizionit, të cilët thonin herë pas here se arrestimi i Nanos ishte një gabim i rëndë. Kanë ndryshuar raportet politike dhe po bindem se zgjedhjet e reja janë një domosdoshmëri, tha njeri prej tyre, ndërsa tjetri shtoi se PD-ja ka marrë fund! Po u fut policia në mes, po filluan shkopinjtë e gomës, pushteti ka mbaruar…
Megjithatë, atë ditë policia u tregua korrekte. Te Presidenca në mënyrë të veçantë përforcimet ishin mjaft të mëdha, por turma kaloi qetësisht para pallatit presidencial, madje me indiferentizëm. Te ministritë, më saktë midis ministrisë së Mbrojtjes dhe ministrisë së Brendshme ishte vendosur një kordon i dendur policësh të armatosur dhe me skafandra, por që, kur mbërriti turma, ata i hapën udhë thuajse qetësisht, pa bërë ndonjë rezistencë dhe pa goditur njeri.
Më tej, vrapi i këtij manifestimi proteste u ndal në sheshin Skënderbej. Askush nuk mbajti fjalim në shesh, askush nuk u ngjit në tribunë. Turma u ndal në mes të sheshit dhe aty vazhdoi të kërkonte lirimin e Nanos, etj. Mirëpo, në këtë kohë, përballë tyre u grumbulluan disa dhjetra të tjerë te shkallët e Pallatit të Kulturës. Edhe ata filluan të thërrisnin, por në kahje të kundërt. Ata shanin, bërtisnin kundër socialistëve dhe shefit të tyre F. Nano, duke tundur në ajër dy gishtat në formë V-je. Megjithatë, ata ishin shumë të pakët përballë turmës dhjetra mijëshe të kundërshtarëve të tyre që kishin zaptuar sheshin. Edhe këtu policia nuk ndërhyri, por edhe nuk lejoi përplasje midis palëve.
Manifestimi i socialistëve vazhdoi për mbi dy orë, derisa muzgu filloi të binte i nderë mbi kryeqytet…
Në lajmet e fundit të asaj mbrëmjeje, ministria e Rendit Publik duke e konsideruar të paligjshme protestën e socialistëve, bënte të ditur se ajo ishte vepër e ish-Sigurimit të Shtetit, ndërsa njoftonte se organizatorët kryesorë të ndërprerjes së tubimit në vendin e paracaktuar për të demonstruar nëpër rrugët e qytetit të Tiranës e deri në sheshin Skënderbej ishin deputeti Gramoz Ruçi dhe kryetari i PS për Tiranën Pëllumb Vladi. Njoftimi bënte të ditur gjithashtu se policia ndaloi organizatorët dhe disa nga pjesëmarrësit kryesorë të manifestimit, por pa përmendur as shifrën e saktë dhe as emrat e të ndaluarve.
Autori i vetëm, të cilin socialistët bënin përgjegjës për arrestimin e Nanos, ishte Berisha. Mirëpo ky i është shmangur vazhdimisht përgjegjësisë për këtë akt. Thuhet se nuk ekziston asnjë dokument i tij për këtë çështje, pa le më ndonjë urdhër me firmën e tij. Ai vazhdimisht fliste për “pavarësi të organeve të drejtësisë”, ndërsa gazetarët nuk mund të mos vinin re faktin se Berisha gjatë gjithë kohës së burgosjes së Nanos e përmendte rrallë, tepër rrallë, për të mos thënë fare, emrin e rivalit të tij në krye të opozitës. Berisha i kundërshtonte vazhdimisht idetë e Nanos, por emrin e tij e shmangte nga ligjëratat, bënte sikur e harronte.
Ai, me sa shihej, e ndjente rrezikshmërinë e çështjes Nano dhe donte të krijonte me çdo kusht alibinë e të qëndruarit sa më larg saj.

MOS NXIRRNI KOCKAT E ATIJ QE ME KOHE KA COFUR DHE ESHTE TRETUR.
SHIKONI TE “GROPOSET” KY TJETRI SE MBETI MBI DHE DHE QELBI DYNJANE.
SIDOMOS AJO FEMRA E PARLAMENTIT .
MERR DOT NDONJE TELEFONAT PER KETA SONTE TE NAI BESH LAJM ?
NUK ECET PERPARA DUKE QARE E KUJTUAR ATA QE POPULLI PASTRON SI PLEHRA NEPER KEMBE.
ATA JANE PLEHRA TE PA RICIKLUESHME. DUHET ÇUAR NE LANDFILLIN E SHARRES .
Shqiperine ka 23 vjete qe e drejtojne Rajsonet,nepermjet njerezve pa moral,identitet ideologjik,pa atdhetarizem por vetem me cilesi shkerdhatokracie e injorante,duke bere te mundur keto 23 vite shkaterimin deri ne rrenje te shqiperise e nxjerrjes ne pah te imoraleve politik duke filluar nga Saliu e perfunduar te pianeci Nano.Viktimat e ketij ritushimi te ngjarrjeve te viteve 93 nxjerrin ne pahe viktimizimin e nje populli te tere e paftyresine e njrezve qe bene e bejne lojen me te felliqur e te pa moraleshme si Nano e Berisha.Pas kesaj kohe reflektimi mendoj se imorali politik Nano ka marr denimin e merituar .Me pelqen koiçidenca qe Saliu si me 30 korrik 93 edhe me 21 janar 2011 eshte takuar me ambasador “miq””!Do te doja te pyesnja artikull shkruesin po me 21 Janar a ka ndigjuar tinguj çiftelie kur urdherdhenesi i vrasjeve u pergezua nga ambasadori “mik”burre shteti?Ironi fati.
Z.Xhevdet,
Kryetar i PS per Tiranen ne ate kohe ka qene Luan Shahollari dhe jo Pellumb Vladi.Ky i fundit ka qene sekretar per organizimin. Kaq sa per saktesi.
I nderuari Zoti Shehu, Ne paranteze deshiroj t’ju pergezoj per shkrimin. Jo per gje, por shoh qe eshte nje shkrim I bazuar ne fakte te verteta dhe reale. Se dyti do te doja te thoja se nuk i vjen me Tiranes nje legjende si Zoti VLADI. Me nje aftesi drejtuese e organizative te pakrahasuar. Me nje profesionalizem te admirueshem. Te drejtoje ne ate kohe nje dege si PS e Tiranes duhej te ishe Burre trim pervec te tjerave , cilesi qe Z.Vladi e permbushte me se miri.