Basha uron Ditën e Verës nga Elbasani, kërkon heqjen e taksave për tre sektorë

Leda Hysa

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e festoi Ditën e Verës në Elbasan duke ndarë me qindra qytetarë gëzimin dhe shpresën që frymëzon stina e re. “Më lejoni që nga Elbasani, kryeqyteti i Ditës së Verës t’u uroj gjithë shqiptarëve Gëzuar Ditën e Verës! Ashtu siç çelin lulet në pranverë, ashtu çeltë shpresa dhe optimizmi në zemrën e çdo shqiptari“, u shpreh Basha.

Kryetari i opozitës, bashkë me deputetët demokratë të Qarkut të Elbasanit, respektoi traditën e vizitës në Panairin e qytetit, duke përgëzuar artizanët dhe tregtarët për prodhimet e tyre.

Ajo që tërhoqi vëmendjen e kreut të Partisë Demokratike ishte biznesi artizanal i krijuar nga bashkimi i disa grave shtëpiake, përparimi për mbledhjen dhe përpunimin e mjaltit, si dhe fabrika e paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë. Basha beson se këto biznese duhet të kenë mbështetje të drejtpërdrejtë nga shteti për zhvillimin e tyre të mëtejshëm.

“Të tre këta sektorë meritojnë ulje, pse jo heqje të taksave në disa raste, si dhe duhen mbështetur me subvencione për të krijuar atmosferë sa më pozitive për prodhimin, punësimin dhe për mirëqenien e shqiptarëve”, tha kryetari i PD.

I shoqëruar nga bashkëshortja Aurela, Basha bëri shëtitjen tradicionale në bulevardin e Elbasanit, duke shkëmbyer me shumë qytetarë urimet për Ditën e Verës.


l.h/ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *