Sëmundjet e shpeshta që shkakton pirja e duhanit

Pranvera Kola

Ju rrezikoni të sëmureni rëndë nëse vazhdoni të pini duhan. Autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik, thonë se të lini duhanin, është gjëja më e rëndësishme që ju mund të bëni për shëndetin tuaj, cilado qoftë mosha juaj dhe numri i viteve gjatë të cilave keni pirë duhan.

Trupi juaj kur pini duhan nuk merr vetëm nikotinë, por shumë më tepër. Janë rreth 4000 kimikate në një cigare.

“Duke pirë duhan, ju thithni: nikotinë, e cila krijon varësi, monoksid karboni që pengon veprimin e muskujve dhe trurit, arsenik, cianide (të përbëra nga cianuri dhe hidrogjeni), adiktivë kimikë, produkte të zbardhjes së hirit, katran, i cili vendoset në bronke dhe mushkëri dhe mund të shkaktojë kancer, amoniak që prodhuesit e cigares i shtojnë duhanit për të lehtësuar thithjen e nikotinës në mënyrë që t’i mbajë duhanpirësit të varur prej saj. Disa nga këto kimikate janë të njëjta me ato që ndodhen në varakun e drurit, helmet e insekteve dhe helmin e minjve”, shkruan Dita.

Gjithnjë e më shumë gjatë viteve të fundit apelohet për reduktimin e duhanpirjes, e cila ka ndikuar në shtimin e sëmundshmërisë së shfaqur në popullatë. Tumoret, problemet me mushkëritë, si dhe problemet me funksionimin e zemrës dhe të enëve të gjakut, janë vetëm disa nga sëmundjet mund të shfaqen, ose rëndohen më shumë tek personat që konsumojnë duhanin.

• Kanceri
Pothuajse të gjithë e dimë se pirja e duhanit shkakton kancer në mushkëri, por pak njerëz e kuptojnë se pirja e tij është një faktor rrezikues për disa lloje të tjera kanceri, si: kanceri i gojës, i laringut, i fytit, i ezofagut, veshkës, pankreasit, stomakut, apo leucemisë.

• Sëmundjet e mushkërive

Pneumonia është një tjetër sëmundje e përfshirë në listën e sëmundjeve të shkaktuara nga duhani. Pirja e duhanit rrit rrezikun e sëmundjeve të mushkërive, si: emfizema dhe bronshiti kronik. Këto sëmundje janë grupuar bashkë dhe njihen me termin SPOK (Sëmundjet Pulmonare Obstruktive Kronike). Kjo gjendje shkakton sëmundje kronike dhe paaftësi, të cilat përkeqësohen me kalimin e kohës, dhe shpesh bëhen fatale. Duhanpirësit që konsumojnë shumë cigare janë më të rrezikuar nga zhvillimi i SPOK-ut.

  • Ataku i zemrës, goditjet dhe sëmundjet e enëve të gjakut

Duhanpirësit janë dy herë më të prirur të vdesin nga ataku i zemrës sesa joduhanpirësit. Duhanpirja gjithashtu ndikon në muret e enëve të gjakut që transportojnë gjak në tru, të cilat mund të shkaktojnë goditje.

“Konsumimi i tepërt i duhanit shton rrezikun për vdekje të papritur. Monooksidi i duhanit, një nga përbërësit e tymit, pakëson oksigjenin në gjak, ndërkohë që nikotina një nga përbërësit e duhanit shton punën e zemrës dhe të dyja shkaktojnë formimin e trombit (mpiksje gjaku) që ngushton dhe bllokon anët e gjoksit’, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së. Gjithashtu burrat që pijnë duhan janë më të prirur të preken nga impotenca për shkak të sëmundjeve të enëve të gjakut.

  • Probleme të tjera

Pirja e duhanit shkakton rrudhje të parakohshme të lëkurës, vështirësi në frymëmarrje, erë të keqe në flokë dhe rroba, thonj të verdhë.

 

p.k/dita 

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *