Sllavoj Zhizhek
Masakra e maceve padyshim ka shërbyer si një sulm indirekt mbi zotërinë dhe gruan e tij dhe shprehu urrejtjen e punëtorëve për borgjezinë: zotërinjtë i duan macet; për rrjedhojë punëtorët i urrejnë ato. Macet kanë zënë një pozicion të ekzaltuar në mënyrën borgjeze të jetesës, ndërkohë që mbajtja e kafshëve shtëpiake ishte po aq e huaj për punëtorët sa torturimi i tyre për borgjezët
Ky fragment që po botojmë në vijim është shkëputur nga eseja “KUNDËR SHANTAZHIT TË DYFISHTË” të filozofit të shquar bashkëkohor slloven, një nga më të shquarit në nivel evropian e botëror, Sllavoj Zhizhek (Slavoj Žižek). Ai e ka marrë shtysën nga kriza e refugjatëve në Europë këto vitet e fundit, për të shtjelluar krizën kapitaliste në nivel global. Qysh në hyrje të analizës së tij, Zhizhek jep thelbin: “Sot, në Europën Perëndimore, reagimi i administratës si dhe i opinionit publik, për prurjet e refugjatëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme, duket se përbën një kombinim të ngjashëm të reagimeve të shpërputhura. Ka – gjithnjë e më pak – mosbesim: ’Kjo nuk është edhe aq serioze, le ta injorojmë.’ Ka zemërim: ‘Refugjatët janë një kërcënim për mënyrën tonë të jetës – dhe përveç kësaj, islamistë radikalë fshihen ndër ta. Ata duhet të ndalen me çdo kusht!’ Ka bërje kompromis: ‘Në rregull, le të vendosim kuota dhe të mbështesim kampet e refugjatëve në vendet e tyre!’ Ka depresion: ’Jemi të humbur, Europa po kthehet në Europastan!’ Ajo që krejtësisht mungon në mesin e këtyre reagimeve është faza e fundit e Kubler-Ross-ës: pranimi, i cili, në këtë rast, do të thotë një plan konsistent mbarë-europian se si të merremi me çështjen e refugjatëve.”
Nga buron paaftësia e Europës për zgjidhjen e krizës dhe udhëkryqet e shoqërisë së sotme në rang global. Ja si e mendon zgjidhjen filozofi Zhizhek…
Mijëra urryes në Këln
Kush janë ‘tetë urryesit’ në filmin me të njëjtin titull të Quentin Tarantino-s? I gjithë grupi i pjesëmarrësve – racistë të bardhë dhe ushtari zezak i Unionit, burra dhe gra, oficerë të ligjit dhe kriminelë – të gjithë janë njëlloj të ligj, brutalë dhe hakmarrës. Çasti më turpërues në film ndodh kur oficeri i zi (i luajtur nga madhështori Samuel L. Jackson) i rrëfen në detaje dhe me kënaqësi të dukshme një gjenerali të vjetër të Konfederatës sesi ia ka vrarë djalin racist gjeneralit, i cili kishte qenë përgjegjës për shumë vdekje zezakësh… Pra, nuk ka njerëz të mirë në luftën kundër racizmit: ata janë të gjithë të angazhuar në të me brutalitet të skajshëm. Dhe a nuk është mësimi i sulmeve të fundit seksuale në Këln rrëqethshëm i ngjashëm me mësimin e këtij filmi? Edhe nëse refugjatët (shumica e tyre) janë efektivisht viktima që po arratisen prej shtetesh të dërrmuara, kjo nuk i pengon disa prej tyre të veprojnë në një mënyrë të horrshme. Priremi ta harrojmë se nuk ka asgjë shëlbyese në vuajtje: të jesh një viktimë në fund të shkallës sociale nuk të bën një lloj zëri të privilegjuar morali dhe drejtësie, siç e pamë më herët në shembullin e Ruth Kluger-ës.

Por ky vështrim i përgjithshëm nuk është i mjaftueshëm – duhet të këqyrim më nga afër situatën që e lindi incidentin në Këln. Në analizën e tij të situatës globale pas shpërthimeve të bombave në Paris, Alain Badiou dallon tre tipe mbizotëruese të subjektivitetit në kapitalizmin global të sotëm: subjekti Perëndimor i ‘qytetëruar’ i shtresës së mesme liberalo-demokratike; ato jashtë Perëndimit të pushtuar nga ‘dëshira për Perëndimin / le desir d’Occident,’ dëshpërimisht në përpjekje për të imituar stilin ‘e qytetëruar’ të jetës së shtresave të mesme perëndimore; dhe nihilistët fashistë, atyre zilia e të cilëve për Perëndimin iu kthehet në një urrejtje vetëshkatërruese për vdekje. Badiou e bën të qartë se, ajo që mediat e quajnë ‘radikalizimi’ i myslimanëve, është thjesht e qartë fashistizim:
ky Fashizëm është ana e përparme e dëshirës së frustruar për Perëndimin, e që organizohet pak a shumë në mënyrë ushtarake sipas modelit fleksibël të një bande mafioze dhe me ngjyrime të ndryshueshme ideologjike ku vendi që zë feja është pastërtisht formal.
Në analizën e tij (përndryshe të shkëlqyer) të logjikës ku bazohen sulmet terroriste të ISIS-it, Jean-Claude Milner e refuzon përshenjimin e ISIS-it si fashist: ‘Fjala ‘fashizëm’ përmendet gjithnjë në lidhje me masakrën e 9 janarit. Asgjë nuk mund të ishte më shumë e papërshtatshme. Feja nuk luan asnjë rol vendimtar në fashizëm.’ Në këtë rast specifik, ama, Badiou ka sidoqoftë të drejtë në përdorimin e termit për të dy terroret fondamentaliste, mysliman e të krishterë. Qëndrimi i tij është se feja nuk është faktor vendimtar i ISIS-it; ajo thjesht shërben si medium për shprehjen e pervertuar të një zilie dhe urrejtje klasore të bërë hasha – dhe fashizmi ushqehet pikërisht prej një frustrimi të këtillë.
Ideologjia perëndimore e shtresës së mesme ka dy tipare të kundërta: paraqet një besim arrogant në epërsinë e vlerave të saj (të drejtat dhe liritë universale të njeriut); por, në të njëjtën kohë, është e obsesuar nga frika se sfera e saj e kufizuar do të pushtohet nga biliona njerëz që janë jashtë, të cilët nuk vlejnë në kapitalizmin global meqenëse as nuk prodhojnë mallra e as nuk i konsumojnë ato. Frika e anëtarëve të kësaj shtrese të mesme është se do të përfundojnë në radhët e atyre që përfundojnë të përjashtuar. Shprehja më e kthjellët e kësaj ‘dëshire për Perëndimin’ përfaqësohet prej refugjatëve emigrantë: dëshira e tyre nuk është revolucionare, ajo është dëshira për të lënë pas habitatin e tyre të dërrmuar dhe për t’iu ribashkuar tokës së premtuar të Perëndimit të zhvilluar. (Ata që mbesin prapa përpiqen që të krijojnë atje kopje të mjerueshme të begatisë Perëndimore, si pjesët e ‘modernizuara’ në çdo metropol të Botës së Tretë, në Luanda, Lagos e kështu me radhë, me kafene të stilit italian, me qendra tregtare, etj.)
Por meqë, për shumicën dërrmuese të pretendentëve, kjo dëshirë nuk mund të përmbushet, një ndër mundësitë e mbetura është kthesa nihiliste: frustrimi dhe zilia radikalizohen në një urrejtje vrastare dhe vetëshkatërruese të Perëndimit dhe njerëzit përfshihen në hakmarrje të dhunshme. Badiou e shpall këtë dhunë të jetë një shprehje e kulluar e shtysës së vdekjes , një dhunë që mund të kulmojë vetëm në akte (vetë)shkatërrimi orgjiastikë, pa ndonjë vizion serioz të një shoqërie alternative. Badiou ka të drejtë që thekson se nuk ka asnjë potencial emancipues te dhuna fundamentaliste, sado anti-kapitaliste pretendon të jetë: kjo është një dukuri rreptësisht e brendaqenësishme ndaj universit global kapitalist, ‘fantazma e saj e fshehur’. Fakti bazik i fashizmit fundamentalist është zilia. Fundamentalizmi mbetet i rrënjosur në dëshirën për Perëndimin, në vetë urrejtjen e tij për Perëndimin. Këtu kemi të bëjmë me shndërrimin standard të dëshirës së frustruar në agresivitet të përshkruar nga psikoanaliza; këtu, Islami thjesht jep formën për të bazuar këtë urrejtje (vetë)shkatërruese. Ky potencial shkatërrues i zilisë është baza e dallimit të mirënjohur, por sidoqoftë të pashfrytëzuar plotësisht të Rousseau-së, mes egoizmit, amour-de-soi (ajo dashuria për veten që është e natyrshme) dhe amour-propre, parapëlqimi i pervertuar i vetes ndaj të tjerëve në të cilin një person nuk fokusohet në arritjen e një qëllimi, por në shkatërrimin e pengesës ndaj këtij qëllimi:
Pasionet primitive, të cilat të gjitha drejtpërsëdrejti priren për nga lumturia jonë, na bëjnë të merremi vetëm me sende të cilat kanë lidhje me to dhe parimi i të cilave është vetëm amour-de-soi, janë të gjitha në thelbin e tyre të dashura e të buta; sidoqoftë, kur, të shpërqendruar prej objekteve të tyre nga pengesa, ata më shumë merakosen me pengesën që përpiqen të heqin qafe, sesa me objektin që përpiqen të arrijnë, ata e ndryshojnë natyrën e tyre dhe bëhen gjaknxehtë dhe inatçinj. Kjo është se si amour-de-soi, e cila është një ndjenjë fisnike dhe absolute, bëhet amour-propre, që do të thotë, një ndjenjë relative përmes së cilës e krahasojmë veten, një ndjenjë e cila kërkon përparësi, qejfi i së cilës është në mënyrë të kulluar negative dhe që nuk rreket të gjejë përmbushje në vetë mirëqenien tonë, por vetëm në fatkeqësinë e të tjerëve.
Një njeri i lig, pra, nuk është një egoist, ‘që mendon vetëm për interesat e veta.’ Një egoist i vërtetë është tepër i zënë duke u kujdesur për të mirën e vetes që të ketë kohë t’i shkaktojë fatkeqësi të tjerëve. Vesi kryesor i një personi të keq është pikërisht fakti që ai merakoset më shumë me të tjerët sesa me veten e tij. Rousseau po përshkruan një mekanizëm të përpiktë libidinal: përmbysja e cila gjeneron zhvendosjen e investimeve libidinale prej objektit te vetë pengesa. Kjo mundet shumë mirë të aplikohet për dhunën fundamentalise – qoftë bomba në Oklahoma, qoftë 11 shtatori. Në të dy rastet, kemi të bëjmë me urrejtje thjesht e qartë: shkatërrimi i pengesës – Ndërtesa Federale në qytetin e Oklahomës, Kullat Binjake – ishte ajo që kishte vërtetë rëndësi, jo arritja e qëllimit të fisëm të një shoqërie përnjëmend të krishterë apo myslimane. Një fashistizim i tillë mund ushtrojë njëfarë tërheqje mbi rininë e frustruar emigrante, e cila nuk gjen vend të posaçëm në shoqëritë perëndimore apo një të ardhme me të cilën identifikohet. Fashistizimi u ofron atyre një rrugëdalje të lehtë nga frustrimi i tyre: një jetë të rrezikshme përplot ngjarje e stolisur me një përkushtim sakrifikues fetar, plus përmbushje materiale (seks, makina, armë). Nuk duhet të harrojmë se Shteti Islamik është po ashtu një kompani e madhe mafioze tregtare që shet naftë, statuja të lashta, pambuk, armë dhe gra-skllave, ‘një përzierje e propozimeve heroike për vdekje dhe, njëkohësisht, e korrupsionit perëndimor përmes produktesh’.
Nuk ka nevojë as të thuhet se nuk mund të futen të gjitha gjërat që bëjnë terroristët fundamentalistë nën kategorinë e nihilizmit vetëshkatërrues. Për shembull, disa dokumente të publikuara së fundmi të ISIS-it sugjerojnë disa arsye për shpërthimet e Parisit: çfarë mund të na shfaqet neve si një arsye kundër – shpërthimet përfundimisht i sjellin telashe miliona myslimanëve që jetojnë në Francë – mund të jetë vetë arsyeja e këtyre sulmeve. Kjo do të thotë se, ajo çfarë ISIS-i dëshiron të arrijë, është asgjësimi sa më shumë të jetë e mundur i demografisë së ‘myslimanit të moderuar perëndimor’ dhe që t’i radikalizojë ata, kështu që të krijohen kushtet për një luftë të hapur civile. Dhe gjithashtu duhet të vërehet se ky qëllim përputhet fort mirë me qëllimin e racistëve anti-emigrantë – të dyja palët duan një ‘përplasje qytetërimesh’ të pamëdyshur dhe të plotë. Por i njëjti rezultat përfundimtar megjithatë mbërrihet me këtë mënyrë të tërthortë: vetëshkatërrim nihilist.
Është gjithashtu e vërtetë se kjo dhunë fashisto-fundamentaliste është vetëm një nga shumë mënyrat e dhunës që i përkasin vetë kapitalizmit global: nga pasojat katastrofike të ekonomisë së globalizuar deri te historia e gjatë e ndërhyrjeve ushtarake perëndimore. Islamo-fashizmi është një dukuri thellësisht reaktive, në kuptimin niçean të fjalës: një shprehje e impotencës e shndërruar në tërbim vetëshkatërrues. Kështu, ndërkohë që pajtohemi me prirjen e përgjithshme të analizës së Badiou-së, më duken problematike tre nga pretendimet e kësaj analize. Së pari, reduktimi i rolit të fesë brenda nihilizmit fashist në një funksion sekondar sipërfaqësor: ‘feja është vetëm një veshje, ajo nuk është në asnjë mënyrë zemra e çështjes, vetëm një formë e subjektivizimit, jo përmbajtja reale e gjësë.’ Badiou ka plotësisht të drejtë në pretendimin e tij se kërkimi për rrënjët e terrorizmit të sotëm mysliman në tekstet e lashta fetare (argumenti se ‘të gjitha janë sakaq në Kuran’) na çon në udhë të gabuar: në vend të kësaj, duhet të përqendrohemi te kapitalizmi i sotëm global dhe ta kuptojmë islamo-fashizmin si një ndër modalitetet e reagimit ndaj kurthit të joshjes së tij, me anë të përmbysjes së zilisë në urrejtje. Por nga një pikëpamje kritike, a nuk është feja gjithmonë një lloj veshje mbuluese dhe jo zemra e çështjes? A nuk është feja në vetë bërthamën e saj një ‘formë subjektivizimi’ i gjendjeve të vështira të njerëzve? Dhe, nga ana tjetër, a nuk implikon kjo se një veshje e tillë është në një farë kuptimi ‘zemra e çështjes,’ mënyra sesi individët e përjetojnë situatën e tyre: nuk ka asnjë mënyrë për ta që të dalin nga bota e tyre dhe që disi të shohin, nga ‘jashtë,’ se si gjërat ‘janë realisht’? Ideologjia nuk shtrihet kryesisht në rrëfenja të shpikura (nga ata në pushtet) për të mashtruar të tjerë, ajo shtrihet në rrëfenjat e shpikura prej subjektesh për të mashtruar veten e tyre. Pastaj, është identifikimi që bën Badiou i refugjatëve dhe emigrantëve me një ‘proletariat nomad’ (61), një ‘pararojë virtuale e masës gjigante të njerëzve ekzistenca e të cilëve nuk llogaritet [prise en compte] në botën ashtu siç është’(62). Por a nuk janë emigrantët (shumica prej tyre, të paktën) ata që mes popullatës së Botës së Tretë janë më së shumti të xhindosur nga ‘dëshira për Perëndimin,’ më kokëfortët nën magjepsjen e ideologjisë hegjemonike dhe, si të tillë, më rezistentët ndaj identifikimit proletar dhe rrjedhimisht ndaj luajtjes së rolit të një ‘pararoje’ për ‘masat e popullit’? Së fundi, është kjo kërkesa naive se ne duhet
të shkojmë e të shohim se kush është ky tjetri për të cilin flasim, se kush janë realisht ata. Ne duhet t’i mbledhim mendimet e tyre, idetë e tyre, vizionin e tyre të gjërave dhe t’i brendashkruajmë ata, si dhe veten njëkohësisht, në një vizion strategjik të fatit të njerëzimit.
E lehtë të thuhet, e vështirë të bëhet. Ky tjetër është, ashtu siç vetë Badiou e tregon, krejtësisht i çorientuar, i kapur zap prej qasjeve të kundërta të zilisë dhe urrejtjes, një urrejtje që tek e fundit shpreh vetë dëshirën e saj të ndrydhur për Perëndimin (çka është arsyeja përse urrejtja kthehet në vetëshkatërrim). Është pjesë e një metafizike naive humaniste që të presupozohet se, nën këtë cikël vicioz të dëshirës, zilisë dhe urrejtjes, ekziston një bërthamë ‘më e thellë’ njerëzore e solidaritetit global. Historitë gëlojnë rreth mënyrës sesi, në mesin e refugjatëve, shumë sirianë janë një përjashtim: në kampet e përkohshme, i pastrojnë mbeturinat e tyre, sillen në mënyrë të edukuar dhe të respektojnë, shumë prej tyre janë të arsimuar mirë dhe flasin anglisht, ata shpesh edhe paguajnë për atë që konsumojnë… Me pak fjalë, ata janë si ne, si shtresat tona të mesme të arsimuara e të qytetëruara. (Ata madje përpiqen që të bëhen solidarë me europianët indigjenë: në Slloveni, mediat raportuan raste emigrantësh sirianë të shtresës së mesme teksa bisedonin me sllovenët që po i ndihmonin, duke i paralajmëruar këta kundër shumicës së refugjatëve të tjerë, të cilët ata i përshkruanin si brutalë dhe primitivë.)
Është popullore të thuash se refugjatët e dhunshëm përfaqësojnë një pakicë dhe se pjesa më e madhe ka një respekt të thellë për gratë. Ndërkohë që kjo është sigurisht e vërtetë, duhet megjithatë të hedhim një vështrim më të ngushtë mbi strukturën e një respekti të tillë: çfarë lloj gruaje ‘respektohet’ dhe çfarë pritet prej saj në këtë drejtim? Po sikur një grua ‘respektohet’ për aq sa (dhe vetëm për aq sa) ajo përkon me idealin e një shërbëtoreje të bindur që besnikërisht bën punët e saj të shtëpisë, e kështu burri i saj ka të drejtën për të shpërthyer në furi nëse ajo ‘bëhet virale’ dhe vepron plot autonomi?
Media jonë zakonisht i vë në kontrast refugjatët e ‘qytetëruar’ të shtresës së mesme me refugjatët ‘barbarë’ të shtresave të ulta të cilët i vjedhin e i ngucin qytetarët tanë, sillen dhunshëm ndaj grave, i kryejnë jashtëqitjet në publik (ose kështu na thuhet). Në vend se t’i shpërfillim të gjitha këto si propagandë raciste, duhet të gjejmë guximin për të shquar një pikë vërtetësie në të: tradicionalisht, në rezistencën ndaj atyre në pushtet, një nga strategjitë e ‘klasave të ulta’ ka qenë që të përdorin shfaqje të tmerrshme brutaliteti karnavalesk për të bezdisur sensin e denjësisë të shtresës së mesme. Dhe jemi të tunduar që t’i lexojmë ngjarjet në prag të Vitit të Ri në Këln në këtë mënyrë – si një karnaval i pahijshëm i klasës së ulët:
Policia gjermane po heton raportime se shumë gra janë sulmuar seksualisht dhe plaçkitur në qendrën e qytetit të Këlnit gjatë festimeve të Vitit të Ri, diçka që një ministër e quajti një ‘përmasë krejtësisht e re e krimit.’ Sipas policisë, ata që dyshohen si përgjegjës për sulmet seksuale dhe grabitjet e shumta ishin me origjinë arabe dhe afrikano veriore. Mbi 100 ankesa u paraqitën në polici, një e treta e të cilave ishin të lidhura me sulme seksuale. Qendra e qytetit u shndërrua në një ‘zonë pa ligj’: diku midis 500 deri në 1000 burra të përshkruar si të dehur dhe agresivë besohet të kenë qenë pas sulmeve mbi festuesit (party goers) në qendër të qytetit perëndimor gjerman. Nëse kanë qenë duke punuar si një grup i vetëm apo në banda të ndara mbetet e paqartë. Gra kanë raportuar se ishin rrethuar ngushtazi nga grupe burrash që i ngucën dhe i plaçkitën. Disa njerëz hodhën fishekzjarre nëpër turmë, duke i shtuar kaosit. Një nga viktimat është përdhunuar. Një grua police vullnetare ishte në mesin e atyre që thuhet se ka qenë sulmuar seksualisht.
Siç pritej, kjo dukuri është në rritje: jo thjesht në terma të gjithnjë e më shumë grave – tani më shumë se 500 – që po dalin hapur të regjistrojnë ankesa, por gjithashtu edhe të incidenteve të ngjashme në qytete të tjera gjermane – dhe suedeze. Ka madje edhe shenja se sulmet ishin të koordinuara paraprakisht. Për më tepër, anti-emigrantët e krahut të djathtë, ‘mbrojtësit e perëndimit të qytetëruar,’ janë duke u kundërpërgjigjur me sulme ndaj emigrantëve, aq sa spiralja e dhunës kërcënon të intensifikohet. Dhe, siç pritej, e Majta liberale Politikisht Korrekte i mobilizon burimet e saj që t’ia ulë rëndësinë incidentit, në të njëjtën mënyrë siç bëri në rastin e Rotherham-it, jo shumë kohë më parë. Në Këln, e Majta liberale nuk rrok përmasën kyçe të ngjarjes: karnavali i Këlnit duhet të lokalizohet në vijën e gjatë të rasteve që shtrihet pas në kohë deri në vitet 1730’ në Paris, në të ashtuquajturën ‘Masakra e Madhe e Maceve’ (Great Cat Massacre) të përshkruar nga Robert Darnton , ku një grup çirakësh shtypshkrimi torturuan dhe ritualisht vranë të gjitha macet që mund të gjenin, duke përfshirë edhe macen e gruas së zotërisë së tyre. Çirakët, rregullisht flinin në një dhomë të pisët të ftohtë, çoheshin para agimit, kryenin porosi gjatë gjithë ditës duke i bishtnuar fyerjeve nga ustallarët dhe abuzimeve nga zotëria, pa marrë asgjë mbrapsht përveçse lëmoshë për të ngrënë. Për ta ushqimi ishte veçanërisht vrer për ta. Në vend që të hanin në tryezën e zotërisë, atyre iu duhej të hanin mbeturinat nga pjata e tij në kuzhinë. Më keq akoma, kuzhinieri fshehurazi i shiste ushqimet e mbetura dhe djemve u jepte ushqim macesh – copa të vjetra të kalbura mishi që nuk ua pranonte stomaku dhe që ua kalonin kështu maceve, që e refuzonin gjithashtu.
Pra, ata fjalë për fjalë trajtoheshin më keq se macet që adhuroheshin nga gruaja e zotërisë, sidomos la grise (grija), e parapëlqyera e saj.
Një pasion për macet duket të ketë përfshirë tejpërtej tregun e shtypshkronjave, të paktën në nivelin e zotërinjve, apo të borgjezëve siç i quanin punëtorët. Një borgjez mbante njëzet e pesë mace. Ai kishte portrete të tyre të pikturuara dhe i ushqente ato me mish pule.
Një natë djemtë vendosën ta ndreqin këtë gjendje të pabarabartë të punëve. Të armatosur me shkopinj fshesash, shufra të shtypshkronjës dhe mjete të tjera të tregut të tyre, ata iu vërsulën çdo maceje që mund të gjenin, duke filluar me la grise. Prijësi i grupit të tyre ia theu shtyllën kurrizore me një shufër hekuri dhe më pas e vrau, pastaj e futën në një kanal, ndërkohë që ustallarët i nganë macet e tjera nëpër tarraca, duke i plasur me çomange të gjitha ato që i arrinin dhe duke i kapur në kurth me thasë ato që përpiqeshin të arratiseshin. I zbrazën thasët me mace gjysmë të ngordhura në oborr dhe e gjithë punishtja u mblodh përreth dhe inskenoi një gjoja gjyq, të plotësuar me roje, prift për t’iu rrëfyer dhe një xhelat publik. Pasi i shpallën fajtore kafshët dhe u kujdesën për ritet e fundit, i lidhën ato në një podium të improvizuar, njerëzit në delir nga gëzimi, rrëmujë dhe të qeshura. Si mund të gjenin kaq shumë gëzim në një ritual të tillë të pështirë? ‘Ku është humori në një grup burrash të rritur që vërrasin si dhi dhe që përplasin fort veglat e tyre teksa një adoleshent ri-skenon therjen ritualistike të një kafshe të pambrojtur?’
Masakra e maceve padyshim ka shërbyer si një sulm indirekt mbi zotërinë dhe gruan e tij dhe shprehu urrejtjen e punëtorëve për borgjezinë: zotërinjtë i duan macet; për rrjedhojë punëtorët i urrejnë ato. Macet kanë zënë një pozicion të ekzaltuar në mënyrën borgjeze të jetesës, ndërkohë që mbajtja e kafshëve shtëpiake ishte po aq e huaj për punëtorët sa torturimi i tyre për borgjezët. Të kapura në kurth midis ndjeshmërish të papajtueshme, macet morën më të keqen e të dy botëve. Duke i ekzekutuar macet me një ceremoni të tillë të ndërlikuar, shtypshkruesit e shpallën zotërinë fajtor: fajtor për mundimin e tepërt të punës dhe mungesën e ushqimit për çirakët, fajtor që jeton në luks ndërkohë që ustallarët e tij i bëjnë të gjitha punët, fajtor që ikte nga dyqani në vend se të punonte dhe të ushqehej me burrat, ashtu siç zotërinjtë thuhet se bënin një brez apo dy më parë. Faji shtrihej nga bosi në të gjithë sistemin. Ndoshta duke bërë gjyq, rrëfim dhe duke varur një grumbull macesh gjysmë të ngordhura, punëtorët deshën të përqeshnin të tërë rendin juridik dhe shoqëror. Një gjysmë shekulli më vonë, artizanët e Parisit do të turreshin në kryengritje në mënyra të ngjashme, duke kombinuar kërdinë pa dallim me tribunale të improvizuara popullore. Do të ishte absurde ta shikonim masakrën e maces si përgatitje e fundit për shfaqjen e masakrave të Shtatorit të Revolucionit Francez, por shfrimet më të hershme të dhunës përnjëmend tregonin për një rebelim popullor, megjithëse mbeste i kufizuar në nivelin e simbolizmit. /Përgatiti për botim Xh. Shehu
Vijon…
