Licencimi i farmacistëve të rinj, afatet për testin e praktikës dhe të licencës

Pranvera Kola

Provimi i aftësimit praktik për qindra farmacistët e rinj që kërkojnë të sigurojnë lejen e ushtrimit të profesionit do të zhvillohet në nisje të muajit prill. Për të mos rrezikuar hyrjen në testin e praktikës, që të gjithë të diplomuarit në profilin e farmacistit gjatë viteve të fundit duhet të kryejnë regjistrimin përkatës pranë Urdhrit të Farmacistit.

“Afati i fundit i dorëzimit të dosjeve dhe i regjistrimit për provimin e vlerësimit të aftësimit praktik (VAP) do të jetë data 3 prill 2018. Ndërsa praktikantët që i nënshtrohen provimit të aftësimit praktik në mënyrë të përsëritur, duhet të paraqesin për regjistrim po brenda kësaj date kërkesën dhe mandatin e pagesës”, shkruan Dita.

Datat e testit të praktikës

Provimi i aftësimit praktik do të organizohet në ambientet e këtij urdhri datat 4 dhe 5 prill, sipas ndarjes së përcaktuar nëpërmjet numrit të dosjes së çdo praktikanti.

Në datën 4 prill do të paraqiten për të dhënë provimin të gjithë praktikantët me numër dosje 2627–2672.

Ndërsa në datën 5 prill do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 2673-2711, si dhe praktikantët që e kanë kryer praktikën në periudha të mëparshme.

Gara për licencat e reja

Që të gjithë farmacistët që kalojnë me sukses testimin e aftësimit praktik, përgjatë muajit maj do t’i nënshtrohen provës finale për sigurimin e licencës së ushtrimit të profesionit.  Regjistrimi i kandidatëve për provimin e shtetit të sezonit maj do kryhet në datat 6, 10, 11 prill, po pranë zyrave të Urdhrit.

Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar dosjen e dokumenteve që duhen për kandidatët, të cilët e japin për herë të parë këtë provim, teksa mbetësit duhet të rinovojnë vetëm disa prej dosjes së dokumenteve të dorëzuara më parë.

Autoritetet e këtij urdhri sqarojnë se: raporti mjeko-ligjor, vërtetimi nga prokuroria dhe dëshmia e penalitetit duhet të jenë të lëshuara gjatë tre muajve të fundit. Kandidatët, për t’u regjistruar duhet të paraqesin detyrimisht dëshminë e penalitetit, lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

 

Dokumentet që duhet të dorëzohen nga kandidatët që hyjnë për herë të parë për t’u regjistruar për provim shteti janë:

  • Formular aplikimi.
  • Fotokopje e kartës së identitetit.
  • Fotokopje e noterizuar e diplomës universitare dhe listës së notave.
  • Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës.
  • Dëshmi e pjesëmarrjes në praktikën profesionale (lëshuar nga UFSH në momentin e kalimit me sukses të provimit të VAP).
  • Dëshmi e kursit të ndihmës së shpejtë (lëshuar nga Kryqi Kuq Shqiptar).
  • Raport mjeko ligjor.
  • Dëshmi penaliteti.
  • Vërtetim nga prokuroria e rrethit qe nuk është në ndjekje penale.
  • Mandat pagesa në llogari të AKP.
  • 2 fotografi ( format pasaporte).

Dokumentet që duhet të dorëzohen nga kandidatët përsëritës për tu regjistruar për provim shteti janë:

  • Formular aplikimi.
  • Fotokopje e diplomës universitare.
  • Fotokopje e kartës së identitetit.
  • Raporti mjeko-ligjor.
  • Dëshmi penaliteti.
  • Vërtetim nga prokuroria e rrethit që nuk është për ndjekje penale.
  • Mandat pagesa në llogarinë e AKP.
  • 2 fotografi (format pasaporte).

p.k/dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *