Illo Foto, SHBA
Kooperativizmi enverist i përket të kaluarës , që nuk përsëritet. Në këtë shkrim, kam synim të sqaroj, cila ishte baza ekonomiko-sociale , që bashkoi 5 ish bashkësitë kooperativiste të vogla të krahinës së Rrëzës , në Lunxhëri. Fjala është për fshatrat: Karjan, Tavan ( A. Poçi), Hundëkuq , Tërbuq , 2 Labovat e Zhapës . Në kushtet e kooperativave bujqësore tipike enveriste , këto mikroekonomi kishin bashkuar pronat dhe mjetet e punës , për të jetuar në kooperativën bujqësore , pa pronë private, por me një kopsht personal prej 3 dynym dhe me 20 krerë bagëti të imta, ose një lopë. Vijonte kjo jetë për 4 vjet , por vlera e ditëpunës ishte shumë e ulët, 50-60 lekë të vjetra , për ditë pune dhe me tendencë ulje. Të gjykojmë se merrnin dhe nga kopshti personal 50 lekë të vjetra për ditë pune, vlera absolute e ditës së punës vërtitej te 100 lekë të vjetra , që konvertohet ne 3/4 kg mish kualitet i parë. Ky ishte një nivel varfërie, që nuk e kishin përjetuar ndonjë herë këto fshatra . Dëmtohej rëndë e ardhmja e gjeneratës .E bëj llogarinë me produktin mish, sepse nuk ka krahasim konvertimi monetar dhe tregu i të dy kohëve.
Nuk mund të jetohej kësisoj , prandaj 6 bij të kësaj treve u ulen , për një bisedim produktiv , se ç’duhej bërë, për të dalë nga kjo gjendje, me mjetet ligjore, që ofronte koha . Lunxhëria dhe pjesa e saj veriore , Rrëza, në kthesat historike, kanë nxjerrë bij, që u kanë lehtësuar dhimbjen, siç e kanë lypur rrethanat . Këtë radhë këta bij të shquar, të kësaj krahine ishin: Timo Muçi, nga Cetvogla , Koço Toti nga Labova e madhe e Zhapës . Të dy dalloheshin për inteligjencë natyrale dhe shpirt të vetëveprimit. Kishin drejtuar ndërmarrje ekonomike të kohës, në qytet. Kosta Karamani , ish përfaqësues i komunitetit vllah , që dimëronte bagëtitë në tokat e fshatrave të Rrëzës ; njeri komunikues , bashkëpunues dhe i sakrificës. Nga ana profesionale e blegtorisë shtegtuese , ishte një Ndin Jano, i vogël. Sotir Qirjazi , nga Hundëkuqi, një burrë babaxhan, bujk , që i është dhimbsur vendi ; partizan , që rrëmbeu pushkën, në orët e para të rezistencës antifashiste dhe doli malit. Pas luftës la pushkën dhe kapi parmendën me të njëjtin vullnet dhe përkushtim. E la qytetin, që iu ofrua pas lufte dhe u vendos përjetësisht në fshatin e dashur, që e rriti dhe i dha frymë atdhetare. Nuk mbahej mend as një zënkë , as një mëri , asnjë pakënaqësi të shprehur nga Sotir Qirjazi . Ishte njeri paqësor dhe shume shoqëror. I përkiste të ardhmes .
Në Karjan fshatrat e Rrëzës , kanë gjetur historikisht përkrahje dhe miqësi tradicionale . Kanë pasur marrëdhënie krushqie dhe farefisnie . Kjo miqësi tradicionale u përforcua edhe nga bamirësi labovit, Vangjel Zhapa , i cili nuk e ndante Karjanin nga fshatrat e Rrëzës. Në gjurmë të kësaj ngjashmërie, ai ndërtoi rrugën me kalldrëm , që quhet “Shkalla e Karjanit“. Përpara se të bëhej kjo rrugë lidhja e Rrëzës me Karjanin ishte shumë e vështirë, sepse terreni ishte i rrëshqitshëm. Rrëza është Lunxhëria veriore . Në Karjan, në mes të viteve ‘60 të shekullit të kaluar, kanë qenë në parinë e fshatit Kiço Kuçi dhe Simo Vasi. Burra inteligjentë, punëtorë dhe nismëtarë së të resë përparimtare. Të dy ishin agronomë pa diplomë.
Te 6 këta burra , u mblodhën , për të menduar si do të ecte krahina , në vitet e periudhës,në mes të viteve 60 të shekullit të kaluar . Ishte koha , kur kooperativizmi ekstrem i kohës ishte shtrirë në tërë vendin , por ende ish kooperativistët kultivonin një kopsht personal dhe një lopë ose 20 krerë bagëti të imta. Këto “privilegje”, kontrolloheshin periodikisht . Më kujtohen edhe sot, grupet vullnetare, që numëronin bagëtitë, periodikisht, në se kalonte numri me ndonjë viç, qengj, ose kec. Sado pak, gjykohej se familja kooperativiste siguronte një të ardhur me gati 50 lekë të vjetra për dite pune nga kopshti personal dhe lopa. Shqetësuese ishte mëditja kooperativiste, që në fshatrat tona të Rrëzës plus Karjanin dhe fshati vllah te “A. Poçit” historikisht patën ndërtuar një standard jetese të qëndrueshëm.
Gjendja duhej të ndryshonte për mirë, brenda ligjeve të kohës . Nën drejtimin e cetvoglasitit , Timo Muçi , u mblodh grupi nismëtar , me burrat që lartpërmendëm, si përfaqësues legjitimë të secilit fshat të Rrëzës , të Karjanit dhe të fshatit vllah “Andon Poçi “ . Pati diskutime të gjata dhe të pa frytshme , në 3 ditët e para . Secili nismëtar mendonte se prekeshin interesat e fshatit të tij . Të tërë ishin dakord, që ekonomia e bashkuar do të merrte drejtim blegtoral , sepse ishte më e qëndrueshme , në të ardhura , në secilën ekonomi të veçuar. Zhvillimi blegtoral, kishte një pengesë serioze. Kullota dimërore Mishana – Tavan – Mbavrambel, Gorica e Mingës, ndërpritej nga kullota vjeshtake “Odrie”, që shtrihej në këmbët e fushës së Çajupit dhe Dhovisë së Labovës. Pretendime për pronësi të kësaj kullote kishte Erindi dhe Zagoria. Pa Odrien zhvlerësoheshin dhe kullotat dimërore dhe ato verore të Nemërçkës (Biseji).
Në kuvendin e 6 burrave u vendos , që bashkësia e re kooperativiste të mbante emrin “Odrie”. Emri i kooperativës së bashkuar u miratua unanimisht në Këshillin e Komitetit të rrethit. Këshillit as i shkonte ndërmend se emri i ekonomisë , kishte lidhje me pronësinë e kullotës . Kullota e famshme vjeshtake (Shelegare), ligjërisht u bë pronë e kooperativës së bashkuar “Odrie “ , por këtu lindi zilia, smira dhe ashpërsimi i luftës brenda llojit . U zgjuan fqinjët, që kishin pretendime pronësore ndaj kësaj kullote. U paraqitën ankesa nga ekonomitë e Zagories dhe Erindit . Diskutim i gjatë dhe i ashpër. Gjyqi ia dha pronësinë mbi kullotën Odries, ekonomisë së zgjeruar të Rrezes.
Në kufijtë e kullotave janë vrarë shumë shqiptarë. Të tilla sherre ka kudo, ku zhvillohet blegtoria, veçanërisht ajo nómade. Regjimi Enverit i eliminoi pronën mbi tokën dhe kullotat, por i ruajti të tëra hartat kadastrale, që trashëgoheshin nga perandoria Osmane , duke marrë parasysh , që vetëm ligji osman ishte në fuqi për tokën. Sherri i ngritur, nuk u mbyll lehtë, por pagëzimi i kooperativës, mbeti argumenti më i besueshëm . Me Odrien (rreth 300 Ha) krijohej zonaliteti vertikal i kullotave, që fillonte në Tavan , vijonte ne Odrie dhe përfundonte në kullotat e bukura të Biseit 1100 metra mbi nivelin e detit. Kullotat e Biseit përbëheshin nga shumë pllaja, kodrina dhe lugina të veshura me bimësi të përzier polifite, që vegjetojnë , nga qershori deri në nëntor. Gjelbërim pa fund, sikur e ka krijuar një dorë për kullotë delesh. Një Bisej ka Shqipëria. Është një leksion për ekologjistët, blegtorët, mjekët, të sëmurët dhe qeveritarët. Bisei është balli i vendeve, që kanë vlera turistike të panjohura. Këto dukuri, unë i kam vrojtuar te delet që verojnë në këtë parajsë konkrete tokësore. Delet kthehen në kullotën dimërore të shëndetshme, të shëruara dhe të tëra barsa. Bisej, si të tëra kullotat verore mbi 1100 metra mbi nivelin e detit, siç është dhe Çajupi, kanë nevojë të studiohen, për befasinë që paraqesin në mjekësinë pa medikamente . Këto zona, mund të quhen spital ekologjik. Mjeku i famshëm Thoma Zhusti i këshillonte pacientët me TBC të jetonin një muaj në vathën e deleve në Çajup. Ktheheshin me mushkri të rigjeneruara .
Ish Kooperativa “ Odrie” shtrihej në një sipërfaqe totale rreth 10 mije Ha, nga të cilat 3 mijë Ha ishin kullota, 350 ishin tokë bujqësore, së bashku me kopshtet. 100 Ha ishin pemëtore dhe diferenca pyje, toka gurore dhe të tjera inproduktive . Në këtë sipërfaqe nuk përfshihej Bisej, që ishte pronë shtetërore.
Pak a shumë folëm se si shfrytëzohej resursi kryesor, që ishte delja dhe kullotat. Toka bujqësore mbillej me drithë dhe gjatë dimrit me kultura të dyta foragjere. Bujqësia dhe blegtoria ishin kooperuar në mënyrën më natyrale të mundshme. Çdo institut shkencor nuk do të gjente as një alternativë tjetër në këtë kooperim të kalkuluar vetëm me praktikën jetësore .
Cilat ishin resurset e tjera? Në ditët kur bimët mjekësore ishin të maturuara, jashtë punës në kooperativë, lejoheshin të grumbullonin privatisht lule bliri, shtog, sherbelë dhe rrënjët e shqopës . Damarët e baltës argjilore, ishte një resurs me shumë vlera . U ngrit kantieri i prodhimit të tullave dhe tjegullave, një burim i mirë të ardhurash. Punishtja e prodhimit të gëlqeres, u bë një tjetër veprimtari, që sillte të ardhura dhe kontribuonte ndjeshëm edhe në pastrimin e pyllit, sepse përdoreshin mbeturinat për zjarr, siç përdoreshin edhe shkurret, që rezultonin nga pastrimi i kullotave . Guri është një resurs potencial i zonave të tilla. Guri përdoret në të tëra fazat e ndërtimit të banesave dhe të rrugëve . Të tëra rrëketë e ujërave derdheshin në rezervuarët ujitës. Kjo është një rutinë që kërkon ndërgjegjësim qytetar .
Pastrimi i kullotave dhe mirëmbajtja e pyjeve merrej përsipër nga ekonomia , por të kemi parasysh , që këto veprimtari financoheshin nga buxheti i shtetit. Pylli , në të tëra rastet , mbetet një thesar i rëndësishëm , për të realizuar të ardhura , në shumë degë, që nga rritja e shpendëve të pyllit, krimbi i mëndafshit , kërpudhat , lulet mjekësore , rrënjët e shkurreve, gjethet, për plehërim , bletët , gjahu, lënda drusore dhe drutë e zjarrit .
Kullotat , pylli , bagëtia e imtë , ishin drejtimi kryesor ekonomik i Bashkësisë “Odrie “, por gjithçka u programua mbi mundësinë , që kishin të përballonin me punë njerëzore, punë të kafshëve te punës dhe mekanizmat , që disponoheshin . Ekonomia bujqësore kishte zgjedhur të tëra strukturat , sipas ligjeve të kohës, por drejtimi , në thelb, mbeti në 6 nismëtarët, që ruajtën unitetin dhe frymën, për t’i shërbyer me përkushtim bashkëfshatarëve . Koordinator i punës midis fshatrave u caktua karianjoti , Kiço Kuci, bujku i regjur, që e nxirrte bukën nga guri .
Ekonomia me rreth 1200 frymë, prej tē cilëve 500 krahë pune , arriti të siguronte vlerën 150 lek të vjetra për ditë pune, por nga kopshti personal siguroheshin rreth 60 lekë. Vlera reale e ditës punës rezultonte mbi 200 lekë të vjetra, që mund të blejë gati 1.7 Kg . mish ose , 5 kg bukë gruri . Në ç’do kohë ekonomia ka pasur uri , për forca pune . Papunësia ka qenë në shifra statistikore negative . Kjo mirëqenie relative u ndërpre, kur shteti monist kolektivizoi kopshtin dhe oborrin personal të bagëtive .
Ky standard jetese , u arrit nga puna vetëmohuese e 6 nismëtarëve, aftësive të tyre , për të mobilizuar njerëzit si dhe inteligjencës , pjekurisë , njohjes së thellë të punëve të bujqësisë , blegtorisë dhe të tëra resurset e fshatit . Një ndër pengesat frenuese të mos përparimit të mëtejshëm të bashkësisë ishte sistemi politik . Kjo ishte jo vetëm pengesa më e madhe , por dhe e vetme . Nuk kishte rregulla fiskale dhe ligje ekonomike . Ekonomia kishte marrë karakter ideologjik, duke shpërfillur jetën reale të prodhuesve dhe ish pronarëve, që mbetej poshtë ç’do mundësie rigjeneruese .
Në kushtet e sotme një bashkësi identike , do të ishte shumë herë më e suksesshme. Pse? Bazohet në pronën private dhe në interesin personal . Mjafton të përcaktohen objektet e punës dhe sipërmarrësit fshatarë, ose specialistë, punojnë, për interesin e ngushtë të tyre . Të tërë interesat individuale , përbëjnë bilancin e ekonomisë . Edhe kur je punëtor me mëditje, përfshihesh në interesin e punës së përbashkët , nga ku rrjedh dhe mirëqenia jote. Përveç punës në terren, secili shpërblehet dhe për tokën, që ka futur në bashkësi si dhe mjetet e punës, fjala vjen kafshët e punës, traktorë dhe kamionë. A është kjo madhësia optimale e bashkësisë? Kjo është madhësi , që është provuar , por do të varet se ç’detyra i vë vetes bashkësia, brenda bilancit të investimeve , të fuqisë punëtore dhe mjeteve të mekanikës.
Në zonën kodrinore sipërmarrja bujqësore, si kjo, që sipër treguam është shume më e mundshme se në zonën fushore, ku problemet e kullimit dhe sistemimit të tokës , përbëjnë një problem të pa kapërcyeshëm nga ç’do lloj bashkësie e veçantë. Kërkojnë bashkërendim të punëve, në shkallë të gjerë , deri te emisari kryesor i kullimit të një zone të caketuar, që në shumicën e rasteve shtrihet dhe në njësitë administrative fqinje .
Shqipëria nuk eshte Myzeqeja dhe Maliqi . Ngjashmërinë me Odrien dhe Lunxhërinë , e kanë 2/3 e fshatrave të Shqipërisë . Në rast se sot do të krijohej një sipërmarrje bujqësore në Odrien e dikurshme, me fizionomi kapitaliste , vlera e ditës së punës të pa specializuar , do të vërtitej te 2 mijë lekë të reja dhe, ndoshta 3 mijë për mjeshtëritë bujqësore , frutore dhe blegtorale . Mëditjet i parashoh në analogji me analizat e atyre të arritura në kushtet e mungesës së lirisë ekonomike , që i kam kumtuar më sipër . Ekonomia do të ishte e çliruar nga kufizimet ideologjike dhe do të zhvillohej në mënyrën më natyrale , që dikton tregu. Këto mëditje do të vijnë në rritje dhe në përshtatje me nivelin e jetesës në shkallë shteti, për të arritur hap pas hapi, në standardin zviceran. Zhvillimi nuk realizohet vetëm me muskuj , por me shumë me shkencë dhe me shembuj të ngjashëm, që quhen përvojë . Zhvillimi bujqësor ndjek parimin e enëve komunikuese . Në monizëm reklamohej përvoja fushore . Ç’do mësonte Progonati nga bujqësia e Krutjes?
Bukuritë natyrore , domosdoshmërisht duhet të mbështeten me prodhim bujqësor, blegtoral dhe frutikulturë të qëndrueshme dhe mbi baza “ bio”. Po paraqes një fragment nga një shkrim i Gjike Kurtiqit, për Vithkuqin , botuar në gazetën “Dita “, shkurt 2018 : “Cili vendbanim ka një bukuri të tillë natyrore, me kaq shumë pyje, livadhe, kodra e kodrina të bleruara, gurra,katarakte, kroje e burime me ujë të kristaltë si Vithkuqi?! Cili vizitor i huaj e ka kaluar verën në Vithkuq dhe nuk është larguar prej tij me bindjen se do të kthehet përsëri?! “
Të ngjashëm me Vithkuqin, janë shumica e fshatrave malore- kodrinore të Shqipërisë. Sipërmarrësit dhe drejtuesit duhet të gëzojnë cilësitë e 6 burrave, që drejtuan ish bashkësinë “Odrie “ dhe gjetën zgjidhje , brenda nje regjimi , pa liri të pronës dhe të personit . Në kushtet e sotme , kur përjetojmë shpopullimin e fshatit malor , shembulli i “Odrie “ –s , është në tavolinë, për zbatim origjinal, përshtatur kushteve të sotme të fshatit kapitalist.
