KORRUPSIONI, TASHMË NJË OKTAPOD QË PO NA MBYT

anazapta

Raporti i TI, pёr ne shqiptarёt, nuk ishte rrufe nё qiellin e pastёr. Realisht ishte njё konfirmim i TI pёr atё shёmtim qё shqiptarёt kanё parё e denoncuar pёr vite me radhё. Jo vetёm kaq, por edhe kanё paguar njё faturё financiare qё kalon shumёn e 1.2 miliardё euro, pёr katёr vitet e qeverisjes Berisha-Meta. Tashmё shqiptarёve iu duhet tё pranojnё edhe faqen e nxirё, si qytetarё qё qeverisen nga njё Qeveri thellёsisht e korruptuar. Dhe kjo jo vetёm pse e konfirmoi TI, por pse realiteti ёshtё shumё mё i hidhur nga çfarё paraqet TI, shumё herё mё dramatik se sa dalja jashtё zonёs sё Europёs nё renditjen e qeverisjeve tё korruptuara. Ёshtё dramatike sepse qё nga viti 2007 nё veprimtarinё e institucioneve qeveritare korrupsioni ka arritur shkallёn mё tё lartё tё pjekurisё, ka fituar statusin e njё fenomeni dhe veprimtarie qeverisёse normale. Korrupsioni tek ne i ngjan njё makine gjigande tё panceruar, qё pa pushim gёlltit para, toka, dete, qiej, institucione dhe jetё njerёzish. Nё kёto vite korrupsioni ka pёsuar njё ndryshim tё dukshёm nё forme, nё pёrmbajtje, nё paraqitje, nё intensitet dhe nё shtrirje. Jane kёto ndryshime qё e kanё shndёrruar korrupsionin nga njё zakon i keq i nёpunёsve nё njё kategori/normё filozofike, politike e juridike tё platformёs qeverisёse dhe e kanё shndёrruar atё nё Superinstitucion.

 

Arritjen e kёsaj gjёndjeje cilёsisht tё re tё korrupsionit e provojnё tiparet e shfaqjes sё tij nё veprimtarinё e pёrdithsme tё institucioneve qeveritare dhe shtetёrore. Pёrfundimisht duhet tё pranojmё se jemi populli mё fatkeq nё Europe, sepse tashmё korrupsioni nga perceptim ёshtё shndёrruar nё njё realitet tё dhimbshёm, poshtёrues, grabitёs dhe vrasёs. Akoma mё zi, cdo ditё qё kalon statura e korrupsionit bёhet mё e shёmtuar, mё asfiksuese dhe mё vrasёse pёe ekonomine dhe pёr tё gjithё shqiptarёt. Ёshtё detyrё qytetare dhe profesionale e kujtdo, i cili merr pёrsipёr tё flasi mbi nivelin e korrupsionit nё Shqipёri, te jetё realist, i pёrgjegjshёm dhe i sinqertë. Kjo sepse pasojat prej veprimtarisё sё korrupsionit janё tё shumta, tё rёnda nё çdo fushё tё veprimtarisё qeverisёse. Kostot e pasojave kanё njё faturё financiare shumё miliardёshe dhe shpesh herё pasojat pothuajse janё tё pandreqshme.

 

Korrupsioni ka prekur institucionet ligjvёnёse dhe ky lloj korrupsioni ёshtё mё i rrezikshmi se cdo lloj forme korrupsioni tё cfaqur mё parё. Ёshtё mё i rrezikshmi sepse kthehet nё shtrat, nё udhёzues dhe nё mburojё pёr korrupsionin nё tё gjitha nivelet qeverisёse, nё tё gjitha fushat deri tek korrupsioni individual. Parlamenti ka miratuar dhe miraton ligje qё shёrbejnё si jelek antiplumb pёr qeveritarёt e korruptuar. Duke mos lodhur lexuesin me çfarё ka ndodhur derisot, mjafton tё kujtojmё qytetarёve lexues(por jo vetёm atyre) se si u miratua Ligji “Pёr privatizimin e Albpetrol sha” pa asnjё konsensus politik e qytetar dhe mbi tё gjitha me Anekse tё bardha si dhuratё pёr qeveritarёt e korruptuar. Qeveria miraton vendime tё saj qё i hapin rrugё interesave korruptive, duke shpёrdoruar e vjedhur burime financiare tё konsiderueshme e mbi tё gjitha duke shkatёrruar tёrё pasuri tё dhe burimet natyrore tё vendit. Shёmbulli mё i keq, me njё faturё dёmesh kolosale qё shtohen dita ditёs, janё vendimet e panumurta tё Qeverisё pёr dhёnien me koncension tё pasurive ujore, minerale etj… Tashmё shqiptarёt po ndeshen me dukuritё negative tё kёsaj veprimtarie, por nё njё tё ardhme tё afёrt shkalla e dёmit tё shkaktuar prej qeverisё do tё jetё tmerruese dhe e pa riparueshme. Ministrat, duke marrё kompetenca qё Kushtetuta e Shqipёrisё ia ka dhёnё Parlamentit dhe Qeverisё, kryejnё veprime tё jashtёligjshme qё kutёrbojnё erё tё rёndё korrupsioni me pёrmasa tё mёdha dhe pasoja dramatike.

 

Mjafton tё kujtojmё se Kontrata koncensionare e Minierёs sё Kromit Bulqizё, e miratuar me ligj nё Parlament, ndryshohet me njё urdher Ministri dhe produkti i kёsaj veprimtarie tё paligjshme ёshtё rreziku i mbylljes tё minieres sё kromit dhe asfiksimit tё jetёs sё Qytetit Minator tё Bulqizёs. Rastet qё unё pёrmenda flasin qartё qё institucionet ligjvёnёse (e kam fjalёn pёr Parlamentin qё miraton ligjet, pёr Qeverinё qё miraton vendimet e KM dhe Ministrat qё nxjerrin urdhёra) janё pushtuar nga korrupsioni. Korrupsioni na ka kushtuar para, na ka kushtuar jetё njerёzish, por tashmё rrezikon tё na gllaberojё tёrёsisht si shoqёri dhe si institucione. Nёse do tё lejojmё qё kjo tё ndodhё, atёhere ne do tё rrimё nё kёmbё vetёm nёse na lejon kucedra korrupsion, do tё shikojmё me sytё tanё vetёm kur dhe pёr aq sa na liron pamjen perdja e hekurt e korrupsionit, do te marrim frymё kur tё na lirojё fytin oktapodi korrupsion. A duhet tё heshtim dhe tё pranojme njё fakt tё tillё, kaq tronditёs, kaq ogurzi pёr Shqipёrinё dhe shqiptarёt? Heshtja ёshtё e pa pranueshme. Denoncimi, lufta dhe rezistenca ndaj kёsaj kucedre, qё e ka emrin korrupsion, ёshtё detyrё dhe dinjitet pёr kёdo qe quhet Qytetar Shqiptar.

 

Korrupsioni na ka kushtuar para, na ka kushtuar jetë njerëzish, por tashmë rrezikon të na gllaberojë  tërësisht si shoqëri dhe si institucione

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *