KED zhvillon mbledhjen e parë

Ornela

Këshilli Emërimeve në Drejtësi (KED) ka zhvilluar mbledhjen e tij të parë që pas përzgjedhjes me short të anëtarëve të tij në Dhjetorin e vitit të shkuar.

Në mbledhjen ku kanë qenë të pranishëm Avokatja e Popullit dhe 2 përfaqësues të komisionit të ligjeve, Ulsi Manja e Enkelejd Alibeaj, si dhe një përfaqësues nga Presidenca dhe një nga Kuvendi, janë marrë në dorëzim dhe aplikimet e kandidaturave për 3 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Por anëtareēt e KED pavarësisht se tashmë do të kenë dokumentacionin e nevojshëm, e kanë të pamundur që të marrin në shqyrtim kandidaturat për 2 vendet vakante në Kushtetuese që përzgjidhen nga Presidenti dhe 1 tjetër që i takon të përzgjidhet nga Kuvendi.

Përpara se të nisë ky proces të gjithë anëtarët e këtij organi të ri duhet të kalojnë Vettingun. Çka do të thotë se Gjykata Kushtetuese do të vazhdojë të qëndrojë në ngërç me mungesën e 3 anëtarëve të saj.

Maxhoranca përmes kryetarit të komisionit të ligjeve, Ulsi Manja, është shprehur se pavarësisht situatës ku ndodhet Kushtetuesja, do të respektohet fryma e Kushtetutës dhe do të pritet që komisionet e Vettingut të shprehen për të gjithë anëtarët e këshillit të emërimeve në drejtësi.

Ligji themeltar i shtetit parashikon që të gjithë kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të filtrohen dhe renditen në një listë që i çohet Presidentit, kur përzgjedhja i takon këtij institucioni apo Kuvendit në rastin kur anëtari zgjidhet me votim në parlament.

Në rast se ky i fundit nuk mundet që të zgjedhë me 3/5 një nga kandidatët, atëherë anëtar i Gjykatës Kushtetuese automatikisht zgjidhet kandidati i listuar i pari nga KED.

Tv Klan ka mësuar që këtë javë komisionet e Vettingut do të nisin dëgjimin e anëtarëve aktualë të Gjykatës kushtetuese, pasi kanë shqyrtuar dokumentacionin shkresor për ta.

o.j/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *