Pagesa e papunësisë kushtëzohet nga periudha e kontributeve të derdhura në sigurimet shoqërore (derdhur nga punëdhënësi). Vendimi i miratuar një ditë më parë nga Qeveria përcakton se: “Kohëzgjatja e kësaj pagese do të jetë 3 muaj për personat me një periudhë kontributi të paktën 1 vit, 6 muaj për personat me një periudhë kontributi të paktën 3 vjet, 9 muaj për personat me një periudhë kontributi të paktën 5 vjet, si dhe 12 muaj për personat me një periudhë kontributi mbi 10 vjet”.
Femrat që janë mbi moshën 55 vjeç dhe burrat mbi 60 vjeç, do të përfitojnë pagesë papunësie për 12 muaj rresht, me kusht që të kenë kontribuar një vit në sigurimet shoqërore për çdo rast përfitimi.
Për rastet e paraqitjes së kërkesave të përsëritura për përfitim, llogaritja e periudhës së kontributeve fillon me përfitimin e fundit të pagesës të të ardhurave nga papunësia.
Masa e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia për çdo përfitues është 50 për qind e pagës minimale në shkallë vendi. Në këto kushte, personat që plotësojnë kushtet për përfitimin e së ardhurës nga papunësia, kanë të drejtë të marrin të ardhura shtesë familjare mbi masën e nivelit bazë.
Këto të ardhura vijojnë në masën 5 për qind të të ardhurave nga papunësia për çdo fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, si dhe për personat që janë duke vazhduar studimet, ose janë të paaftë (KMCAP) deri në moshën 25 vjeç.
Shtesa familjare për çdo fëmijë në masën 5 për qind të nivelit bazë nuk duhet të jetë më shumë se 30 për qind. Fëmijët mbi moshën 15 vjeç (mosha minimale sipas Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë), të cilët janë në ngarkim të personit përfitues të së ardhurës nga papunësia dhe që nuk janë të përfshirë në sistemin arsimor nuk do të përfitojnë shtesën familjare prej 5 për qind.
Kur prindërit janë të divorcuar me vendim gjykate, shtesën familjare e merr prindi që ka fëmijën në ngarkim.
Dokumentacioni që duhet të dorëzoni
Personat që aplikojnë për të përfituar të ardhura nga papunësia, duhet të paraqesin dokumentacionin si në vijim: “Kërkesë për aplikim, librezë pune, dokument identiteti fotokopje, vërtetim për ndjekjen e arsimit të mesëm, për fëmijët në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, dhe për personat që ndjekin arsimin e lartë, apo janë të paaftë (KMCAP), deri në moshën 25 vjeç”.
Ndërsa vetë zyrat e punësimit kanë përgjegjësinë të sigurojnë për secilin aplikues dokumentacionin si në vijim: “Certifikatë të gjendjes familjare, vërtetim nga dega e tatim-taksave se personi nuk është subjekt i regjistruar pranë këtyre organeve, vërtetim nga dega e tatim-taksave ose e sigurimeve shoqërore se personi ka derdhur kontribute për periudhën e kërkuar, shkruan Dita.
p.k/dita
