Mbretëresha e stilit, Coco Chanel, dikur ka thënë: “Kur është fjala për aksesorët, para se të dilni nga shtëpia, hiqni gjënë e fundit që keni vënë”.
Reçipetat mund të mos kenë qenë “aksesori” i fundit për Rita Orën para se të dilte nga shtëpia, por kanë qenë i pari për të cilin ka ndërruar mendje pak pasi ka dalë. Këngëtarja 22-vjeçare është parë duke dalë nga hoteli “Soho” me një fustan të zi të gjatë, poshtë të cilit mbante në mënyrë të dukshme një palë reçipeta të verdha neon, por disa minuta më pas, të brendshmet “ulëritëse” u zhdukën nga luku i saj.
Rita po qëndron në Nju Jork, ku është bërë pjesë e fushatës publicitare për markën e veshjeve DKNY. Mesa duket, këngëtarja me origjinë nga Kosova po përpiqet të ecë në hapat e shoqes së saj të ngushtë, modeles Cara Delevingne, e cila në pak kohë ka fituar famë botërore.
Me serinë e fotove që do të bëhen pjesë e fushatës së DKNY, Rita e çon në dy numrin e fushatave publicitare për një markë veshjesh. Më parë, ajo ka qenë fytyra e “Material Girl”, marka e veshjeve të adoleshentëve, që menaxhohet nga Madona dhe vajza e saj, Lourdes.



