Xhevdet Shehu
Ndërsa procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë sapo ka nisur, vërehet se ka një tronditje të madhe në radhët e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Pse? Fare e thjeshtë: atyre po u verifikohen pasuritë përrallore të tundshme e të patundshme brenda dhe jashtë vendit, të cilat ata nuk i justifikojnë dot. Është e pamundur që të besojë kush se ato pasuri janë vënë me djersë dhe në rrugë ligjore, sikurse ka ndodhur në rastin e shifrave të cituara për pasuritë e ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, të pezulluar nga detyra pak ditë më parë, apo të gjyqtarit Artan Broci etj.
Duke qenë lehtësisht më e dukshme dhe më e kontrollueshme çështja e pasurive, ndaj dhe është shkaku i parë për t’i ndëshkuar.
Ndëshkimi i parë, i natyrshëm dhe i butë, është përjashtimi nga sistemi për të mos ushtruar profesionin e tyre për një kohë të caktuar që shkon nga disa vite deri përgjithmonë. Deri diku, këtë edhe e pranojnë gjyqtarët dhe prokurorët tanë. Kjo ndodhi para tri javësh me ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili hoqi dorë nga procesi i vettingut dhe që u “ndëshkua” nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me ndalimin për 15 vjet për të mos ushtruar detyrën e magjistratit.
Ndëshkimi i dytë vjen natyrshëm pas të parit: sekuestrimi i pasurive. Sikurse kemi treguar herë pas here dhe me emra konkretë, janë dhjetëra llogari bankare, sidomos jashtë shtetit. Kjo natyrisht është më e vështirë për t’u verifikuar, por jo e pamundur. Ky ndëshkim e rëndon së tepërmi pozitën e tyre dhe sidomos qëndrimin e mëtejshëm në vend. Sepse, pas ndëshkimit të dytë, mund të vijë i treti, domethënë arrestimi dhe burgu. Pasuritë e tyre mund të jenë pasuri kriminale, të lidhurave vendime të padrejta për të fshehur para droge dhe korrupsioni të madh. Këtë ndëshkim ata nuk mund ta gëlltisin lehtë.
Atëherë, çfarë mbetet të bëjnë? Sjellim ndërmend disa raste të viteve më parë. Në vitin 1997 pati disa arratisje të bujshme nga Shqipëria: ikën për t’u strehuar në vende të ndryshme të botës nga Azia deri në Amerikën Latine disa bosë të firmave piramidale të asaj kohe. Po para se të arratiseshin vetë, ata kishin arratisur paratë, miliona dollarë dhe euro… Edhe sot e kësaj dite ata gjenden andej… Po atë vit u arratisën ish-shefi i SHIK-ut, Bashkim Gazidede dhe ish-zëvendësministri famëkeq i Brendshëm Agim Shehu, të cilët ishin përgjegjës për një sërë krimesh që kishin ndodhur në vend gjatë viteve 1996-97, sidomos për udhëheqjen e operacioneve kundër popullit të rebeluar në pranverën e 97-s. Po bashkë me ta dhe duke ndjekur shembullin e tyre, ikën edhe qindra ish-punonjës të SHIK-ut dhe të administratës shtetërore të asaj kohe të implikuar në krime. Pasardhësi i Gazidedes në krye të Shërbimit Informativ, Fatos Klosi ka treguar se si e gjeti situatën në institucion: pa njerëz, pa dosje, pa dokumente. Ia kishin mbathur duke lënë prapa gjurmët e krimit…
Me reformën në drejtësi, me procesin e vettingut që të gjithë po ndërgjegjësohemi se është duke ndodhur një tërmet jo i zakonshëm. Kur Kryeministri i vendit thotë se “nuk kini parë gjë akoma”, duhet besuar. Shenjat e para janë dhënë. Kundërshtarët e reformës në drejtësi janë veçanërisht të shqetësuar nga ajo çka pritet të ndodhë. Disa po vetëpërjashtohen, disa po pezullohen, disa edhe mund të arratisen nga frika e arrestimeve. Është domethënës fakti që pasuritë e tyre monetare i kanë investuar në banka të huaja, duke i paraprirë çdo të papriture. Pra apo ia mbathin ata? Precedentët kështu flasin. Por ata nuk duhet lënë t’ia mbathin. Është koha e duhur për ta penguar një fenomen të tillë të përsëritet…
Mirëpo, duket se është parashikuar edhe kjo gjë. Ndalimi i hyrjes në SHBA për Adriatik Llallën është i qartë dhe mund të pasohet nga të tjerë. Këtë e la të nënkuptohet gjatë vizitës së ditëve të fundit në SHBA edhe ministri i Brendshëm në takimet që pati në Departamentin e Shtetit dhe drejtues të FBI-së.

Jo vetem tu ndalohet hyrja ne SHBA por edhe ne BE,pbte arrihet kjo do shikoni si do u vien veshet te gjithe atyre qe Kane vjedhur,vrare e masakruar kete popull e vend.Si u fut opozita ne kuvend e miratoje vetingun vetem me presionin se do te ndalohej hyrja ne BE e SHBA.Vetem keshtu ATA mund te ndryshoje pak osevte cohet ai NGA vari e te ben gjemen,ai scohet me ndaj livadhisin metà.
Gjyqtaret, prokuroret, nepunesite qe kane pasuri te pa justifikushme mbi 100000 dollare, do te bejne mire t’i dorezojne qe sot ne buxhetin e shtetit, qe neser kur te jene nen procesin e vetingut, te jene te lare, pasi pas vetingut nuk do te quhet larje