Hapet edicioni i IX i panairit “Work & Study”

redaktor

 

I kthyer tashmë në një traditë, u çel sot më 28 mars 2018, në ambientet e Pallatit të Kongreseve edicioni i IX i Panairit “Work & Study”, i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve.

Në këtë panair marrin pjesë mbi 60 kompani dhe universitete e institucione të ndryshme, të cilat ofrojnë mbi 3000 vende të lira pune, dhe mundësi shkollimi. Gjatë tre ditëve të panairit afrohet mundësia reale për të patur një punë në treg.

Në hapjen e panairit, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zoti Nikolin Jaka duke falenderuar të gjithë kompanitë që janë bërë pjesë e këtij eventi u shpreh se “tashmë ky panair është kthyer në një traditë dhe vlerë të shtuar për vendin. Këtë e dëshmon dhe fakti që sot vijmë në edicionin e IX të tij”.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe partnerët e përhershëm të saj, ndërsa deklaroi se ky panair mundëson që në një çati të dialogojnë bashkërisht biznesi, akademia, studentët dhe qytetari.

“Krijohet një mundësi konkrete për kompanitë ekspozuese ne këtë panair që të njihen më mirë me ofertën e tregut të punës. Punëkërkuesi, punonjësi apo çdo individ i lirë është një tjetër fokus i panairit  Work&Study, duke ofruar një mundësi për t’u përballur me tregun e punës, për te prezantuar veten nëpërmjet intervistave  pranë këtyre kompanive. Ju uroj suksese, pasi kemi nevojë më shumë se kurrë për një treg kompakt dhe për burime njerëzore profesionale”, theksoi Jaka.

Jo vetëm ne tre ditët e këtij Panairi por edhe gjatë gjithë vitit 2018 do të  nxitim kërkesë ofertën më të mirë për punësimin, studimin dhe arsimin profesional. Pas institucionalizimit të këtij panairi të kthyer në traditë këtë vit sjellim për ju portalin workstudy.al, platformë e cila është aktive dhe do të jetë në dispozicion të punëdhënësve dhe punëkërkuesve gjatë gjithë vitit me shpresën e kthimit në një pikë reference për kërkesat që ka sot tregu ynë”, u shpreh ai.

Nga ana e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e vlerësoi atë si një mundësi shumë e mirë për të bërë të mundur komunikimin mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve, posaçërisht në sektorin privat. Veliaj theksoi se Tirana gjeneron më shumë se gjysmën e ekonomisë së vendit.

“Jam i lumtur që kjo ndodh në Tiranë. Kryeqyteti në fakt gjeneron rreth gjysmën e GDP-së të gjithë së Shqipërisë. Unë jam entuziast për faktin që Tirana jo vetëm gjeneron gjysmën e ekonomisë, por është përgjegjëse për gjysmën gjithashtu të punësimit në Republikën e Shqipërisë. Teksa Tirana bëhet shtëpia jonë e madhe është shumë e rëndësishme të kuptojmë që ky është qyteti më kompetitiv”, u shpreh Veliaj, teksa shtoi se kryeqyteti shihet edhe si një vend ku shumë prej të rinjve që vijnë nga rrethet për të studiuar, vendosin të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

“9 nga 10 studentë që vinë për të studiuar në Tiranë do të jetojnë në Tiranë, edhe pas universitetit. Tirana ka nevojë për 6-7 mijë apartamente në Tiranë. Vetëm kjo industri e njerëzve që i shtohen çdo vit Tiranës, që është diku midis 27 dhe 30 mijë banorëve në vetvete gjeneron  punësim. Unë e kuptoj secili prej nesh do të donte të kishte një bahçe të bukur përpara shtëpisë, kjo nuk është e mundur në një qytet të madh. Kjo është arsyeja pse shumica prej nesh ka vendosur të jetojë në Tiranë sepse duam të jemi aty ku janë edhe të tjerët, ama duhet të kuptojmë që në vetvete kjo industri, vetëm zhvillimi i industrisë së ndërtimit në Tiranë ka punësuar 10 mijë veta”, tha ai.

Panairi do të jetë i hapur deri në datën 30 mars 2018.

e.k/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *