Banorët e godinës 15 në Qytetin Studenti ankohen për mungesën e energjisë elektrike. Ata thonë se prej mëse 24 orësh janë pa energji, çka ka çuar rrjedhimisht edhe në mungesën e ujit, për shkak të mosfunksionimit të pompave. Banorët akuzojnë Drejtorinë e Qytetit Studenti dhe shprehen se kanë shlyer rregullisht qiranë, brenda së cilës përfshihet edhe çmimi i energjisë.
Banorët bëjnë përgjegjës për situatën e krijuar drejtorin bujar Brovina, i cili nga ana e tij e pranon problemin e tyre, por thotë se është në pritje të një subvencioni nga ministria, me anë të të cilit do të shlyejë pagesën e energjisë elektrike.
“Ka disa kohë pa u paguar energjia elektrike. Presim të marrim një subvencion nga ministria më 10 gusht. Pasi të marrim subvencionin do bëjmë pagesën”, thotë ai.
Godina 15 në Qytetin Studenti banohet kryesisht nga familjarë, të cilët i paguajnë drejtorisë së këtij qyteti një qira mujore.
