Fondacioni i gazetarëve dhe shkrimtarëve ka njoftuar se në Kosovë janë edhe 200 shtetas turq që kërkohen nga autoritetet e Turqisë.
Kjo organizatë jo qeveritare, që funksionon edhe brenda një këshilli të Kombeve të Bashkuara, ka bërë të ditur se 200 turq që jetojnë në Kosovë, kërkohen nga Turqia.
Në komunikatën për media, kjo organizatë ka shprehur shqetësimin se aksioni për arrestimin e gjashtë gylenistëve është zhvilluar një muaj pas vizitës së ministrit të drejtësisë, Bilal Ucar. Ky i fundit në vizitën e tij u ankua për rolin e shkollave të Gylenit në Kosovë.
“Fakti që autoritete të Kosovës nuk po bashkëpunojnë me avokatët e të arrestuarve e lë të hapur mundësinë për një anashkalim të mundur të proceseve të ligjshme në vend. Familjarët e të arrestuarve po ashtu mund të dëbohen për në Turqi”, thuhet në komunikatë.
“Po ashtu ata u kanë kujtuar autoriteteve të Kosovës se Turqia nuk është një vend i sigurt për njerëzit e lidhur me lëvizjen e Gylenit, dhe se në rast deportimi në Turqi ata i presin keqtrajtime, dënime dhe kërcënime për jetën”, vijon të thuhet në komunikatë.
s.a/dita
