Pranvera Kola-DITA
Universitetet private nuk do mund të marrin më vendime për ndryshim të tarifave të studimit, apo shtim të tarifave të reja, në rast se viti akademik ka nisur. Më ndryshimet e bëra së fundmi nga dikasteri i Arsimit, këto institucione të arsimit të lartë “detyrohen” që të bëjnë publike në kontratën e shërbimit, të gjitha tarifat që studenti duhet të shlyejë nga nisja e ditës së parë të mësimit, e deri në përfundim të të gjithë ciklit të studimeve.
“Çdo universitetet ka si detyrim përcaktimin e të gjitha tarifave që në momentin e regjistrimit, përfshirë pjesëmarrjet e zakonshme dhe të jashtëzakonshme të studentëve në sezonet e provimeve, ceremonitë dhe kostot e diplomimit, etj.
Duke shtuar gjithashtu edhe detyrimin kontraktor të institucionit të arsimit të lartë jopublik për të mos shtuar tarifa të tjera, përveç atyre të parashikuara në kontratën e shërbimit deri në pajisjen me diplomë të studentit”, saktësohet në udhëzimin e MASR.
Në këto kushte, që në momentin e nënshkrimit, kontrata duhet të ketë qartësisht të përcaktuar tarifën e
studimit dhe mënyrën e pagesës së tarifës së studimit, duke përfshirë një grafik të të gjitha pagesave, të rimbursueshme dhe të parimbursueshme, afatet e derdhjes së tarifës së studimit, ndarjen e saj në disa këste, rastet e pjesëmarrjeve në sezonet e provimeve shtesë dhe tarifat e detajuara për këto sezone.
Pjesë e kontratës duhet të jenë edhe përgjegjësitë për vonesën, apo mospagesën e tarifës së studimit. Në këtë kontratë duhet të jetë e pasqyruar edhe e drejta e drejta e studentit për të hequr dorë nga kontrata në fillim të vitit të parë akademik, si dhe të drejtat e palëve në kontratë, për prishje të njëanshme të kontratës pas fillimit të vitit të parë akademik, rastet e pamundësisë për të përfituar nga programi i studimit, nga studenti, si dhe mundësitë e sigurimit të studentit në një ndër shoqëritë e sigurimit për të gjithë kohëzgjatjen e parashikuar të studimeve.
Për të shmangur të gjitha abuzimet e mundshme, apo problematikat e lindura gjatë viteve të shkuar, studenti përpara nënshkrimit të kontratës duhet të bëjë edhe deklarimin përkatës, ku të konfirmojë se kontrata është lexuar, kuptuar dhe rënë dakord, lidhur me të drejtat dhe përgjegjësitë e palëve, si dhe me rregullat e ndërprerjes së kontratës dhe të rimbursimit të kostos së studimeve të mbetura pa realizuar.
Në momentin e regjistrimit studenti duhet të deklarojë se nuk është regjistruar dhe nuk është duke ndjekur asnjë program tjetër studimi njëkohësisht, si në universitetet e tjera private, ashtu edhe në ato publike.
6 kushtet për tarifat në universitetet private
1. Në përmbajtje të kontratës së shërbimit, duhet të paraqitet qartë e drejta e studentit për të hequr dorë nga kontrata dhe t’i rimbursohen plotësisht pagesat e bëra për ndjekjen e orës së parë të mësimit, ose 7 ditë pas nënshkrimit të kontratës së regjistrimit, cilado qoftë më e vonshme prej këtyre datave.
2. Ndarja e pagesës së tarifës së studimit në këste, në mënyrë të tillë që studenti të paguajë paraprakisht deri në 50 për qind të pagesës për semestër.
3. Përcaktimi i të gjitha tarifave në mënyrë të qartë që në momentin e regjistrimit, përfshirë pjesëmarrjet e zakonshme dhe të jashtëzakonshme në sezonet e provimeve, ceremonitë dhe kostot e diplomimit, etj.
4. Detyrimi kontraktor të universitetit privat për të mos shtuar tarifa të tjera, përveç atyre të parashikuara në kontratën e shërbimit, deri në pajisjen me diplomë të studentit.
5 Të drejtën e studentit për t’u siguruar nga institucioni i arsimit të lartë jo publik, në një ndër shoqëritë e sigurimit, për të gjithë kohëzgjatjen e parashikuar të studimeve, për riskun e ndërprerjes së veprimtarisë, apo risqe të tjera.
6. Të drejtat e rimbursimit të studentit në rastet e transferimit, apo ndërprerjes së studimeve, duke përcaktuar qartazi në kontratë se tarifa e studimit që do të paguhet nga studenti do të jetë vetëm për semestrin e fundit që ka ndjekur, ose është duke ndjekur studenti.
p.k/dita
