Pranvera Kola-DITA
Dhimbjet e fundit të shpinës janë ndër dhimbjet më të shpeshta që përjetojnë njerëzit gjatë jetës së tyre. Pothuajse secili nga ne ka provuar jo njëherë, por disa herë të ketë dhimbje në zonën e mesit (belit) dhe më poshtë.
Mjekja Ilda Xhelili, tregon për “Dita” se për të kuptuar arsyet e këtyre dhimbjeve, pasi edhe shkaqet janë të shumta, duhet së pari të kuptojmë ndërtimin dhe funksionimin normal të kësaj zone. Sipas saj, strukturat e rëndësishme që mund të përfshihen në këto lloj dhimbjesh përfshijnë vertebrat e zonës së mesit, ose rruazat e shtyllës kurrizore (vertebrat lumbare), disqet ndërmjet vertebrave, ligamentet rreth shtyllës kurrizore, nervat, muskujt, organet e barkut, si edhe lëkurën që mbulon zonën e mesit. E gjithë kjo zonë është e projektuar në mënyrë të tillë që të sigurojë një strukturë mbështetëse dhe lëvizëse, duke mbrojtur edhe kurrizin nga lëndimet e ndryshme.

“Nëpër shtyllën kurrizore kalon palca e kurrizit e cila fillon që nga rrëza e qafës (poshtë kokës), e deri nëfund të shpinës (kërbishti). Çdo vertebër (rruazë) që formon shtyllën kurrizore është e përbërë nga një trup i fortë kockor, por edhe nga sqepa (zgjatime) për të siguruar një platformë të përshtatshme për mbajtjen e gjithë peshës së trupit së bashku me kockat e legenit dhe muskujt përreth”, vë në dukje mjekja.
Më tej ajo shton se shumë grupe muskulore në këtë zonë janë përgjegjëse për përkuljen, shtrirjen dhe rrotullimin e belit, por edhe të gjymtyrëve të poshtme. Në këtë zonë (përpara shtyllës kurrizore) kalojnë aorta e barkut dhe enët e gjakut që transportojnë gjakun në pjesën e poshtme të trupit.
Rreth këtyre enëve gjaku ndodhen gjëndra limfatike, si edhe inde të sistemit nervor që janë të rëndësishme në mbajtjen e kontrollit të fshikëzës së urinës dhe të zorrëve. Mitra dhe vezoret (për femrat), si edhe prostata (për meshkujt) janë struktura të rëndësishme që vendosen në zonën e legenit.Po ashtu, veshkat ndodhen në dy anët e pasme të barkut të poshtëm, përpara shtyllës kurrizore (zona lumbare). Ndërsa lëkura që mbështjell këtë zonë është e furnizuar me fije nervore që dalin nga rrënjët nervore të vertebrave.
Tendosja e muskujve
Një ndër shkaqet më të shpeshta është tendosja e tepruar e muskujve, ligamenteve ose tendinëve të kësaj zone. Këto tendosje mund të ndodhin si rezultat i veprimeve të gabuara, ose traumave dhe lëndimeve të ndryshme.
Kjo dukuri njihet si akute, nëse zgjat disa ditë deri në disa javë dhe njihet si kronike, nëse vazhdon mbi tre muaj. Kjo ndodh zakonisht rreth moshës dyzet vjeç, por mund të jetë e pranishme në çdo moshë.
Diagnoza bazohet në historinë e lëndimit, vendndodhjen e dhimbjes, si edhe përjashtimin e lëndimit të sistemit nervor. Për këtë situatë rekomandohet pushimi për të kufizuar lëvizjet, si edhe medikamentet për qetësimin e dhimbjeve dhe relaksimin e muskulaturës përreth. Por në çdo rast përdorimi i medikamenteve duhet të bëhet vetëm sipas përshkrimit të dhënë nga mjeku specialist. Kjo pasi marrja e tyre pa rekomandim nëpër farmaci mund të bëhet shkak për efekte anësore.
Acarimet e fijeve nervore
Një arsye tjetër e këtyre dhimbjeve janë edhe të ashtuquajturat “radikulopatitë”, të cilat janë acarime të fijeve nervore, si rezultat i dëmtimit të disqeve ndërmjet vertebrave. Dëmtimi i disqeve, përveç traumave, vjen edhe si edhe rezultat i degjenerimit (konsumimit) të tyre. Këto dëmtime të disqeve në zonën e mesit përjetohen si: dhimbje të nervit shiatik (kështu njihen në gjuhën e përditshme), duke shkaktuar dhimbje në zonën e të ndenjurave dhe duke vazhduar përgjatë këmbës deri te thembra. Kjo dhimbje shoqërohet me ndjesinë e mpirjes dhe atë të shpimit me gjilpëra. Këto dhimbje zakonisht forcohen gjatë lëvizjeve të belit, tështimave ose kollitjeve. Radikulopatitë në mënyrë tipike zhvillohen në anën e majtë, ose të djathtë dhe jo në të dyja anët njëherësh. Ekzaminimet e posaçme, si edhe historia e sëmundjes bëjnë diagnozën diferenciale.
Ngushtimi i kanalit të shtyllës kurrizore
Këto dhimbje mund të shkaktohen gjithashtu edhe nga ngushtimi i kanalit të shtyllës kurrizore nëpër të
cilin kalon palca e kurrizit, si rezultat i sëmundjeve të ndryshme reumatizmale, por edhe si rezultat i shkarjes së dy vertebrave të afërme me njëra-tjetrën. Për këtë arsye, shtypen rrënjët e nervave dhe përjetohen dhimbje të ngjashme me ato të nervit shiatik.
Defektet e lindura të shtyllës kurrizore
Si shkaqe të tjera mund të përmendim defektet e lindura të shtyllës kurrizore në zonën e mesit, ku më e shpeshta është spina bifida (me shpesh me mungesë te zgjatimeve të vertebrave). Po ashtu ndikojnë edhe frakturat (thyerjet) e kockave, osteoporoza te moshat e vjetra, si edhe marrja për një kohë të gjatë e preparateve kortizonike.
Ndikimi i sëmundjes që njihet si zjarri i natës
Herpes Zoster (zjarri i natës), e cila është një infeksion viral që prek fijet nervore deri në trungjet e thella nervore mund të shkaktojë dhimbje të forta në këtë zonë nëse prek zonën e mesit. Diagnoza diferenciale në këtë rast është mjaft e qartë, pasi kjo patologji infektive ka shenja të qarta në lëkurë. Mund të kemi vështirësi në diagnozën diferenciale deri në shfaqjen e shenjave të lëkurës, pasi mund të zgjasë deri në dhjetë ditë. Deri në këtë fazë synojmë vetëm qetësimin e dhimbjes dhe më pas fillon mjekimi me preparate antivirale të përgjithshme dhe lokale.
Faktorë të tjerë

Shkaqe të tjera mund të përfshijnë probleme të veshkave, shtatzanisë, vezoreve, prostatës, zorrës, si edhe tumoreve në këtë zonë. Në këto raste, për diferencimin e diagnozës, kërkohen ekzaminime të shumta radiologjike dhe laboratorike. Si faktor rreziku për këto lloj dhimbjesh janë sportet me hedhje, shtatzënia, osteoporoza, si edhe vetë procesi i plakjes.
Simptomat karakteristike
Shenjat klinike do të jenë në varësi të shkaqeve të dhimbjes që i shqyrtuam më lart. Megjithatë, kryesore mbetet dhimbja, mpirja, ndjesia e shpimit me gjilpëra, dhe në raste më të rënduara mund të kemi mosmbajtje të urinës, ose të jashtëqitjes, dobësi muskulore, humbje peshe, marramendje dhe lodhje të theksuar.
Trajtimi
Të gjitha këto raste kërkojnë një ekzaminim të kujdesshëm nga ana e mjekut për diferencimin e diagnozës dhe mjekimin adekuat. Duke evidentuar shkakun e saktë të këtyre dhimbjeve përcaktohet edhe trajtimi që duhet të ndiqni. Përveç trajtimit medikamentoz të përshkruar nga mjeku dhe pushimit, mjaft efikase në trajtimin e dhimbjeve të fundit të shpinës rezultojnë të jenë edhe trajtimet fizioterapeutike, të cilat përcaktohen po ashtu nga mjeku specialist në varësi të shkakut dhe llojit të dhimbjes.
p.k/dita

A dinë me fol shqip mjekët? Ky shkrim.është leksion për nxënësit e vitit të parë të shkollës së mesme mjekësore. Ne duam të dimë si mjekohet në.mënyrë.praktike. Për të shkuar tek mjeku këtë e dimë të gjithë. Por menduam se ndofta kishte ndonjë sugjerim mjekimi praktik. Kjo na duhet të shkruhet ne gazeta. Po shkuam tek mjeku ai e din këtë leksion që na jepet këtu. Tung
Drinzi Bardhi
JU REKOMANDOJ ATYRE QE KANE DHIMBJE MESI NGA EKSPERIENCA IME. KAM PERDORUR SHUME ILACE POR PA SUSES KUPTOHET ME ANE TE MJEKUT. NE ERBORESTERI KETU NE ITALI ME REKOMANDOI PER TE PROVUAR DY MANJETE PLUS MINUS. DHE I VENDOS ATY KU KE DHIMBJE NE SHTYLLEN KURIZORE. ISHTE ME TE VERTETE I MREKULLUSHEM NUK NDJEJ ME ASNJE LLOJ DHIMBJE. POR MUND TE PERDORET KUDO KU KE DHIMJE NE CDO PJESE TE TRUPIT. NUK E KISHA BESUAR KURE. KUSHTON DYZET EURO.
…Nese eshte e mundeshme Nasi, na jep emrin e aparatit magnetik per heqjen e dhimbjeve te shpines dhe ne cilat institucione shitet?
Pershendetje Nasi a mundesh me me dhon emrin e sakt ose ndonje foto dhe ku mund ta blejm ket manjetin. Flm
Pershendetje Masi, ju lutem ma jap emrin e aparatit magnetic, qe largon dhimbjet e shpindes dhe ne qfar adrese mund ta porosi. Ju faliminderit per ndihmen.
Pershendetje! Brenda mundesive ju lutem na jepni emrin e aparatit magnetic
Mund te ma dergoni me foto ju lutem ?
me falni,por keto duhet ti mbash te perhershme apo dhimbjet ikin?un kam dhimbje ne bel jasht mase saqe asnjehere nuk zgjohem e clodhur por mezi pres te gdhi…mendon se kjo i ben derman? ju flm
me falni,por keto duhet ti mbash te perhershme apo dhimbjet ikin?un kam dhimbje ne bel jasht mase saqe asnjehere nuk zgjohem e clodhur por mezi pres te gdhi…mendon se kjo i ben derman? ju flm
Nasi te lutem me thuaj se si quhet ky aparat qe ta porosis,