Koleksione të trashëgimisë në Shqipëri

DITA Online

 

Moikom Zeqo

Druri si material endemik, ka luajtur një rol të madh në jetën njerëzore, duke përfshirë edhe rafigurimet artistike.

Emri dru në shqip është skajshmërisht i lashtë.

Ka filologë, që e lidhin fjalën dru me shpjegimin etimologjik të druidëve ose të dryokëve, fise të lashta, që përmenden tek Homeri dhe tek autorë të njohur të antikitetit.

Të shumta janë referencat për pyjet e Ilirisë.

Dentomorfizmi është një traditë mitologjike, ku hyjnitë paraqiten në trajta drurësh.

Kulti i lisit të shenjtë të Dodonës është një paradhomë e traditës ftillëzuese kultike për të kaluar tek Zeusi i Dodonës. Orakujt e Dodonës deshifronin lëvizjet e gjetheve të lisit, duke i dhënë kuptime simbolike.

Një kult, që lidhet me drurin përmendet tek pajonët ilirë, të cilët merrnin dru të shenjtëruar nga mali Orbel.

Herodoti thotë se pajonët ilirë kur martoheshin sillnin për çdo grua nga tre trarë nga mali Orbel.

Meqenëse çdo burrë martohej me shumë gra për shkak të poligamisë, qe lidhur riti i shumëzimit të jetës, i lindjes së fëmijëve me kultin e drurit.

Kulti i drurit do komentohet deri në shek. XX në të ashtuquajturën festë ceremoniale, që quhet Buzmit, vendosjes së një trungu në vatrën e shtëpisë dhe shenjtërimit të prushit të tij. Kulti i buzmit ka mbijetuar shumë gjatë dhe festohej në kohën e Krishtlindjeve.

Kjo traditë pagane është kundërshtuar nga misionarët katolikë dhe për këtë subjekt ka një literaturë të gjërë.

Nga numizmatika ilire kemi një fakt me rëndësi sidomos në monedhat e labeatëve dhe të daorsëve.

Në këto monedha rafigurohet emblema e anijes lembe, ose liburnide, që dihet ndërtoheshin prej druri.

Kulti i pemëve si një kult iliro-shqiptar lidhet me shumë aspekte, kryesisht të përpunimit të drurit.

Etnografia shqiptare ka një arsenal të tërë të veglave shtëpiake, baritore ose edhe bujqësore prej druri.

Skalitja e djepeve me motive ornamentikë, e furkave dhe e kërrabave, përbën një mjeshtëri të rrallë, për fat të keq shumë pak të studiuar.

Ne nuk dimë nga lashtësia monumentet e skulpturave prej druri për shkak se substancat rurore përgjithësisht është e kalbëshme dhe e asgjësueshme.

Por ne mund të rikonstruktojmë një histori të dikurshme të skulpturimit të drurit.

Lënda drusore ka qenë esencialisht e jetës së përditshme me dy standarde me standardin utilitar të përditshmërisë dhe standardin artistik të pashkëputur nga ai kultik.

Kemi të dhëna nga autorë antikë të përdorimit të relieveve zbukurimore nga ilirët me material druri.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk janë ruajtur monumente të tilla.

Por kemi një pikë referimi.

Është fjala për disa stela funerore në formë reliefi në material guri, stela, të cilat dokumentohen si të shekujve IV-V të erës sonë. Këto stela janë zbuluar në Ilirinë e Veriut por edhe në atë të Jugut, konkretisht në Shqipëri.

Këto stela janë studiuar nga ilirologu i madh Aleksandër Stipçeviç.

Këto stela i kushtohen hyjnive politeiste si relievë votive, kushtuar hyut Silvan dhe hyjneshës Diana.

Figurat e skulpturuara në këto relieve kanë karakter antropomorf, këto figura njerëzore, mashkullore dhe femërore paraqiten në këmbë me disproporcione gjymtyrësh, përgjithësisht koka është e madhe, sytë të spikatur, trupat mbulohen nga një lloj fustanelle, kurse hyjnitë mbajnë në duar degë peme, që lidhen me kultin e drurit dhe të pyjeve përgjithësisht.

Maniera artistike është ajo e një skalitjeje jo shumë të thellë, pra mungon koncepti i altorelievit. Kjo ka bërë që Stipçeviç dhe dijetarë të tjerë të dalin në konkluzionin se skalitja në gur imiton skalitjen e monumenteve prej druri, kështu ndërmjet këtyre stelave funerore si relieve votive kemi një dëshmi të mbijetuar të relieveve të dikurshme prej druri.

Kjo tezë është e bindshme dhe reale.

Dihet historia e ikonostaseve prej druri në Shqipëri, që duhet të ketë lindur mbas shekullit VI pas Krishtit.

Në të vërtetë Krishterimi trashëgoi në artin e tij traditën e mëparshme pagane.

Ikonostaset e para prej druri nuk na kanë arritur.

Të mos harrojmë që në bazilikat e Antikitetit të Vonë, madje edhe në ato të epokës paleokristiane ka pasur ikonostasë prej material guri në formë muresh.

Kjo traditë që në literaturën shkencore lidhet me kishat e lashta të Sirisë mbijeton edhe te disa kisha të zbukuruara me afreske nga Onufri ynë gjenial në shek. XVI.

Kjo duket në kishën e Shelcanit dhe në atë të Valshit në Shpat të Elbasanit.

Por ikonostaset prej druri në kishat e Shqipërisë kanë krijuar një traditë të mrekullueshme, e cila quhet bizantine dhe që përgjithësisht ka lulëzuar në gadishullin e Ballkanit dhe në Italinë e Jugut, por njihet më pak në Evropën Perëndimore.

Në ikonostaset prej druri të Shqipërisë ruhen disa figura, që mbijetojnë nga periudha pagane, figura të zogjve, të grifonëve dhe një figurë femërore me fustanin e njohur ilir, që është shumë e ngjashme me figurën e Dianës, dmth Artemisit, në relievet funerore të shekujve IV-V të erës sonë.

Do të përmendja që figura e Aleksandrit të Madh midis dy grifonëve lidhet me krishterizimin e kultit të tij në mesjetë, me të ashtuquajturin fluturim të Aleksandrit të Madh në qiell.

Kështu në një relief guri të shek. XII i gjetur në kishën e Kurjanit në Fier e kemi këtë skenë.

Kjo skenë është formalizuar edhe në ikonostaset prej druri të kishave të Shqipërisë.

Me origjinë të lashtë është edhe shqipja dykrenore në këto ikonostase.

Një material të çmuar të skalitjes së krishterë kemi në shtyllat e skulpturuara të bazilikës së Ballshit.

Këto shtylla kanë pikë takimi të traditës pagane me atë të krishterimit sipas një arti antropomorf, zoomorf me një simbolikë shumë të pasur.

Ajo që bie në sy në ikonostaset prej druri është kalimi cilësor dhe konceptual nga reliefi i cekët në altoreliefin e thellë.

Këtë mundësi e jep vetë materiali i drurit, që mund të gdhendet lehtë.

Kështu që, tradita mbijeton e pasuruar dhe shpesh e ndryshuar.

Studimi i ornamentikës së figurave simbolike në ikonostaset e Shqipërisë për fat të keq është lënë jashtë vëmendjes së dijetarëve shqiptarë.

Kjo ornamentikë mbijeton në harmoni me ornamentikën e etnografisë shqiptare në përgjithësi.

Kemi të bëjmë me një thesar kulturor dhe artistik të klasit të parë, jo vetëm në rrafshin shqiptar por edhe atë ballkanik dhe evropian.

                                        ***

Para disa kohe isha në Shkodër dhe pashë me vëmendje objektet e muzeut arkeologjik të këtij qyteti.

Kam shkuar shumë herë në Shkodër dhe i kam ndjekur gërmimet arkeologjike sidomos gjatë kohës kur punoja si arkeolog në Durrës.

Muzeu i rikonstruktuar në një shtëpi madhështore dhe hijerëndë të stilit popullor më dhuroi befas disa të papritura: ekzistencën e një portali dritareje të stilit gotik me dy figura kalorësish ballë për ballë, në formën e stemave heraldike.

Kjo vepër arti e gdhendur në gur gëlqeror është unikale dhe lidhet me stilin shqiptaro-venedikas të ndërtimeve në shek. XIV. Një studiues amator nga Shkodra në mënyrë të sforcuar ka identifikuar tek këto dy figura figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe të Papa Piut II, personazhe këto të shek. XV, gjë që përbën një nonsens, sepse portiku i stilit gotik është i një shekulli më të hershëm.

 

Befasia tjetër në Shkodër qe ajo e një terakote të madhe me figurën e një koke burri, terakotë, që mund të ketë shërbyer si element arkitektonik në formë kariatide.

Kjo terakotë e datuar si e shek. VI para Krishtit më vuri në mendime të thella.

Asnjë nga arkeologët shqiptarë dhe të huaj, që e kanë parë këtë terakotë nuk kanë mundur ta klasifikojnë dhe të përcaktojnë origjinën e saj.

Për mendimin tim kjo terakotë antropomorfe i takon periudhës arkaike dhe lidhet me artin etrusk. Megjithatë më duhet ende shumë punë dhe kohë që të jap një klasifikim të besuar dhe mbushamendës.

 

Padyshim që kjo terakotë arkaike e Shkodrës përbën një kryevepër artistike të vërtetë.

***

 

Por vepra e artit më e çuditshme që unë kam parë ndonjëherë ndodhet në Elbasan, në fondin jashtëzakonisht të pasur të një koleksionisti të pasionuar dhe të mençur të quajtur Vangjel Kapedani.

Me Vangjel Kapedanin jam njohur që herët dhe madje para disa vitesh i kam hapur një ekspozitë të objekteve më përfaqësuese të koleksionit të tij, në Muzeun Historik Kombëtar. Koleksioni qe mahnitës, sidomos ai numizmatik dhe filatelik.

 

Në këtë koleksion veçoheshin pllakat prej dylli të kuq me mbishkrime, që ende nuk janë zbërthyer, që përbëjnë një çudi të epigrafisë klasike.

Gjithashtu në koleksion të bënin përshtypje një numër pikturash të vjetra, disa kodikë si dhe miniaturat e argjendarisë. Një vend më vete zinte një ikonë e shkollës kreto-venedikase e shek. XVII, por jo në dru, por në telajo.

Rrallë kam parë një njeri të pasionuar dhe zemërbardhë si Vangjel Kapedanin. Ai ka një lokal të vogël në katin e poshtëm të Bashkisë së Elbasanit, lokal i cili në vetvete është një muze për qytetin e Elbasanit, nuk ka në Elbasan një muze të tillë ku hyjnë e dalin klientë të ndryshëm dhe bëhet një prezantim i kulturës së lashtë dhe mesjetare të grumbulluar me një zell blete nga Vangjel Kapedani. Ky njeri jo vetëm s’duhet penguar por duhet ndihmuar nga Bashkia.

 

Është në nderin e Elbasanit pati një koleksionist të tillë si Vangjel Kapedani.

Padyshim objekti më habisjellës dhe tronditës, që ai ka në koleksion është një terakotë shumë e çuditshme dhe pa një të dytë në krejt Shqipërinë dhe mbase edhe në rrafsh evropian.

Vangjeli iu ka vënë kësaj terakote emrin konvencional Edvan.

 

Çfarë përfaqëson kjo terakotë?

Terakota tregon një figurë njerëzore në këmbë e cila ka mbi kokë një mbulesë në formë përkrenareje kurse tek veshët e mëdhenj varen vathë të rrumbullakët.

Terakota ka një qëndrim të ngjashëm me terakotat arkaike të shek. VI para Krishtit, por për mendimin tim është akoma dhe më e vjetër.

Në dorën e majtë dhe të djathtë ajo mban një figurë të çuditshme në formën e një peshku me 4 velëza ose është një lloj arme.

Ajo që të bën përshtypje është se mbi ballin e kaskës së terakotës janë ravizuar katër vija, që mua më kujtojnë 4 vijat e ravizuara mbi ballin e terakotave të ashtuquajtur idhujt prehistorikë të Dardanisë dhe që sot ndodhen në Muzeun e Prishtinës në Kosovë.

Këto katër vija të ravizuara kanë një kuptim magjik të karakterit apotropoik.

Terakota ngjan si një nga veprat e artit me origjinë lindore, kurse ikonografikisht të kujton disa vepra arti të actekëve të kulturës parakolumbiane në Amerikë.

Terakota është gjetur gjatë një gërmimi në hapësirën midis Krujës dhe Elbasanit dhe padyshim është vepra e artit skulpturore më e vjetër në Shqipëri.

Unë kam marrë një copë të kësaj terakote për t’i bërë analizën radiografike sipas metodës shkencore me karbonin C14. Jam i bindur në lashtësinë e kësaj terakote sepse ndryshe nuk do të rrezikoja emrin tim, për të shkruar paraprakisht diçka për të. Kjo terakotë përbën një thesar kulturor të Shqipërisë.

Për fat të mirë këtë e ka gjetur dhe e ka ruajtur Vangjel Kapedani.

Kjo terakotë duhet vënë në qarkullimin dixhital në internet për të tërhequr dhe mendimin e specialistëve të huaj për të bërë identifikimin përfundimtar të saj.

Vetëm ky objekt është i mjaftueshëm për ta bërë të njohur dhe për të patur respekt qytetar për mikun tim Vangjel Kapedani. Edhe botimi i kësaj terakote përbën një enigmë, apo metaforë kurioziteti.

Shpresoj që vëmendja e opinionit publik do të magnetizohet prej saj.

Kjo terakotë Edvan e Elbasanit dhe koleksioni i idhujve të Dardanisë nuk janë shpjeguar ende nga shkenca arkeologjike, ndonëse nuk mohohet lashtësia e tyre marramendëse.

Share This Article
5 Comments
  • Ose je teleshmen,ose je bashkemashtrues me te ndjerin Vangjel Kapidani.Them te ndjerin Vangjel Kapidani,sepse si mbledhes antikash,ja donte puna edhe te sajonte histori zbulimesh,gjetjesh,blerjesh.Une e kam njohur Vangjel Kapidanindhe po te shpall burimet e kolexionit te tij.
    1-Thesari arkeologjik-ethnografik-bukinistik i kolexionistit Lef Nosi.
    2-Thesari Ethnografik-Bukinistik i ethnologes dhe Albanologes britanike Margaret Haslluk.
    Pas shpalljes se Pavaresistit Lef Nosi armik i popullit dhe pushkatimit te tij,e gjithe arkiva dhe kolexioni i antikuareve te gjetur ne shtepine e tij ne kala,u sekuestrua dhe U STREHUA NE BIBLIOTEKEN E QYTETIT. Po keshtu edhe biblioteka dhe koleksioni ethnografik i Margaret Hasllukut u strehua ne bodrumin e Bibliotekes se Elbasanit PA INVENTAR.
    Aty i gjeti pas vitit 1997 drejtoresha e bibliotekes se Elbasanit Drita Cankja kur u be rikonstruksoni i bibliotekes dhe u pastruan bodrumet.
    Ky THESAR I RRALLE ME VLERE BOTERORE U SHIT NGA ISH DREJTORESHA E BIBLIOTEKES DRITA CANKJA..Pjesa me me vlere,nder te cilet fjalori tre gjuhesh i Marko Bocarit,nje veper per kontributin e arvanitasve ne revolucionin grek,etj u shiten ne Vjene me ndermjetes.Drejtoresha Drita Cankja mori paret dhe ndertoi vilen ne kodren e Tepes.
    Pjesa tjeter nder te cilet edhe thesari arkeologjik dhe ethnografik,ju shit kolexionistit Vangjel Kapidani.
    Pjesa e ikonave mesjetare te Vangjel Kapidanit vjen nga Kisha e shen Merise se kalase,te cilen e grabiti qe ne vitet 80,se e kishte si anex te shtepise.Nja dy minuete ikonash,nje e shen Gjergjit dhe nje e shen Gjon Vladimirit vijne nga Manastiri i shen Gjonit.Manastirin e shen Gjon Vladimirit e grabiti nje ish mundes,malok nga fshatrat e koplikut,ne 1986,qe mund t`ja kete shitur Vangjelit.
    Per te saktesuar origjinen e antikave te Vangjel Kapidanit,ne ate kafen e Bashkise,nje usta i ketyre puneve ja tha Vangjelit origjinen e monedhave te lashta,sepse Vangjeli trillonte qe i kishte zbuluar nga nje thesar te gjetur ne themelet e Kalase.Ato ishin monedha te grabitura nga rremimet klandestine ne varrezat antike te Apollonise dhe kalase se Lleshanit dhe Lef Nosit ja shiste nje fshatar hajdut.
    Ajo qe nuk i falet Moikom Zeqos eshte veshja me tisin e PASIONARIT,KOLEKSIONISTIT,ENIGMATIKUT,te hajduteve qe vodhen VLERAT E PACMUARA TE MUZEVE,BIBLIOTEKAVE,KOLEKSIONEVE ANTIKE DHE MESJETARE te vendit tone ne vitet pa shtet .Jane prone e popullit shqiptar dhe perdite po tregtohen jasht vendit..KUSH DO TA NGREJE NJE PADI PER GRABITJEN E KETYRE VLERAVE NGA DREJTORESHA E BIBLIOTEKES SE ELBASANIT DRITA CANKJA DHE DERGIMIN E TYRE JASHTE VENDIT? Perse hesht prokuroria e Elbasanit,perse nuk e arreston grabitesen e fondit te Lef Nosit dhe Margaret Hasllekut,ne biblioteken e Elbasanit?

    • Pershendetje i nderuar

      Interesant komenti juaj dhe vecanerisht informacioni qe lidhet me dokumentet e depozituara ne bodrumet e Biblotekes se qytetit dhe tregtimin e tyre.

  • Bravo Moikomo per keto pallavrat prej druri e me dru. Po deshe na shkruaj ndonje dite ndonje gje per lugen, si kur u zbukua kuga e pare, kush ka shkruar poezine e pare per lugen, cfare lidhje ka midis luges dhe terhanase, a do te ishte shikur supa, nqs nuk do te egzistonte luga, apo shpikja e supes pershpejtoi shpikjen e luges, e te tjera si keto.

  • Moikomi po i afrohet titullit “sharlatan”. Lexova vetem rreshtat e pare, deri aty ku i nxjerr paijonet si ilire, dhe kjo sipas Herodotit! Se ne cilen histori e ne cilen faqe na i cileson Herodoti paionet si ilire, kete nuk e di kerrkush pervec nje sajuesi te ri historie! Gjynah per Moikomin, ka qene burre i mire i shkreti!

  • Edhe nje gje tjeter po te them zMoikom,Metoda e datimit me carbon C 14 nuk vlen per qeramiken dhe enet prej balte,por per drurin,letren dhe eshtrat,qe kane material biologjik te fosilizuar.Balta nuk ka Carbon.
    Kur shihje ato Kurane te vjeter dhe bibla te rralla ne koleksionin e Vangjel Kapidanit,nuk te shkonte mendja se “Ka rene Daci ne kos”?Furnitorja e Vangjel Kapidanit ishte Drita Cankja nga Thesaret e Margaret Hasllek dhe Lef Nosit ne BIBLIOTEKEN SHTETERORE TE ELBASANIT.Drita Cankja u be me vile,por populli shqiptar humbi dy thesare te rralle bukinistike,numizmatike,ethnografike.I lutem gazetes Dita t`i pasqyroje komentet bashke me shkrimet e Moikomit sepse eshte VJEDHJA ME E BUJSHME E THESAREVE TE TRADITES E MBETUR NE HESHTJE TE PLOTE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *