Dënime me mbi 100, 1000 madje edhe 30 mijë vjet burg: duken të palogjikshme, por për një sistem të ndryshëm nga i yni janë shumë të rëndësishme. Disa nga rastet më të famshme të gjykimeve të tilla, si ai i vrasësit serial Richard Speck që u dënua me 1.200 vjet burg, apo i pedofilit Charles Scott Robinson me 30 mijë vite, i paraprijnë rasteve të bujshme të ditëve të fundit
Gjatë këtyre ditëve u përmbyllën në Shtetet e Bashkuara dy procese të shumëpërfolura: ai i Bradley Manning, i akuzuar se i kishte kaluar informacione sekrete “Wikileaks” dhe i Ariel Castro-s, i cili mbajti të sekuestruara për 10 vjet në Kleveland, Ohajo tre gra me të cilat abuzoi fizikisht dhe seksualisht. Dy raste shumë të ndryshme njëri nga tjetri, por që i lidh një element: kohëzgjatja e dënimit. Manning u shpall fajtor për 19 akuza, për të cilat rrezikon një dënim të përgjithshëm prej 136 vitesh burg, ndërsa Castro e ka pranuar fajësinë për të shmangur dënimin me vdekje. Ai ka pranuar dënimin me burgim të përjetshëm plus një dënim shtesë prej “1000” vjetësh.
Duke iu referuar Castros, prokurori i kontesë Cuyahoga, Tim McGinty komentoi: “Nuk do të dalë më kurrë nga burgu, veçse kur të jetë brenda një arkivoli. Kjo është drejtësi”. Dhe 1000 vite burg mund të duken disi qesharake sepse janë të papraktikueshme, por dënime të tilla në të vërtetë janë pjesë e sistemit gjyqësor amerikan, që i atribuon një rëndësi të madhe përgjegjshmërisë së shpagimit individual të viktimave. Zakonisht dënime kaq të larta përcaktohen kur vendimi me vdekje nuk parashikohet për krime veçanërisht të rënda dhe kanë një vlerë në thelb simbolike.
Ka disa raste të famshme në Shtetet e Bashkuara mbi këtë temë: kështu Richard Speck, i cili në vitin 1966 rrëmbeu, torturoi dhe vrau 8 studente infermierie në spitalin “South Chicago Community Hospital”, u dënua fillimisht me vdekje, por Gjykata e Lartë e rihapi gjykimin pak para ekzekutimit në vitin 1972 dhe shteti i Ilinoisit, u detyrua të gjente një dënim alternativ: Speck u dënua me 400 deri në 1.200 vite burg. Prej tyre kreu vetëm 20 dhe vdiq në burg në vitin 1991.
Në vitin 1981, Dudley Wayne Kyzer, nga Alabama, u dënua me burgim të përjetshëm plus 10 mijë vite burg pasi kishte vrarë të ëmën, kunatën dhe një kolege pune.
Më 1993 në Tulsa (Oklahoma), një juri dënioi dy burra, Darron Bennalford Anderson dhe Allan Wayne McLaurin, respektivisht me 21 mijë dhe 11 mijë vite burg.
Charles Scott Robinson, një pedofil përdhunues në Oklahoma u dënua me 30 mijë vite burg në ‘94-ën.
Në sistemin gjyqësor amerikanoverior, procesi penal është i artikuluar në dy faza formalisht autonome: e para përcakton përgjegjësinë penale të të akuzuarit, ndërsa e dyta shërben për ta përshtatur dënimin me vendimin e fajësisë. Pas vendimit të jurisë mbi bazën e fajësisë, i takon gjykatësit profesionist të bëjë përllogaritjet e ndëshkimit në lidhje me tipologjinë e krimit dhe numrin e akuzave që rëndojnë mbi të. Që rehabilitimi nuk është një element prioritar në dënimet e dhëna në gjyqet amerikane e tregon frekuenca e zbatimit të dënimit me vdekje, por edhe e rreth 140 mijë personave të dënuar me burgim të përjetshëm.
Ka edhe kritikë mbi këto lloj dënimesh: në rastin e Charles Scott Robinson, gjykatësi James Lane komentoi: “30 mijë vjet më parë një shtresë akulli mbulonte brigjet e Ohajos në Misuri dhe ekzistonin ende mamuthët. Pas 30 mijë vjetësh, qeniet njerëzore mund të jenë zhdukur. Një dënim i kësaj natyre për mua është absurd”. Por në bazë të këtyre shifrave është raporti midis vlerës praktike të dënimit (kohëzgjatja e të cilit mund të modifikohet me ndërhyrje pasuese) dhe asaj simbolike: të sanksionosh numerikisht përgjegjësinë e të dënuarit dhe të tregosh që në të ardhmen nuk do ta shohësh në asnjë mënyrë të lirë është një akt njohjeje për vuajtjen e viktimave./ D.Gjuzi

Berisha 10.000 vjet, Meta 5000.. Mjaft per sot.