Problemet me dhëmbët, si duhet vepruar me aparatet e drejtimit

anazapta

Mungesa e informimit, neglizhenca në ndjekjen periodike të kontrolleve tek mjeku stomatolog, si dhe harresa në kujdesin për higjienën e rreptë të gojës, janë ndër faktorët vendimtare që i listojnë shqiptarët si një ndër popujt që përballen me prishjen më të shpejtë të dhëmbëve, si dhe problemeve të tjera që shfaqen me shëndetin e gojës. Një gjë e tillë duket edhe nga numri i dhëmbëve të prishur që raportohet në vendin tonë dhe atyre evropiane. Kështu nëse bëhen krahasime në Shqipëri një person, mesatarisht raporton të ketë 3-4 dhëmbë të prishur, ndërkohë që në vendet e tjera të Evropës kjo shifër është 1.2 dhëmbë me probleme. Gjithashtu mungesa e informimit ka bërë që në shumë raste problemet me dhëmbët të rëndohen edhe me kalimin e moshës, kjo pasi shumë prej pacientëve nuk i kushtojnë rëndësi vendosjes së aparateve që ndihmojnë rregullimin e dhëmbëve, apo korrigjimit të problemeve të tjera me nofullën. Në një intervistë për gazetën “Dita” Erilda Xholi, specializante në Itali për problemet ortodentike tregon se cilët janë faktorët më të shpeshtë që ndikojnë në prishjen e dhëmbëve tek shqiptarët, si dhe format e kujdesin që duhet të kemi për parandalimin e tyre sa më herët.

 

Duke qenë se ju aktualisht po i nënshtroheni specializimit jashtë vendit, e më konkretisht në Itali. Referuar rasteve të para atje dhe realitetit shqiptar, sa të ndërgjegjësuar jemi ne si popull për kujdesin ndaj shëndetit të gojës?

Nuk mund të thuhet se ne nuk jemi të ndërgjegjësuar sa i takon kujdesit për shëndetin e gojës. Gjatë viteve të fundit situata ka shfaqur përmirësime. Por, krahasuar me vendet e tjera shikohen diferenca të mëdha. Kjo pasi në vendin tonë numri i dhëmbëve të prishur është shumë herë më i lartë se sa shifrat që raportojnë vendet fqinje. Shkak për këtë situatë bëhet mungesa e kryerjes së kontrolleve periodike që në moshë të hershme. Problemet që shfaqen në shëndetin e dhëmbëve tek shqiptarët kanë shkaktarë nga më të ndryshmit, ku ndër më të shpeshtit janë mospasja e informacionit për ndjenjën e vazhduar të kujdesit për shëndetin e gojës, gjendja e vështirë ekonomike në të cilën mund të jenë shumë prej familjeve, kequshqyerja etj. Por, ka edhe shumë persona për të cilët faktori kohë bëhet shkak për shfaqjen e problemeve me dhëmbët, çka bën më pas që kjo neglizhencë të çojë në komplikacione më të rënduara, për të cilat kërkohet dhe nevojitet kohë në trajtimin e tyre.

Cilat janë problematikat më të shpeshta që shfaqen tek shqiptarët sa i takon kujdesit për dhëmbët?

Ndër problematikat më të shpeshta që hasim në punën tonë të përditshme (duke iu referuar rasteve të trajtuara pranë klinikës tonë), rezultojnë të jenë kariesi, fisural, sekondar pulpite (prishje dhëmbi me dhe pa heqje nervi), mungesë dhëmbësh (shkak heqja e tyre në moshë të re), probleme paradontale, gurëzat etj. Pjesa dërrmuese e këtyre komplikacioneve shkaktohen nga mosmineralizimi i duhur i dhëmbëve, proces ky që duhet të fillojë që në stade të hershme. Shkaqe të tjera që ndikojnë në shfaqjen e këtyre komplikacioneve janë edhe higjiena e munguar dentare, konsumi i duhanit. Kariesi, është një infeksion që shkaktohet nga mikrobet që gjenden në hapësirën e gojës. Kjo problematikë cilësohet si një sëmundje komplekse që shkaktohet nga bakterie, dhe mund të lidhet me faktorë të rëndësishëm si konsumimi i ushqimeve dhe pijeve, neglizhenca në larjen e dhëmbëve etj. Këto probleme bëhen edhe më të dukshme për faj të një mentaliteti që mbizotëron rëndom ende këtu tek ne e që ka të bëjë me vajtjen tek mjeku stomatolog në stade të rënduara, kur dhimbjet janë të forta ose kohë në të cilën prishja e dhëmbit të ketë përfshirë një pjesë të mirë të sipërfaqes së dhëmbit. Ky është mentaliteti që ne si specialistë, por edhe vetë njerëzit duhet ta luftojmë, pasi vetëm në këtë formë rrisim shkallën e ndërgjegjësimit lidhur me kujdesin ndaj dhëmbëve.

Ndalemi tek kriteri moshë dhe gjini, ku hasen komplikacionet më të shpeshta, si dhe çfarë duhet bërë për përmirësimin e tyre?

Nëse nuk tregohet kujdes në mirëmbajtjen e tyre, prishja e dhëmbëve mund t’i kërcënojë të gjithë. Referuar rasteve të trajtuara kemi vënë re se këto probleme hasen në të gjitha moshat, teksa të rriskuara po njëlloj janë edhe të dyja gjinitë. Sa i takon kariesit dhe problemeve paradontale  ato shfaqen shpesh tek fëmijët gjatë periudhës së daljes së dhëmbëve të përhershëm, tek femrat gjatë periudhës së shtatzanisë, tek të moshuarit, si dhe të personat që janë duhanpirës. Këto kategori përballen më shpesh me problemet sa u takon dhëmbëve. Për trajtim dhe parandalim të këtyre problemeve veprohet me dhënien e suplementeve të fluorit dhe kalciumit, larje të paktën dy herë në ditë të dhëmbëve, moskonsumim i duhanit, fluorizim i shtresës sipërfaqësore të dhëmbëve (topical). Ky proces, kur kryhet tek fëmijët parandalon prishjen e dhëmbëve dhe shfaqjen e kariesit pavarësisht kalimit të moshës.

 Nëse një dhëmb i prishur nuk merr trajtimin e duhur në kohë, po lejohet të shkojë në prishje të gradës më të rëndë, krahas humbjes së tij, me çfarë komplikacionesh të tjera shoqërohet. Flasim këtu për organet e tjera jetësore. (Shpesh dëgjojmë nga mjekët që një dhëmb i prishur mund të ndikojë në shfaqjen e problemeve me zemrën, shëndetin mendor etj ?

Nëse një dhëmb i prishur nuk merr kujdesin e duhur tek mjeku specialist, problemet me të cilat ne përballemi janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga stadet më të lehta, e deri tek ato më të rënduarat. Fillimisht nis me humbje të strukturës së dhëmbit, krijimin e dhimbjeve të forta, mund të çojë në shfaqjen e infeksioneve, si dhe në rastet më të rënduara mund të kërkohet edhe heqja e dhëmbit. E nëse kjo ndodh atëherë problemet janë si estetike ashtu dhe funksionale, pasi pacienti ndjen vështirësi në të ngrënë, dhëmbët antagonistë zgjaten, si dhe shfaqen edhe shumë probleme të tjera. Sikundër ndodh që trupi i njeriut është një i vetëm, ku të gjitha organet funksionojnë të lidhura mes tyre, ashtu duhet të jetë edhe kontakti me mjekun stomatolog, i cili është i pari që dallon praninë e këtyre problemeve. Duke qenë se dhëmbët e prishur mund të rëndojnë edhe pjesë të tjera të organizmit mund të themi që mjeku stomatolog është i pari që shikon problemet apo kompklikacione të tjera që mund të vijnë nga një prishje e dhëmbit tek persona të sëmurë me diabet, HIV-AIDS, të zemrës etj. Rëndimi i sëmundjeve të dhëmbit, degjenerimi i infeksioneve mund të çojë në shfaqjen e dhimbjeve të kokës, ostemiolit të nofullës. Është vërtetuar, (ndonëse ndodh në raste të rralla), se si pasojë e dhëmbëve të prishur mund të shfaqen edhe sëmundje kardiake, e deri në një apendiks të sëmurë. Ndaj sa më herët të kujtohemi dhe të ndjekim trajtimin e tyre aq më pak janë shanset që të përballemi me të tilla probleme.

Duke iu referuar specialitetit tuaj, çfarë është ortodontia, si dhe çfarë problemesh zgjidhen përmes saj ?

Ortodontia është një degë e stomatologjisë, që merret kryesisht me trajtimin e malukluzioneve që mund të jenë si keq-rreshtim i dhëmbëve, problemeve që lidhen me dhimbjet e artikulacionit frymëmarrjes, me nofullën etj.

Konkretisht ku konsiston kjo teknikë, dhe a janë shqiptarët të mirinformuar me të mirat e saj?

Kjo teknikë konsiston në korrigjimin e efekteve si estetike, ashtu edhe funksionale. Në përgjithësi njerëzit nuk janë shumë të mirinformuar me përfitimet që sjell ky lloj trajtimi. Kjo pasi shihet dhe konceptohet si një lloj trajtimi vetëm estetik, e jo funksional. Ndërkohë që problemet funksionale bëhen edhe më të dukshme me kalimin e viteve. Në rast se këto probleme do të diagnostikoheshin në moshë të vogël, atëherë dhe vendosja e aparateve ose braketave do të shmangej në moshë më të madhe. Ndërkohë që problemi do të jetë zgjidhur, si nga ana estetike ashtu dhe nga ana funksionale.

Pse është i domosdoshëm trajtimi ortodonik?

Ky trajtim është i domosdoshëm për disa arsye. Së pari ndihmon në përmirësimin estetik të paraqitjes së gojës dhe dhëmbëve, pastaj sistemon problemet funksionale, çka çon në një shëndet më të mirë të gojës. Kjo e fundit nënkupton si shërimin e dhimbjeve, krijimin e kontaktit më të mirë ndërmjet dhëmbëve, nëpërmjet pozicionimit të dhëmbëve siç duhet sigurohet edhe një higjienë më e mirë etj. Gjithashtu ndihmon në korrigjimin e shumë defekteve, të cilat mund të jenë të lindura ose të fituara me rritjen, siç janë palatumi që ka të bëjë me qiellzën e ngushtë, jep probleme si në rreshtim të dhëmbëve ashtu edhe probleme respiracioni. Këta persona, kryesisht bëjnë respiracion oral, çka do të thotë që gjatë natës ata marrin frymë përmes gojës. Këta pacientë janë më të predispozuar për të shfaqur më pas edhe probleme të proceseve karioze, etj.

Kur duhet të fillohet me trajtim ortodontik?

Trajtimi ortodontik, sipas studimeve të shumta që janë kryer duhet të nisë që në moshën shtatë vjeçare. Megjithatë jo gjithmonë mosha është fikse, pasi ajo varet nga problemet që mund të ketë secili individ. Probleme këto të cilat mund të jenë gjenetike ose të fituara gjatë jetës. Pavarësisht këtyre përcaktimeve është mjeku specialist ortodent, ai që përcakton kohën se kur duhet kryer ky trajtim pasi të ketë vizituar situatën tek individi që ankohet për probleme të caktuara ortodentike.

Kur është mosha më e mirë për të vizituar mjekun e këtij specialiteti?

Mosha më e mirë për të nisur vizitat tek mjeku specialist është mosha gjashtë vjeç pasi në këtë kohë nisë dalja e dhëmbëve të përhershëm. Në rastet e problematikave kapja e tyre në stade të tilla është shumë e mirë, pasi ndihmon në trajtimin e tyre të suksesshëm duke ruajtur dhëmbin, si dhe duke shmangur problemet më të rënduara që mund të shfaqen me kalimin e moshës. Duke mos njohur këtë shërbim gjatë kohëve të fundit është vënë re që një pjesë e madhe e njerëzve detyrohen që të vënë braketat në moshë më të rritur, ndërkohë që nevoja për mbajtjen e tyre ka qenë që në moshë më të vogël. Ndaj është e nevojshme që t’i mëshojmë sërish idesë së kontrolleve të hershme, pasi vetëm përmes tyre mund të shmangim në mënyrë të suksesshme të gjitha problemet që mund të shfaqen në shëndetin e gojës.

Ndalemi tek vendosja e aparateve ortodontike, konkretisht ku konsiston kujdesi për dhëmbët në këtë fazë?

Gjate vendosjes së aparateve të lëvizshme, ajo çka është me e rëndësishmja ka të bëjë me krijimin e një ure të mirë bashkëpunimi ndërmjet mjekut dhe pacientit. Nëse nuk ka bashkëpunim ndërmjet dy palëve atëherë mbajtja e aparatit për kohën e mjaftueshme tek pacienti mund të mos arrije në rezultat të kënaqshme. Vendosja e aparatit shoqërohet me vizita të shpeshta dhe herëpashershme që pacienti bën tek mjeku specialist, gjatë të cilave shikohet ecuria e përmirësimit të problemit që do të korrigjohet përmes aparatit.

Vendosja e aparateve a shkakton dhimbje, si dhe gjatë mbajtjes së tyre a është e nevojshme larja me e shpeshtë e dhëmbëve?

Vendosja e aparateve fillimisht mund të shkaktojë dhimbje, por që nuk janë të niveleve të rënda. Më shumë të krijojnë ndjenjën e bezdisjes pasi janë diçka e re në gojë. Por pavarësisht kësaj me ambientimin e tyre në pak ditë, pacienti mësohet dhe nuk i duket e pamundur mbajtja e tyre, apo të rrethohet nga ndjesia e dhimbjeve të forta. Praktika ka treguar që ambientimi me aparatin ndodh shumë shpejt dhe se pacientët nuk kanë pse të frikësohen apo të ndjehen të tillë, në rastet kur mjeku i kërkon vendosjen e aparateve. Normalisht që në të tilla raste higjiena duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe optimale, kjo veçanërisht në mbajtjen e mishrave të shëndetshme. Për këta pacientë këshillohet larja me kujdes e dhëmbëve, veçanërisht pas ushqimit, kjo me qëllim që të shmanget mbledhja e copëzave të ushqimit në pjesët e brendshme të aparatit. Larja menjëherë dhe me furçë të posaçme e shmang një problem të tillë dhe nuk krijon asnjë shqetësim për pacientin.

Për sa kohë është e domosdoshme mbajtja e këtyre aparateve (braketave)?

Nuk ka një ndarje të prerë me thikë se sa është kohëzgjatja e mbajtjes së këtyre aparaturave. Megjithatë këtu duhet të theksojmë se janë pikërisht problemet e konstatuara me dhëmbët dhe nofullën ato që udhëzojnë edhe kohën që pacienti duhet të mbajë aparatin. Në varësi të ecurisë së korrigjimit të problemit më pas veprohet dhe me heqjen e tyre. Kështu duke qenë se mbajtja nuk është fikse, ajo varion nga grada, si dhe nga mosha. Mund të shkojë nga një deri në pesë vjet, e them dhe një herë në varësi të problemit që ne duhet të korrigjojmë.

 

Vendosja e aparateve nuk shkakton dhimbje

Vendosja e aparateve fillimisht mund të shkaktojë dhimbje, por që nuk janë të niveleve të rënda. Më shumë të krijojnë ndjenjën e bezdisjes pasi janë diçka e re në gojë. Por pavarësisht kësaj me ambientimin e tyre në pak ditë, pacienti mësohet dhe nuk i duket e pamundur mbajtja e tyre, apo të rrethohet nga ndjesia e dhimbjeve të forta. Praktika ka treguar që ambientimi me aparatin ndodh shumë shpejt dhe se pacientët nuk kanë pse të frikësohen apo të ndjehen të tillë, në rastet kur mjeku i kërkon vendosjen e aparateve

Si duhen larë dhëmbët kur kemi aparat

Normalisht që në të tilla raste higjiena duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe optimale, kjo veçanërisht në mbajtjen e mishrave të shëndetshme. Për këta pacientë këshillohet larja me kujdes e dhëmbëve, veçanërisht pas ushqimit, kjo me qëllim që të shmanget mbledhja e copëzave të ushqimit në pjesët e brendshme të aparatit. Larja menjëherë dhe me furçë të posaçme e shmang një problem të tillë dhe nuk krijon asnjë shqetësim për pacientin.

 

Domosdoshmëria e vendosjes së aparatit

  • Së pari ndihmon në përmirësimin estetik të paraqitjes së gojës dhe dhëmbëve, pastaj sistemon problemet funksionale, çka çon në një shëndet më të mirë të gojës. Kjo e fundit nënkupton si shërimin e dhimbjeve, krijimin e kontaktit më të mirë ndërmjet dhëmbëve, nëpërmjet pozicionimit të dhëmbëve siç duhet sigurohet edhe një higjienë më e mirë etj.
  • Ndihmon në korrigjimin e shumë defekteve, të cilat mund të jenë të lindura ose të fituara me rritjen, siç janë palatumi që ka të bëjë me qiellzën e ngushtë, jep probleme si në rreshtim të dhëmbëve ashtu edhe probleme respiracioni. Këta persona, kryesisht bëjnë respiracion oral, çka do të thotë që gjatë natës ata marrin frymë përmes gojës. Këta pacientë janë më të predispozuar për të shfaqur më pas edhe probleme të proceseve karioze, etj.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *