Që nga data 1 Qershor, konsumatorët që kanë një kredi në monedhë ndryshe nga ajo që merr të ardhurat, kanë të drejtë të kërkojnë ndryshimin e saj në bankën që kanë dhënë huan.
Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re, ku çdo qytetar, që ka kredi konsumatore apo me kolateral, mund të kërkojë ndryshimin e monedhës.
Në rast se keni një kredi në Euro por paga mujore është në Lekë, atëherë keni të drejtë të ndryshoni kredinë në monedhën që merrni rrogën. E njëjta gjë do të vlejë edhe për kreditë që janë në Dollarë apo në Lekë.
Banka Qendrore sqaron se, kursi i këmbimit për monedhën që do të ndryshohet merret si referencë në ditën që kryhet konvertimi i kredisë, ndërsa norma e interesit do të përcaktohet mes palëve që bëjnë ndryshimet në kontratë.
“Kursi i këmbimit me të cilin do të realizohet konvertimi i monedhës së kredisë, do të jetë kursi zyrtar i bankës në ditën që kryhet konvertimi, nëse nuk përcaktohet ndryshe në kontratë. Ndërsa norma e interesit në këtë rast pas konvertimit, do të përcaktohet si gjithnjë në marrëveshje midis palëve në kontratën e kredisë ose në ndryshimet apo shtesat e saj.”
Rregullorja detyron tashmë edhe bankat që të japin informacion për klientët, të cilët marrin kredi në monedhë të ndryshme nga ajo që kanë të ardhurat.
Kjo nismë është pjesë e paketës së deurizimit, dhe synon uljen e stokut së kredisë në euro.
s.a/dita
