Pep Guardiola, trajneri i Manchester City, është shfaqur në një konferencë për shtyp para mediave, pas një jave të komplikuar të të tijve, që pësuan dy humbje radhazi, në Premier League dhe Champions.
Pas disfatës 3-0 në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve në “Anfield”, “qytetarët” u rrëzuan në shtëpi edhe nga Manchester Unitedit (2-3), megjithatë Pep Guardiola vazhdon të mbrojë ekipin që drejton.
Ai beson se Manchester City ka ende kanë shumë për të thënë.
Lidhur me opsionet e përmbysjes së disavantazhit 3-0 ndaj Liverpool, trajneri katalanas tha: “Për të përmbysur na duhet të bëjmë një ndeshje pothuajse perfekte. Duke pasur shumë mundësi, shpresoj të mos japim dhe marrim pak. Në sport çdo gjë mund të ndodhë. Futbolli, ashtu si jeta, është sfidues.
Ne s’duhet të mendojmë për sa gola duhet të shënojmë, por të realizojmë të parët. Të bëjmë atë që kemi treguar në këtë sezon, deri para dy ndeshjeve të fundit. Ne jemi të aftë të krijojmë shumë raste, jo vetëm për golat që kemi shënuar, por edhe për shanset që kemi humbur. Kampionët e mi po kuptojnë se si t’i kontrollojnë emocionet”.
Po stili i lojës, përmes të cilit do të synohet përmbysja ndaj Liverpool? Pep përgjigjet: “Mënyra se si kemi luajtur gjatë gjithë sezonit tashmë tregon se çfarë duam të bëjmë. Ekipi im është i jashtëzakonshëm. Ekipi im nuk është i krahasueshëm me shumë të tjerë, është i nivelit të lartë.
Unë do të luaj si deri më tani, pa marrë parasysh se çfarë ndodh në këtë sezon. Jam shumë i lumtur për mënyrën si kemi luajtur në disfatën kundër Manchester United, por ama nuk dua të humbas. Askujt nuk i pëlqen humbja, por si luajtëm pas rezultatit 2-3 ishte e mahnitshme, nuk mund të them asgjë tjetër”.
a.s/dita
