Lodhja gjatë fluturimit me avion, e njohur ndryshe si: “desynchronosis”, është një çrregullim i përkohshëm që shkakton lodhje, pagjumësi dhe simptoma të tjera si rezultat i fluturimit ajror në të gjitha zonat ajrore dhe konsiderohet si një çrregullim i ritmit të qarkullimit të gjakut.
Shpesh njihet edhe si çrregullim i orës së brendshme të organizmit. Mjekja Ilda Xhelili thekson se përpara se të përshkruajmë shenjat klinike të këtij çrregullimi, duhet të sqarojmë së pari se çfarë është zona kohore.
Çfarë kuptojmë me zona kohore?
Përkufizimi i një zone kohore është një rajon gjeografik i cili ka të njëjtën kohë (orë) brenda saj. Bota ka
24 zona kohore, një për çdo orë të ditë-natës. Çdo zonë shkon nga veriu në jug në shirita të gjerë që janë rreth 1000 milje, ose 1600 kilometër të gjerë. Gjerësia aktuale e secilës zonë ndryshon për të përshtatur kufijtë politikë dhe gjeografikë.
Ndërsa toka rrotullohet, agimi (lindja e diellit) ndodh në një orë të caktuar në një zonë kohore, pastaj një orë më vonë në zonën kohore pasardhëse në perëndim dhe kështu me radhë përmes 24 cikleve. Kështu për shembull në SHBA që kanë një shtrirje të madhe gjeografike, kemi orën 6 të mëngjesit në zonën lindore, orën 5 të mëngjesit në zonën qendrore, orën 4 të mëngjesit në zonën malore dhe orën 3 të mëngjesit në zonën e Paqësorit.
Ose në lidhje me vendin tonë, ne jemi gjithmonë 6 orë përpara se Neë York. Nëse tek ne është ora 12.00 e drekës, në New York është 6.00 e mëngjesit. Nëse udhëtojmë nëpër zona të ndryshme kohore (veçanërisht kur udhëtojmë shpesh) atëherë mund të kemi çrregullime të ndryshme.
Cilat janë shenjat më të zakonshme në këto raste?

Përveç lodhjes dhe pagjumësisë, të cilat janë shenjat më të shpeshta, një person mund të përjetojë një numër simptomash fizike dhe emocionale duke përfshirë: ankthin, kapsllëkun, diarrenë, konfuzionin, dehidrimin, dhimbje të kokës, nervozizmin, çrregullime të ushqyerjes, nauze (të përziera), vështirësi në përqendrim, djersitje, ndjesia e të qenit i sëmurë madje ndonjëherë edhe humbje të përkohshme të kujtesës (në raste shumë të rralla).
Disa individë raportojnë edhe çrregullime të ritmit të zemrës. Fëmijët dhe foshnjat gjithashtu mund të pësojnë të njëjtat çrregullime si të rriturit. Në përgjithësi njerëzit që përjetojnë simptoma të tilla nuk kanë nevojë për një vlerësim mjekësor, vetëm në rastet kur ato paraqiten në forma të rënda dhe zgjasin shumë.
Sa kohë mund të zgjasë një situatë e tillë?
Shërimi varet në përgjithësi nga numri i zonave kohore të kaluara gjatë fluturimit. Nëse kalojmë në dy zona të ndryshme kohore, trupi do të përshtatet përgjithësisht brenda një dite. Nëse kalojmë për shembull në 6 zona kohore (kur fluturojmë drejt zonave të largëta si për shembull drejt SHBA), trupi do të përshtatet në mënyrë tipike brenda tre deri pesë ditëve.
Kjo situatë është e përkohshme prandaj dhe prognoza (ecuria) është e shkëlqyer dhe shumica e njerëzve do të shërohen brenda pak ditësh. Komplikacionet dhe vonesat janë jashtëzakonisht të rralla. Kujdes duhet të tregojnë personat që vuajnë nga probleme të zemrës, ose të depresionit.
Por pse ndodhin çrregullimet në organizmin tonë?
Shkaku është pamundësia e përshtatjes së menjëhershme më orën e një zone tjetër. Kështu, kur një person mbërrin nga New York në Paris, ose Tiranë, në mesnatë të orës së Parisit, apo Tiranës, trupi i tij vazhdon të veprojë me orën e New York-ut. Pra mesnata e Parisit është ora 6 e pasdites në New York dhe organizmit nuk i ka ardhur akoma ora e gjumit të natës, ndërkohë që në Paris, ose Tiranë të gjithë flenë. Ndërsa organizmi përpiqet të përshtatet me orarin e ri, mund të instalohet pagjumësi e përkohshme, nervozizëm dhe aftësi të kufizuara për t’u përqendruar. Po ashtu ndryshimi i orarit të shkuarjes në banjë mund të shkaktojë kapsllëk, ose diarre dhe truri mund të çorientohet apo hutohet nga oraret pasi ai përpiqet të përshtatet.
Si e ruan organizmi ynë orën e tij të brendshme?
Organizmi ynë ka një lloj ore të brendshme biologjike që ndjek një cikël të rregullt 24 orësh dhe që quhet ritëm qarkullues. Një pjesë e vogël e trurit, e quajtur hypothalamus vepron si një orë alarmi për të aktivizuar funksione të ndryshme të trupit, siç janë uria, etja dhe gjumi.
Gjithashtu rregullon temperaturën e trupit, presionin e gjakut, nivelin e hormoneve dhe të glukozës (sheqerit) në gjak. Për të ndihmuar trupin perceptimet e dritës dhe të errësirës. Pra kur syri i një udhëtari ajror percepton agim, apo muzg shumë orë më herët, ose më vonë se zakonisht, hipotalamusi mund të shkaktojë aktivitete, për të cilat organizmi ynë nuk është i gatshëm të përshtatet apo të perceptojë kohën e ditës, fibrat e nervit optik (të syrit) transmetojnë në hypothalamus.
A ka rëndësi drejtimi i fluturimit?
Po, ka rëndësi. Udhëtarët që fluturojnë në veri, ose në jug, ruajnë të njëjtën zonë kohore, kështu që edhe shqetësimet do të jenë më të pakta. Udhëtarët që fluturojnë drejt lindjes kanë më tepër probleme, pasi ata e “humbasin” kohën.
Për shembull kur një udhëtar fluturon nga Uashingtoni në Mekë (Arabia Saudite) humbet 8 orë. Ushqimi, gjumi, zakonet e zorrëve dhe rutinat e tjera të përditshme janë shtyrë përpara 8 orëve. Ndërsa udhëtarët që udhëtojnë në perëndim “fitojnë” kohën dhe zakonisht kanë përshtatje më të lehtë se sa udhëtarët e Lindjes. Megjithatë, edhe këta duhet të përshtaten me një plan tjetër, të ndryshëm nga vendi i origjinës. Sa i përket ashpërsisë së simptomave, në njerëz të ndryshëm ato janë të ndryshme, e lidhur kjo ngushtë edhe me situatën individuale shëndetësore.
Përdorimi i alkoolit gjatë kësaj kohe mund t’i përkeqësojë shenjat klinike. Prandaj ai duhet shmangur gjatë dhe pas fluturimit sepse shkakton dehidrim, të përziera, prish oraret e gjumit.
Po ashtu edhe kafeina mund t’i japi këto efekte. Ajo ndikon gjithashtu edhe në rritjen e ankthit dhe nervozizmit prandaj është mirë që pijet me përmbajtje kafeine, si: kafe, coca-cola të shmangen.
Këshillohet të pihet shumë ujë për të neutralizuar efektet e atmosferës së thatë brenda avionit. Gjatë
udhëtimeve të gjata, këshillohen lëvizje në avion për të ruajtur tonusin muskular dhe për të parandaluar trombozat.
Nuk duhet të harroni të përtypni çamçakiz vazhdimisht, për të balancuar presionin atmosferik në të dy anët e membranës së veshit. Vishni këpucë dhe rroba të lirshme për t’u ndjerë komodë gjatë fluturimit.
Në lidhje me medikamentet e gjumit duhet të këshilloheni me mjekun përpara fluturimit në mënyrë të veçantë për fëmijët. Por, kryesore është që nëse udhëtimet e gjata janë herët të planifikuara, mundohuni të përshtatni oraret e ushqyerjes dhe të gjumit gradualisht përpara fluturimit./ DITA
p.k/dita
