Ilirian Ballaj
Është mirë të kthehemi tek e shkuara, është mirë ta kujtojmë atë, sepse është pjesë e jetës sonë. Disa thonë se e shkuara jeton bashkë me ne, e kemi ndën lëkurë, na ndjek pas si ajo hieja, të tjerë thonë se ngjan me këngët e ëmbla të sirenave të mitologjisë greke e të fton të shkosh atje, të tjerë se duhet ta shprushim atë e t’i ndezim thëngjijtë duke i lënë hirin e marrë zjarrin, të tjerë se duhet të ecim përpara edhe duke e kthyer kokën, jo kohën pas. Sidoqoftë, kush nuk njeh të shkuarën, nuk di kush është, por nuk di edhe ku shkon. Në vitet 1966-’67-’68, rinia shqiptare punoi për hapjen e trasesë të rrugës së Malësisë së Madhe. Unë jam një ndër qindra aksionistët që punuan atje për dy muaj, në Grabon, pranë Leqeve të Hotit, në muajt qershor dhe korrik 1967.

Në vitin 1966 vetëm sa u inaugurua fillimi i punimeve, vetëm sa u hap fronti i rrugës së Malësisë së Madhe. Në fillim me pak aksionistë fshatrash, që ngritën një sektor në Tamarë e hodhën disa lopata për sistemimin e vendit ku do të vinin aksionistët më pas, e ky vit u mbyll me aq, pa ndonjë njohje publike, pa ndonjë reklamë e propagandë sikurse ishte koha. Po në këtë vit qeveria e atëhershme kishte vendosur, që aksionin për hapjen e rrugës së Malësisë së Madhe, ta bënte me ushtarë e me studentët ushtarakë. Në vitin 1967 vendosi që atë rrugë ta bënte edhe me studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme të gjithë vendit. Në muajin maj të atij viti kishte shkuar e ishte vendosur në Rapsh Shkolla e Bashkuar e Oficerëve dhe punonte në çarjen e kthesave të Leqeve të Hotit. Ajo ishte një rrëpirë e frikshme ku nuk mund të qëndroje në këmbë e jo më edhe të punoje. Megjithatë ata punonin atje e kishin bërë shumë për hapjen e asaj rruge, që do të vazhdonte edhe më tej, Tamarë deri në Vermosh.
Metoda e aksionit po ndërtonte në mënyrën më vullnetare Shqipërinë. Ajo quhej një metodë revolucionare, por përpos kësaj, aksionet bënin punë në interes të shoqërisë. Ata edukonin tek rinia ndjenjën e punës, kanalizonin energjitë në punë të dobishme, shmangnin sorollatjet, parazitizmin e veset dhe gjallëronin jetën shpirtërore të saj me argëtime si mbrëmje, ekskursione, aktivitete sportive, krijimtari artistike, kulturore, etj.
Kam në kujtesën time disa momente për jetën dhe punën në aksionin e hapjes së rrugës së Malësisë së Madhe. Natyrisht kam edhe disa impresione. Ato janë shumë, e dëshiroj të shpërfaq disa prej tyre, për të rikujtuar të shkuarën, mbase nostalgjinë tonë, për të ndjerë freskun e moshës, atmosferën e bukur të saj, të kujtojmë lodhjen, por të kujtojmë edhe punën që bëmë atje për dy muaj. “Sa herë që s’më zë gjumi e dua ta ftoj të vijë- shkruan një ish president amerikan në kujtimet e veta- jetoj rininë e sikur shëtis në kopshtet me dëborë”. Të rikthesh kujtesën për Vermoshin do të thotë të rinohesh, të ndjesh oksigjenin e pishave e aheve shekullorë të atij konfiguracioni, të ndjesh freskinë e flladit të bjeshkëve, gurgullimën e Cemit të ftohtë e të pastër si loti, që sot janë jo vetëm aq, por një zonë brilante e turizmit dimëror e veror, një zonë si rrallë të tjera jo vetëm në vendin tonë, por në tërë Europën.
Distanca Shkodër-Vermosh zë një gjatësi tek 95 kilometra, ndërsa Lugina e Vermoshit, në të cilën do të ndërtohej rruga, zinte tek dyzetë kilometrat. Vetëm ajo Tamarë-Vermosh ishte 25 të tilla, e diçka më pak segmenti Rapsh-Tamarë. Këto ishin dy segmente që do të hapeshin trase për të ndërtuar në të pastajmen rrugën automobilistike përgjatë tërë asaj lugine. Rruga automobilistike për atë kohë vinte deri në Rapsh e mandej njerëzit e luginës i shtroheshin asaj në këmbë e me kuaj. Njerëzve të asaj treve u ishte mbyllur edhe mundësia e shkuarjes në Mal të Zi e rruga për Shkodër, vajtje dhe ardhje, u kushtonte plot pesë ditë.
Në muajt qershor-korrik puna u shtua, shkoi atje Instituti Pedagogjik i Tiranës me tetëqind studentë, i bazuar në Grabon, buzë lumit Cem. Kishte detyrë të punonte në segmentin: Grabon-Tamarë. Më tej, në segmentin Tamarë-Vlush, ishte Instituti Pedagogjik i Shkodrës dhe Shkolla e Mesme Zooveterinare, edhe ata me një përbërje prej 800-1000 vetë. Lugina e Vermoshit u gjallërua si asnjëherë tjetër me banorë të ardhur nga e gjithë Shqipëria dhe u ndez flakë nga puna e nga dritat e qytezave që ishin ndërtuar në Rrapsh, në Grabon dhe në Tamarë. Por gjallërinë e madhe e sillte puna e palodhur e të rinjve, që niste në orën gjashtë të mëngjesit e përfundonte në orën shtatëmbëdhjetë pas dite. Jetesa bëhej në çadra ushtrie dy vetëshe të ndërtuara bukur, me sistem e rregullin e fushimeve ushtarake. Aty ishin mensat fushore të ndërtuara bukur, pranë ishte uji i pijshëm i Cemit që në mëngjes e gjenim të ngrirë anash gurëve ku gurgullonte.Vetëm darka hahej në kamp, ndërsa mëngjesi dhe dreka në vendin e punës, në gaveta ushtrie e që këtë punë e bënin ekonomatët me shumë korrektesë. Ajo gjellë na shijonte shumë, nga lodhja e mosha.
Organizimi ishte ushtarak, me komandantë e komisarë, me ruajtje nga ushtarë, sepse kufirin e kishim dyzet metra larg. Gjithçka tjetër si furnizimi, gatuarje, shërbimi mjekësor, baza materiale për punë, ekonomia ndihmuese ishin nga Korpusi ushtarak i Shkodrës, patjetër me fondet që i kishte vënë në dispozicion shteti. Nga Korpusi i Shkodrës kishte një vëmendje maksimale për tërë problemet, të jetës dhe të punës, krahas kërkesave të Komitetit Qendror të Rinisë e të zotit Agim Mero, për atë kohë sekretar i parë. Aksionin, veç gazetave të tjera, e ushqenin edhe dy të tilla, “Zëri rinisë” dhe “Aksionisti”. Aty punonte gazetarja e këtyre dy gazetave, vajza e urtë e pena e mirë Luçie Doçi. Emulacioni i përditshëm bëhej po aty, në kampin e punës së rinisë. Mbrëmjet e vallëzimit i kishim shumë dëshirë, por argëtoheshim vetëm aq sa lejonte koha, që të mos lodheshim shumë nga që të nesërmen duhej të ishim në punë. E shpesh e shkelnim atë rregull. Por komanda ushtarake na fikte dritat elektrike të gjeneratorit kur vonoheshim, e gjithçka mbyllej.
Punuam dy muaj dhe u lodhëm shumë. Por lodhjen nuk e ndjenim, sepse aksionin e konsideronim një detyrë. Kishte edhe vëmendje nga shteti i kohës, le ta themi, pasi ishte një fakt që nuk duhet mohuar. Shkonim me këngë në punë e ktheheshim me këngë. Aq të mërzitur u bëmë me këngët revolucionare e rreshtore që i këndonim në mëngjes gjysmë të përgjumur, sa që në një rast shokët ia shkrepën: Viti ri nëpër vitrina/…e që patëm edhe andralla me atë shaka që bëmë. Puna ishte shumë e vështirë, thërmohej shkëmbi me mina që i bënte ushtria, ndërsa ne spostonim gurët. Shumë prej nesh punonin në hapjen e gropave të minave, në shkëmb, lidhur me litarë të zakonshëm kuajsh prej kërpi dhe, që asnjëri prej tyre nuk u këput. Mjetet e punës ishin baromina, vareja e rrallë kazma e lopata, sepse terreni ishte shkëmbor. Gjatë gjithë kohës që punuam shkëmbin e kishim mbi kokë, por ne asnjëhërë nuk e kuptonim rrezikun. Punonim dy e nga dy, njëri mbante barominën e tjetri e godiste atë, e duke u ndërruar. Trupi na ngarkohej me pluhurin e gurit të bluar që ngjitej nga djersa, e pasi thahej, lëkura jonë merrte pamjen e shpinës së krokodilit. E në gjysmëorëshin e drekës, pasi përmbysnim gavetën, kridheshim në Cemin akull, freskoheshim e largonim baltën. Pjesa dërrmuese e aksionistëve ngarkohej me stimuj “sulmues”. Një shok ynë, Sali Likcani nga Burreli, nga që punonte shumë, u ngarkua aq tepër me dinstiktivë, sa që ia montuan edhe në krahë. Të rinj që dallonin në punë e që derdhën djersën lumë në atë aksion ishin studentët Safet Hanellari, i paharruari Shpëtim Qatipi, Qamile Balili, Evanthi Suli, Ali Qaseja, Kalem Kalemi, Llambi Vokopola, Naunka Goga, Safet Ramolli, Remzi Nevraj, e shumë të tjerë.
Në pasdite bënim sportin e peshkimit. Zinim troftë të ujit të ftohtë të Cemit, për të cilën një shoku ynë thoshte se “Është budallaçkë, fluturon në ajër për të shkuar te grepi”. Me sukses ushtrohej edhe mishi i pjekur i kecave. Nga që kishte shumë e tregun e kishin larg, i shisnin falas. Kishim aftësuar studentë që kishin punuar arsimtarë më parë e pastaj kishin ardhur në shkollë, disa jugorë të Kurveleshit e Lumit të Vlorës, që ia dinin marifetin mishit të pjekur në hell. Zona ishte shumë e varfër, por me një shpirt të madh, na donin e na respektonin, vinin pranë trasesë e na shikonin si punonim. Mbaj mend vetëm emrin e një plaku të mirë e nuk ia mësova mbiemrin, që vinte shpesh, ulej në anë rrugës e tymoste duhan, xha Luigji, që thoshte se edhe mbreti Zog kishte folur se do ta ndërtonte atë rrugë, por s’kishte mundur, apo nuk kishte arritur ta bënte, këtë s’e dinte, por edhe Enveri e kishte vonuar ca. Por më mirë vonë se kurrë-shtonte ai duke e rregulluar situatën. Kishin shumë bagëti të imëta, sidomos dhi, kishin shtëpi të larta e me çasti alpine që të mos mbanin borë në shpinë. Kishin fare pak tokë në rrëpira buzë lumit, që kur e ujisnin misrin, i shtronin fier të njomë dhe e mbanin atë me duar, që të mos rrëshqiste dheu në lumë. Kishte shkolla fillore e shtatëvjeçare, qendra shëndetësore e maternitet në lokalitetin e Tamarës. Megjithatë, zona jetonte vështirësitë e kohës.
Shtabi i drejtimit ishte kryesisht prej ushtarakësh, por edhe me studentë, që e drejtonte një oficer me emrin Hate Shabani, një kërkues i rreptë. Komandat i aksionit ishte një student vlonjat i organizuar në parti e që ishte edhe pak më i madh në moshë se ne nga që kishte qenë mësues më parë e pastaj kishte ardhur në shkollë, Kujtim Leskaj, një djalë i vullnetshëm, punëtor dhe i organizuar në parti. Por ajo që na la më shumë mbresa ishte ishgjenerali, Qazim Kapisyzi.Them ish gjenerali, se nuk jeton më, por edhe sepse një vit më parë, ishin hequr gradat në ushtri e ushtarakët ishin veshur me dokun kinez e nuk dallonte nënoficeri nga gjenerali. Ai ishte një trup i gjatë, i drejtë, i pashëm, serioz edhe i ashpër në dukje, por me ne studentët, në komunikimet që kishte, seç e shoqëronte një lloj buzëqeshje e lehtë, duke përkulur trupin si për të na dëgjuar mirë, apo për t’u afruar me ne nga që, sikurse thashë, ishte shumë i lartë. Gjithçka ishte në vartësi të Korpusit të Shkodrës. Iu ankuam se gatuhej shumë keq. Ai në shprehjet e veta, duke përdorur një regjistër të të folurit të thjeshtë, konfidencial, familjar, shqiptonte shpesh “bijtë e mi” dhe këtë e bënte shumë ëmbël dhe shumë natyrshëm. E bënte sepse kishte marrë kulturën perëndimore, apo që si ne kishte edhe ai fëmijët e tij e mbase edhe në aksione, e ne e përftonim atë ngrohtësi. Ai shkoi në Shkodër dhe, me autoritetin që kishte, solli tek ne gjithë kuzhinën e turizmit të Shkodrës. Gatuarja bëhej me program javor, kreu i kuzhinës ulej me ne e na merrte dëshirat, dhe jo vetëm cilësia e gatuarjes që u rrit, por as edhe mizën nuk e pamë në kapanonin e ushqyerjes. Kur ne iu ankuam, një ushtarak pranë tij ngriti dorën në shenjë nervozimi, por gjenerali i hodhi vështrimin e tigrit dhe ai u kërrus duke zgjatur kokën para e duke nxjerrë kurrizin.
Ajo rrugë ka për të ngelur sot e mot vepër e rinisë, rruga e djersës, e lodhjes, e mundimit, e stërmundimit, por edhe e jetës dhe e mirësisë për të gjithë, rruga e turizmit malor sot. Shumë shkruajnë se Vermoshi është një çengel ku varet Shqipëria, disa i krahasojnë Leqet e Hotit me kthesat e Llogarësë, të tjerë shkojnë edhe më tej duke e krahasuar me rrugë të Italisë veriore. Ballkoni i Rapshit, asfaltimi i rrugës, veprat e artit që janë ndërtuar përgjatë saj e kanë bërë të bukur, edhe më e bukur do të bëhet kur të asfaltohet edhe pjesa tjetërTamarë-Vermosh.
E aty me siguri është një pllakë përkujtimore si një memorje ku shkruhet se atë rrugë e bëri rinia shqiptare nga e gjithë Shqipëria. Por një pllakë memoriale do të ishte pak, atje duhet të jetë një memorial madhështor, një përmendore e madhe e rinisë, që të shprehë rininë, forcën e rinisë, punën e saj dhe përkushtimin për punën që bëri. Kjo më kujton një thënie të poetit të madh popullor Lefter Çipa: “Sa do t’i shkonte Bregut një statujë e madhe e Vajzës së Valëve, atje buzë ujit, që pret atë kë pret /dhe një dhimbje ndjen”. E mund të themi se sa do t’i shkonte asaj rruge fytyra i rinisë së aksionit, në ballkonin e Rapshit, apo gjetkë pranë saj. Le të shpresojmë!
Ishim tremijë studentë që punuam në Vermosh në muajt qershor dhe korrik të vitit 1967. E të tjerë punuan edhe më vonë. I përfunduam segmentet e rrugës tri ditë para afatit, që kapnin distancën tek njëzet kilometra, ku asnjëri për çudi, nuk humbi jetën. Vetëm një mushkë që sillte miellin e bukës sonë fluturoi në humnerë e që ne e varrosëm si të ishte njeri. Edhe në një rast që rrëshqitën gurë nga minat që bënte Shkolla e Bashkuar e Oficerëve në Leqet e Hotit e që përshkuan një faqe të tërë mali, asnjëri nga ne që punonim poshtë nuk e humbi jetën, as u gërvisht. Ajo e papritur u komentua si rastësi, si vepër e armikut të klasës, e turli fantazish të tjera. Gurët u përplasën në shkëmb, fluturuan lart mbi kokat tona e shkumuan në Cem. Ne poshtë gurëve, nëpër ta, e asnjeri nuk u dëmtua.
Shkodra, edhe kur shkuam edhe kur erdhëm nga aksioni, na ka pritur në mënyrën më madhështore. Në ardhje u gdhimë atje një natë, kjo u bë me kërkesë të qytetarëve shkodranë. Na kanë pritur në mënyrën më shembullore, tamam si kryemiq dikur në dasmat e tyre, disa u bënë shumë familje bashkë e shpërthyen në një dasmë të madhe jashtë, në verandat e Shkodrës. Mbaj mend se Shkodra atë natë u gdhi mes muzikës, mes jareve shkodrane e këngëve rinore.Të nesërmen na përcollën të larë, të ndërruar, të furnizuar me ushqime si të ishim fëmijët e tyre, duke na thënë: “Na kujtoni, na gjeni kur të vini në Shkodër”.

Me vjen mire qe me kujtove ate aksion rinijet.Fushimin e kemi pas ne Grabon.Ke then te verteta,po te mishi i kecit ja ke fute kote.Po jua fali se te tjert do kishin rrejt edhe ma shume.
Per here te pare shkroi mire ky Mark Ujku! Se cdo gje,edhe lindjen e tij nen shtypjen e diktatures e quan gabim.
Asnje koment !
Per nje aksion vullnetar te rinise heroike shqiptare….
.
Imagjinoni sikur keto fisnike te kerkonin parate e pa paguara nge “diktatura kamuniste”
Dhe per cudi kjo rruge qe po conte Enveri ishin ne trevat e FranShkrelit dhe Elezbiberit dy nga antishqiptaret me te medhenj per te gjithe kohrat qe per fat te keq jetojne ne Amerike dhe ne vitin 1991 i bene gjemen atij vendi me Azem Hajdaret e tropojes dhe alispahite e shkodres…
Nderim per respekt per kete brez te lavdishem !
Mallkim per ato kriminele qe bene rrugen e kombit miljarda dollare dhe akoma merren me ca bedele kukukukukuksiane qe po kryqzojene Edi Ramen dhe mbyllen gojen per perbindeshin berishe & devil sons
.
Krahesoni keto dy kohe !
Cfare te krahasojme!
Mark .U.K qe nuk i rrin bytha rehat difton qe fushimin e kishin ne Grabon.Po ama per mish kecit ia ka fute kote.Per kete ia u fal sepse te tjeret do kishin rrejt edhe ma shume.
Po per rrugen e kombit z.Mark .U.K cfare din me na bind.Nga shkuan eurot.Ajo u shemb para se te inagurohet.Ndaj komenti i dyte asht per ta patur respekt me sa vertetesi i rradhit fjalet me rrealitetin e kohes nga koha e atehereshme ne kohe sot