Pasojat që shkaktojnë ngushtimet e kanalit urinar

Pranvera Kola

 

Pranvera Kola

Prej ngushtimeve të kanalit të urinës rrezikojnë më shpesh meshkujt, e veçanërisht ata që janë të detyruar që të kryejnë ekzaminime dhe procedura të shpeshta mjekësore. Nëse kjo problematikë nuk trajtohet në kohë, shoqërohet me ndërlikime të shumta. Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon se cilat janë shkaqet që çojnë në shfaqjen e kësaj gjendjeje, e cila në gjuhën mjekësore njihet si “striktura e uretrës”, simptomat me të cilat shoqërohet, si dhe këshillat se si duhet trajtuar.

Çfarë është striktura e uretrës?

Uretra është një kanal që realizon nxjerrjen jashtë të urinës nga fshikëza e urinës (vezika urinare). Tek meshkujt uretra është një strukturë e hollë që kalon në gjatësinë e penisit. Tek femrat është pak më e shkurtër dhe ka një gjatësi rreth 3 deri në 4 centimetra. Uretra ka një muskul unazor që normalisht mbyllet për të mbajtur urinën brenda fshikëzës. Kur fshikëza mbushet me urinë do të hapet valvula e uretrës për të lejuar daljen jashtë të urinës.

Kjo realizohet nëpërmjet një kontrolli të vullnetshëm. Striktura uretrale i referohet çdo ngushtimi të uretrës për çfarëdo arsye, pavarësisht nëse ndikon, ose jo në nxjerrjen jashtë të urinës. Striktura uretrale është shumë e zakonshme tek meshkujt në krahasim me femrat, tek të cilat kjo situatë konsiderohet mjaft e rrallë.

Cilët janë faktorët e rrezikut dhe shkaqet e ngushtimeve të uretrës?

Së pari çdo inflamacion (infeksion) i uretrës mund të çojë në trashje të mureve të brendshme të saj, dhe si rezultat në ngushtim të kanalit uretral.

Ndikon edhe infeksioni i prostatës (prostatiti). Traumat janë arsye mjaft të shpeshta për zhvillimin e strikturave uretrale, si për shembull rrëzimet nga biçikleta me dëmtime të fshikëzës së urinës dhe uretrës në të njëjtën kohë, aksidentet me makinë që shoqërohen me dëmtime të kockave të legenit.

Po ashtu mund të ndikojnë procedurat kirurgjikale në atë zonë, ekzaminime të tilla, si: cistoskopia (rrallë) por edhe keqformime të lindura të uretrës, të cilat rrallë mund të shkaktojnë ngushtime të tilla.

Sipas një studimi, rreth gjysma e shkaqeve të strikturave të uretrës u takojnë procedurave mjekësore dhe manipulimit të uretrës (operacionet, vendosja e kateterit, ekzaminimi cistiskopik) dhe në rreth 1/3 e rasteve nuk u gjet asnjë shkak për strikturat (ngushtimet) uretrale.

Cilat janë shenjat e një ngushtimi uretral?

Këto simptoma mund të klasifikohen në shenja të buta dhe në shenja të ashpra, siç është retensioni urinar (paaftësia për të urinuar). Por striktura uretrale mund të jetë edhe asimptomatike (pa shenja klinike).

Megjithatë, ndër shenjat konkrete të këtij problemi rezultojnë të jenë: Vështirësia e fillimit të urinimit (hezitimi), urinim me dhimbje (dysuria), infeksionet e traktit urinar, mbajtja e urinës, presion i vogël i urinimit, gjaku në urinë (hematuria), gjaku në spermë (hematospermia), humbja e kontrollit të fshikëzës së urinës, urinimi i shpeshtë, si dhe përpjekjet e vështira që duhet të bëni për të urinuar”.

Si vendoset diagnoza?

Diagnostikimi bëhet në bazë të historisë së sëmundjes, ekzaminimit fizik të pacientit, si edhe ekzaminimeve të tjera.

Konkretisht, në listën e këtyre ekzaminimeve mund të jenë: “Ekzaminimi i urinës për infeksione të ndryshme përfshirë edhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme (gonorrea, sifilizi, klamidia), si dhe ekzaminimi i prostatës për infeksion ose tumore”.

Mjaft të rëndësishme edhe ekzaminimet radiologjike, të cilat gjithashtu ndikojnë shumë në përcaktimin e diagnozës (grafi të zonës së legenit, skaner apo rezonanca magnetike). Mund të kryhen edhe ekzaminime specifike nga mjekët specialistë urologë për përcaktimin e saktë të diagnozës së strikturës uretrale.

Si trajtohet kjo patologji?

Në përgjithësi për individët që vuajnë nga kjo problematikë rekomandohet trajtimi kirurgjikal.

Rrethanat më të zakonshme ku rekomandohet kirurgjia janë: “Probleme të rënda me urinimin (vështirësi gjatë urinimit, presion i dobët i urinës, paaftësia për të urinuar), kur ka gurë në vezikën urinare, në infeksione të përsëritura të aparatit urinar, rritja e urinës reziduale (urina e mbetur në fshikëz kur nuk kryhet zbrazja e plotë e saj nëpërmjet aktit të urinimit, si dhe kur dështojnë masat konservative për trajtimin e simptomave klinike (për shembull dhimbjet).

Në një përqindje të rasteve striktura uretrale mund të përsëritet edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale. Ecuria e trajtimit të sëmundjes në 95 për qind të rasteve është e mirë. Në ecurinë pozitive luan një rol të madh vlerësimi sa më i hershëm i problemit për identifikimin e strategjisë së trajtimit fillestar të përshtatshëm për të ulur në këtë mënyrë edhe shkallën e përsëritjes së patologjisë.

A mund të parandalohen ngushtimet uretrale?

Praktikisht nuk mund të parandalohen, pasi shkaqet më të zakonshme të kësaj patologjie janë të lidhura me dëmtime gjatë ekzaminimeve, manipulimeve mjekësore, apo traumave të ndryshme.

Për sa i përket sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, ato renditen ndër shkaktarët më pak të zakonshëm që mund të shkaktojnë ngushtime të uretrës.

Megjithatë, ato mund të parandalohen duke praktikuar seks të mbrojtur. Problem i madh mbeten kateterët, të cilët renditen ndër shkaktarët e shpeshtë të strikturave uretrale. Prandaj këto manipulime mjekësore duhen kryer me shumë kujdes dhe nga specialistët e duhur.

Kateterët mbeten më tepër problem i moshës së tretë pasi edhe patologjitë e aparatit urinar janë më të shpeshta në këtë moshë.

 

p.k/dita 

Share This Article
5 Comments
  • Pershendetje.Jam nje 47 vjecar,kam probleme me urinim.Shkoi te urinoi,por nuk po mundem (ne shumicen e rasteve).Edhe kur urinii,urinimin e bej pika pika,duhet ti jap zor vetit per te urinuar.Barku pothuajse me fryhet,me mban nen presion.Si te veproi ju lutem!

  • Pershendetje ju lutem kam probleme me urinim, nuk kam dhimbje as djegesim, por urinimin e bej me veshtersi e kam ndjenjen si ngushtim dhe mezi urinoj. Qfar duhet te beje skam pas ndonje traum apo aksident apo ndonje intetvenim me tregoni qfar eshte dhe a trajtohet kjo apo duhet te perdori ndonje terapi

  • Pershendetje. Jam nje burre 52 vjeç. Ndjej shume veshtiresi gjate urinimit dhe e kam problem me urinimin sepse kur shkoj te urinoi, ne shumicen e rasteve, urinimin e bej me veshtiresi dhe ne sasi te paket. Shpesh duhet te shterngohem me zor per te urinuar. Ne ekzaminim abdominal me rezulton qe fshikzen e urines mbetet nje sasi e madhe urine (rreth 250ml). Nuk kam aspak dhimbje, as djegie dhe as pika gjaku gjate urinimit. A ka ndonje medikament apo zgjidhje per kete anomali?

  • Pershendetje jam nje vajze 18 vjece . Kam shum veshtersi gjat urinimit ka raste qe dal ne banjo 10 her ne dit dhe nk mundem te urinoj , ngace nk mundem te urinoj kam edhe dhimbje veshkash . Ju lutem me jepni nje shphegim

  • jam nje burre 55 vjec kam probleme me urinimin kam djegje gjate urinimit dhe urinim te paket dal me veshtersi cfar ekzaminimesh me duhen

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *