Allegri: Nata e Madridit e bëri Buffonin edhe më të mirë…

DITA Online

 

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, skuadra e të cilit ra javën e kaluar në çerekfinale të Ligës së Kampioneve kundër Real Madridit, tha sot se kapiteni i bardhezinjve bëri mirë në “Bernabeu”.

Edhe pse Buffon përfundoi me karton të kuq, në momentin kur kontestoi fuqishëm penalltinë e akorduar nga kryesori anglez, në minutën e 93-të, Allegri beson se ai ishte “adrenalina” e ndeshjes.

“Nata e Madridit e bëri atë më të mirë, i dha më shumë adrenalinë. Kampionët jetojnë momente e netë të mëdha, edhe momente tensioni”, – tha Allegri në konferencën për shtyp.

Trajneri i Juventusit, i cili ishte finalist në edicionin e kaluar të Champions-it, pikërisht kundër Real Madridit, beson, gjithashtu, se ekipi i Zinedine dhe Bayern Munich, që do të takohen në gjysmëfinale, janë favoritë për fitoren përfundimtare: “Është normale që Bayern dhe Real Madrid, në këtë moment janë dy favoritët, por nga këto të dy do të përparojë vetëm njëri. Pra, finalja do të jetë e ndryshme me të gjitha të tjerat”.

Ai, gjithashtu, përgëzoi Romën, që eliminoi Barcelonën në çerekfinale, pas kapërcimit të një rezultati negativ 1-4 të ndeshjes së parë me fitoren 3-0 në kthim: “Roma është në gjysmëfinale dhe duhet ta përgëzoj atë, për atë që bëri. Arritja në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve është një rezultat i jashtëzakonshëm për Romën, unë nuk e di se sa kohë nuk e ka bërë këtë (nga viti 1984). Ajo ka opsione për të arritur në finale”.

Allegri theksoi se Juventusi tani duhet të përqendrohet vetëm në dy objektivat e mbetura, fitorja e titullit në Seria A dhe Kupën e Italisë. Skuadra bardhezi, e cila kryeson renditjen me gjashtë pikë përpara Napolit, do të vizitojë Crotonen nesër, përpara përplasjes direkte të së dielës së ardhshme kundër skuadrës napoletane.

Ne duhet të jemi të qetë dhe të mbajmë një profil të ulët. Kemi dy trofe për të arritur, të cilët janë “scudetto” dhe Kupa e Italisë, – shtoi ai. – Mes dy ndeshjeve të kësaj jave më e rëndësishmja është ajo ndaj Crotone. Ata janë duke bërë mirë, në shtëpi janë shumë të vështirë, kanë gjashtë pikë më shumë se sezonin e kaluar. Duhet të jemi të durueshëm e vëmendshëm, për të shkuar me +6 pikë ndaj Napolit”.

a.s/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *