Për të shmangur problemet me zhvillimin e embrionit, syve, artikulacioneve, kockave, lëkurës së shëndetshme, si dhe rezistencës ndaj infeksioneve të ndryshme, çdo grua shtatzënë nuk duhet të neglizhojnë marrjen e dozave të rekomanduara të vitaminës A.
“Sipas bluzave të bardha, kjo vitaminë mund të sigurohet nga ushqyerja e shëndetshme, teksa në raste të caktuara mund të kërkohet edhe marrja e shtesave nëpërmjet preparateve të gatshme. Niveli i duhur i vitaminës A në gratë shtatzëna, është po ashtu me shumë rëndësi, pasi ndikon në përmirësimin e shëndetit të mushkërive të porsalindurit”, shkruan Dita.
Në protokollin e praktikës klinike të hartuar nga ekspertët e dikasterit të shëndetësisë sqarohet se kjo vitaminë rekomandohet të merret rregullisht me anën e ushqimeve gjatë gjithë periudhës së shtatzanisë.
“Kërkesa për vitaminë A gjatë shtatzanisë është rreth 600-700 mikrogram në ditë. Mbas shtatzanisë, në fazën ushqyerjes me gji, doza duhet rritur në 1300 mikrogram në ditë, por gjithmonë me këshillimi e mjekut specialist”, bëjnë me dije ekspertët e shëndetit.
Sipas tyre, në ushqime vitamina A sigurohet në dy forma, që njihen si: “retinoli dhe karoteni”.
Konkretisht, retinoli është i pranishëm vetëm në ushqimet me origjinë shtazore. Ai është i tretshëm në yndyra. Mëlçitë, peshku, veza e qumështi me yndyrë janë të pasura me retinol.
Për gruan shtatzënë marrja e vitaminës A në formën e retinolit duhet mënjanuar, ose të jetë në kufij shumë të ulët.
Karoteni gjendet kryesisht në ushqimet me origjinë bimore. Karotenet janë përzierje të një substancë ngjyrë të verdhë-portokalli, që kthehet në organizëm në vitaminë A. Më të rëndësishme nga këto janë beta karotenet. Burimet e karoteneve janë zarzavatet dhe frutat me ngjyrë të verdhë në portokall dhe me gjethe jeshile të errët.
Sipas rekomandimeve të dhëna, gratë shtatzana në moshën 19 vjeçare, apo mbi 19 vjeç mund të marrin
deri në 770 mikrogramë vitaminë A në ditë.
Ndërsa ato në moshën 18 vjeçare, apo nën këtë moshë mund të marrin 750 mikrogram vitaminë A në ditë.
Vitamina A luan një rol themelor në zhvillimin e:
• Embrionit
• Syve
• Artikulacioneve
• Lëkurës së shëndoshë
• Membranave mukoze
• Zhvillimit të kockave
• Metabolizmit të lipideve
• Rezistencës ndaj infeksioneve
p.k/dita
