Pas spitaleve universitare të Tiranës, spitaleve rajonale të Durrësit, Shkodrës dhe Elbasanit, si dhe spitalit bashkiak të Librazhdit, shërbimi i sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë ka nisur edhe në spitalin rajonal të Vlorës. “Çka do të thotë se rreth 5 mijë operacione që kryhen çdo vit në këtë spital, tashmë do të zhvillohen me instrumente të rinj mjekësorë, duke ofruar më shumë siguri për pacientët, të cilët do të jenë më pak të kërcënuar nga infeksionet spitalore”, shkruan Dita.
Gjatë vizitës së zhvilluar sot në këtë spital, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se ky është një investim në drejtim të rritjes së sigurisë së pacientëve por edhe përmirësimit të punës së mjekëve.
“Ne do të përmbyllim shumë shpejt investimet në kuadër të programit të sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë për 50 mijë operacione në vit që kryhen në spitalet tona, duke ofruar më shumë siguri për pacientët dhe për mjekët një standard të ri të ofrimit të shërbimit”, vuri në dukje ministrja Manastirliu.
Shefi i Shërbimit të Kirurgjisë, dr. Besnik Elezi, u shpreh se me nisjen e këtij shërbimi janë reduktuar shumë infeksionet post-operatore.
“Realisht nuk kemi parë infeksione post-operatore me përdorimin e këtyre instrumenteve dhe cilësia por edhe sasia e veglave që përdorim sot nuk ka të krahasuar me ato që përdornim më parë”, tha dr. Elezi.
Nga ana tjetër, ministrja Manastirliu u ndal edhe te punësimet e reja që ka sjellë investimi i sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë. Janë 216 të punësuar deri tani dhe priten edhe 94 të punësuar të rinj me shtrirjen e investimit në të gjithë spitalet e vendit.
Më tej, ministrja shtoi se shumë shpejt edhe ky spital do të pajiset me aparatura të reja biomjekësore në kuadër të programit kombëtar të fuqizimit të spitaleve rajonale, me qëllim ofrimin e shërbimit sa më afër vendbanimit të qytetarëve.
p.k/dita
