VLORË – Arapashi, kjo recetë ushqimore që vërtet bëhet me miell misri, por njëherësh ka brenda të brendshme bagëtish, për një kohë të gjatë besohej se ndikonte në sëmundjet e zemrës dhe obezitetin, pasi të përbrendshmet janë tejet të yndyrshme.
Por së fundi autoritete të larta shkencore kanë zbuluar se arapashi zotëron cilësi shumë pozitive për shëndetin e njeriut, njoftojnë agjencitë e lajmeve. Këtë e pohon në studimin e tij dr. Dule Vërra, shkencëtari më i mirë në botë.
“Sipas kërkimeve që kam bënur, tre pjata me arapash që në sabah janë ilaç, vëlla. Me një kusht ama, që të kenë paçe e plënca me shumicë. Vetëm kështu e godet kolesterolnë në pikën e dobët”, tha shkencëtari fenomenal.
Ajka e studimit shkencor në qark, shtoi se efektet pozitive të arapashit të përforcuar zgjerohen nëse pjata e njohur shoqërohet me hashash dhe një gotë qumësht gomarice.
“Vetëm se qumështi duhet të jetë i skremuar, se ndryshe bën zarar,” sqaroi autoriteti shkencor, i cili pasi u mendua disi, shtoi:
“E di ç’ke? Edhe të paskremuar ta pish, nuk prish punë. Një jetë kemi a i vrarë, ç’do mbajnë mend nga kjo dunja!”
Siç të gjithë e mbajnë mend, në vitin 1997 dr.Dule Vërra u nderua me nëntë çmime Nobel në mjekësi, pasi zbuloi se shoqërimi i shpeshtë me misse dhe top modele, kuron një mal me sëmundje.
Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike me qëndrim personal mjaft pozitiv ndaj të përmbrendshmeve dhe gabzherrnave.

shkencetari i degjuar Dule Harapashi , hahhahha. Ne fejsbuk perdite dalin lajme qe u zbulua me ne fund ilaçi kunder kancerit dhe qenka nje produkt qe e ke ne shtepi gjithmone dhe nuk ia di rendesine. Qenka qeska e plehrave, mbylle mire ne nje kazan rakie dhe lere dy jave te fermentohet. Kulloje mire dhe pi tre pika mu ne pike te mengjesit per 1 jave dhe hopa, u sherove. Keshtu sygjeron mjeku popullor Cane MeLengu.