Malaria është një sëmundje kërcënuese për jetën, e cila shkaktohet nga parazitët që iu transmetohen njerëzve nëpërmjet pickimit të mushkonjave femra “Anopheles” të infektuara. Sot në “Ditën Botërore të Malaries”, autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik theksojnë se malaria është sëmundje e parandalueshme dhe e shërueshme, nëse masat parandaluese dhe trajtimi merren në kohën e duhur.
Sipas autoriteteve të ISHP-së, afrimi i sezonit turistik e shton edhe më tej frikën e përhapjes së sëmundjeve që shkaktohen nga pickimet e insekteve, e veçanërisht mushkonjave. Pickimet e tyre çojnë në shfaqjen e alergjisë, infeksioneve serioze të lëkurës, apo malaries.
Nëse kjo e fundit nuk trajtohet mbart edhe pasoja fatale për jetën. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar këshilluesin e plotë të përgatitur nga specialistët e ISHP-së, rreth formave se si shfaqet dhe transmetohet kjo sëmundje, shenjave klinike, si dhe masave parandaluese.
Çfarë është Malaria?
Malaria është një sëmundje kërcënuese për jetën, e cila shkaktohet nga parazitët që iu transmetohen njerëzve nëpërmjet pickimit të mushkonjave femra “Anopheles” të infektuara. Malaria shkaktohet nga parazitët e llojit “Plasmodium”.
Parazitët përhapen te njerëzit nëpërmjet pickimit të mushkonjave femra “anopheles”, të infektuara të cilat njihen si “vektorët e malaries”. Ka 5 lloje parazitësh që shkaktojnë malarien te njerëzit, dhe 2 prej tyre, përkatësisht “P. Falciparum” dhe “P. Vivax”, përbëjnë kërcënimin më të madh në përhapjen e malaries.
E para është paraziti më i përhapur i malaries në kontinentin afrikan dhe është përgjegjës për shumicën e vdekjeve të lidhura me malarien në nivel global. Ndërsa paraziti i dytë dominues i malaries ndodh në shumicën e vendeve të tjera.
Cilat janë shenjat dalluese të kësaj sëmundjeje?
Malaria është një sëmundje akute febrile. Në një individ jo të imunizuar, simptomat shfaqen zakonisht 10-15 ditë pas pickimit nga mushkonja e infektuar. Simptomat e para përfshijnë shenja të tilla, si: ethe, dhimbje koke dhe të dridhura.
Duke qenë se në stadet e para të sëmundjes simptomat mund të jenë të lehta në dukje, shpesh shfaqet e vështirë që këto shenja të lidhen direkt me malarien. Nëse nuk trajtohet brenda 24 orëve, malaria e shkaktuar nga “P. Falciparum”, mund të përparojë në sëmundje të rënda, duke çuar shpesh edhe në vdekje. Fëmijët me malarie të rëndë shpesh zhvillojnë një, ose më shumë nga simptomat e mëposhtme: “Anemi të rënda, vështirësi në frymëmarrje, ose malarie cerebrale”.
Te më të rriturit është e shpeshtë përfshirja e shumë organeve. Në zonat endemike të malaries, njerëzit mund të zhvillojnë imunitet të pjesshëm për shkak të infeksioneve asimptomatike (pa shenja të dukshme klinike).
Cilat janë kategoritë që rrezikojnë më tepër për t’u prekur nga malaria?
Disa grupe të popullsisë janë në rrezik dukshëm më të lartë për t’u prekur nga malaria dhe për të zhvilluar forma të rënda të sëmundjes, krahasuar me grupe të tjera. Këto përfshijnë foshnjat, fëmijët nën moshën 5 vjeç, gratë shtatzëna, personat që jetojnë me HIV/AIDS, emigrantët jo imunë, popullatat e lëvizshme dhe udhëtarët. 
Autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik, referuar edhe rekomandimeve të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetit bëjnë me dije se programet kombëtare të kontrollit të malaries duhet të marrin masa të veçanta për të mbrojtur këto grupe të popullsisë nga infeksioni i malaries, duke marrë parasysh rrethanat e tyre specifike.
Në vitin 2016 gati gjysma e popullsisë së botës ishte në rrezik prej malaries. Shumica e rasteve dhe vdekjeve të malaries ndodhin në Afrikën Sub-Sahariane. Po sipas të dhënave të strukturave ndërkombëtare të shëndetit përgjatë vitit 2016, rreth 91 vende dhe zona kishin transmetim të vazhdueshëm të malaries.
Si transmetohet malaria?
Në shumicën e rasteve, malarja transmetohet përmes mushkonjave “Anopheles” femra. Ka më shumë se 400 lloje të ndryshme të mushkonjave të këtij lloji, ku rreth 30 janë vektorë të rëndësishëm të malaries. Të gjithë llojet e vektorëve të rëndësishëm pickojnë në periudhën kohore midis muzgut dhe agimit. Intensiteti i transmetimit varet nga faktorët që lidhen me parazitin, vektorin, bujtësin/organizmin pritës dhe mjedisin.
Mushkonjat “Anopheles” lëshojnë vezët e tyre në ujë, nga të cilat çelin larva, që më pas shndërrohen në mushkonja të rritura. Mushkonjat femra kërkojnë gjak për të zhvilluar vezët e tyre. Çdo specie e mushkonjave Anopheles ka habitatin e vet të preferuar ujor, për shembull, disa preferojnë pellgje të vogla dhe të cekëta me ujë, të cilat janë të shumta gjatë sezonit me shi sidomos në vendet tropikale.
Transmetimi është më intensiv në vendet ku jetëgjatësia e mushkonjave është më e madhe (në këtë mënyrë paraziti ka kohë për të përfunduar ciklin e zhvillimit të tij brenda mushkonjave). Transmetimi gjithashtu varet nga kushtet klimatike që mund të ndikojnë në dendësinë/numrin dhe jetëgjatësinë e mushkonjave, siç janë reshjet, temperatura dhe lagështia.
Në shumë vende transmetimi është sezonal, me kulmin ë tij gjatë sezonit me shi dhe pak pas tij. Epidemitë malarike mund të ndodhin kur klima dhe kushtet e tjera favorizojnë transmetimin në zonat ku njerëzit kanë pak ose aspak imunitet ndaj malaries. Ato mund të ndodhin edhe kur njerëzit me imunitet të ulët lëvizin në zona me transmetim intensiv të malaries, për shembull kur lëvizin për të gjetur punë ose si refugjatë.
Si ndikon imuniteti i njeriut?
Imuniteti i njeriut është një tjetër faktor i rëndësishëm, sidomos tek të rriturit në zonat me kushte të
moderuara ose intensive të transmetimit. Imuniteti i pjesshëm zhvillohet gjatë viteve të ekspozimit dhe ndonëse nuk ofron mbrojtje të plotë, ai zvogëlon rrezikun që infeksioni i malaries të shkaktojë sëmundje të rënda.
Për këtë arsye, shumica e vdekjeve nga malaria në Afrikë ndodhin te fëmijët e vegjël (të cilët nuk kanë zhvilluar akoma imunitet), ndërsa në zonat me më pak transmetim dhe imunitet të ulët, të gjitha grup-moshat janë në rrezik.
Si mund të parandalohet malaria?
Kontrolli i vektorit është mënyra kryesore për të parandaluar dhe zvogëluar transmetimin e malaries. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon mbrojtjen për të gjithë njerëzit në rrezik prej malaries dhe kontroll efektiv të vektorëve të malaries. Dy forma të kontrollit të vektorit, rrjetat e mushkonjave të trajtuara me insekticide dhe spërkatjet e mjediseve të brendshme, janë efektive në një sërë rrethanash.
Vaksina kundër malaries…
Ekziston një vaksinë e injektueshme, e cila është vaksina e vetme deri më sot që siguron mbrojtje të pjesshme kundër malaries në fëmijët e vegjël.
Këtë vit, vaksina e parë e malaries në botë do të aplikohet në disa zona të përzgjedhura në projekte pilot. Këto projekte pilot mund të hapin rrugën për shtrirjen më të gjerë të vaksinës nëse siguria dhe efektiviteti konsiderohen të pranueshme.
Vaksina është vlerësuar si një mjet plotësues për kontrollin e malaries dhe nuk zëvendëson paketën bazë të masave parandaluese, diagnostikuese e trajtuese të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë./ DITA
p.k/dita
