Roma “mure mbrojtëse” pas incidenteve në Liverpul

Dita

Roma duket se do të blindohet për ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ku do luajë me Liverpulin.

Pritet që në kryeqytetin italian në ditët e ardhshme të mbërrijnë 5 000 tifozë anglezë, 800 nga të cilët janë huliganë, dhe për këtë arsye mësohet se do të jenë të angazhuar 2000 agjentë policie për sigurinë, jo vetëm të ndeshjes, por edhe të një koncerti që do të mbahet Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Në planin që pritet të përpilohet nga Kuestura e Romës, parashikohet një vëzhgim i rreptë jo vetëm i zonës rreth “Olimpico”-s, por edhe i qendrës historike të Romës, ku pritet të grumbullohen tifozët si para ndeshjes, ashtu edhe pas saj.

Në të njëjtën kohë, do të ushtrohen kontrolle të imtësishme si në aeroporte, ashtu dhe në stacionet hekurudhore të qytetit.

Kujtojmë se ditën e martë pati përplasje mes tifozëve të Liverpulit e Romës, ku mbeti i plagosur një shtetas irlandez 53-vjeçar, tifoz i Liverpulit, i cili tashmë ndodhet në koma, nga dëmtimet e rënda të marra në kokë.

Ndërkaq, UEFA bëri me dije se do të merren masa të forta ndëshkuese ndaj klubit të Romës, sikurse mund të jetë marrja e një gjobe të majme ose e dënimit me ndalim të tifozëve të saj në ndeshjet në transfertë.

s.a/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *