Qeveria në largim ka vendosur që të heqë kompensimin për banesa dhe ushqim për ushtarakët. Kjo ka sjellë reagimin e deputetit socialist, Piro Lutaj, që thotë se Berisha dhe gjeneralët e tij politikë i kanë urryer gjithmonë ushtarakët.
“Pas reagimeve të para disa ditëve për mosdhënie të kompensimeve për banesa dhe ushqim për një periudhë mbi 6 muaj për efektivat e FA, dje qeveria në ikje paska vendosur të ndryshojë një vendim të vitit 2004 dhe të heqë përfundimisht këtë kompensim për ushtarakët.
Lidhur me këtë dua të them se lidershipi që drejton sot Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm është më i keqi që ka drejtuar ndonjëherë!
Më i keqi, jo vetëm për nga aftësia dhe përkushtimi, por më i keqi për nga ligësia dhe cinizmi me të cilat kanë trajtuar ushtarakët e FA.
Ky lidership i ka lënë ushtarakët:
Pa DINJITET, duke emëruar në funksion të gjeneralit punonjës civilë pa asnjë kontribut në FA!
Pa PERSONALITET, duke graduar, emëruar, transferuar e liruar nga detyra ushtarakët, në kundërshtim të hapur me ligjin, madje edhe me Kushtetutën dhe askush nuk reagon!
Pa PRONA, duke i dorovitur gjithë atë pasuri kombëtare nëpër krushqitë dhe klientët e qeverisë!
Pa TRAJTIM, pa pajisje, pa uniforma të denja për një ushtri të një vendi anëtar të NATO-s dhe gjithkush hesht!
Është alarmante situata në Ministrinë e Mbrojtjes teksa shikon nëpër korridore punonjës civilë që sillen si gjeneralë dhe gjeneralë të graduar vetëm për shkak të besnikërive politike e personale ndaj MM dhe SHPP, të sillen si ushtarë!
Vendimi i djeshëm i qeverise në ikje, për ndërprerjen e kompensimit për banesa dhe ushqim të ushtarakëve, është pjesë e keqtrajtimit dhe e urrejtjes që kanë pasur e kanë, në radhë të parë vetë Sali Berisha, por edhe gjeneralët e tij politikë, për ushtrinë dhe ushtarakët!” shkruan Lutaj në rrjetin social, FB./ TEMA

Sepse gjithmon u keni hanger ushqimet ushtarve.Thuej Lutaj se nuk eshte e vertet.