Kur kanë kaluar më shumë se 8 vite nga zhdukja pa gjurmë e Eduart Belegut, ish-këshilltar i dy ish-ministrave të Ekonomisë, Dritan Prifti dhe Genc Ruli, bashkëshortja e tij, Ilirjana Belegu, nënë e tre fëmijëve, ka kërkuar shpalljen e tij të vdekur.
“Shtetasja Ilirjana Belegu, e datëlindjes 2.7.1969, kërkon pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor. Tiranë, shpalljen të vdekur të shtetasit Eduart Belegu, i datëlindjes 21.2.1963.” thuhet në njoftimin botuar në Fletoren Zyrtare.
Belegu, i arrestuar me bujë dhe i zhdukur në rrethana të paqarta, rezulton person i zhdukur me vendim gjykate, që prej vitit 2014.
Familjarët nuk kanë asnjë informacion nga ai që prej muajit mars të vitit 2010.
Belegu, ish-administrator i kompanisë së minierave “Darfo” dhe ish-këshilltar i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti u zhduk në mars të vitit 2010, një muaj pas lirimit të tij nga qelia ku u mbajt për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Të dhënat kryesore për zhdukjen e tij janë një dëshmi dhe disa mesazhe telefonike.
Një dëshmitar okular e ka parë atë për herë të fundit në zonën pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, pranë ish-fushës së aviacionit në Tiranë, ku Belegu kishte shkuar me automjetin e tij tip “Range Rover” dhe më pas nuk është parë më nga askush.
Mesazhet e fundit të dërguara prej tij janë: “Po më shqetësojnë prapë për ato problemet e vjetra”, “…mendoj të largohem disa ditë…” në adresë të vëllait të Belegut, Gëzim Belegu. Ky i fundit pasi është njohur me tekstin, është munduar të lidhet me të vëllanë, por telefoni i Belegut, rezultoi i mbyllur.
Ish-ministri Dritan Prifti i cili ndërroi jetë në tetor 2017, por jo vetëm ai kanë akuzuar publikisht se Belegu u zhduk pasi do denonconte kontrabandën e naftës Virgine.
“Agron Kuliçi është një person për të cilin unë dyshoj për shumë mëkate disa prej të cilave ia kam thënë Berishës me kohë. Kurse keshilltari im Eduard Belegu është arrestuar me bujë pa shkak të perligjur dhe për të më kërcënuar mua si ministër. Tani Belegu është zhdukur dhe Agron Kuliçi duhet të thotë ku është Belegu”, ka deklaruar Dritan Prifti në atë kohë.
Edhe PS i ka bërë thirrje prokurorisë të hetonte zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, për rrëmbimin e këshilltarit Eduard Belegu, një akuzë e ngritur nga ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti.
Duke iu referuar thirrjes së ish kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit kuvendor të PD-së që kjo çështje të hetohej, deputeti socialist, Besnik Baraj deklaroi se kërkesa e kreut të qeverisë ishte tërësisht qesharake, pasi sipas tij “Kuliçaj duhet të hetojë Kuliçaj”.
n.s. / dita
