Max Allegri kërkon që të rikthejw qetësinë e humbur te Juve, pas eliminimit nga Champions League dhe për shumë pas humbjes me Napolin, që ka rihapur luftën për titullin kampion të Serie A.
“Sot po dëfrehem më shumë me futbollin, pasi gjërat e thjeshta më mërzisin, tipi të fitojmë titullin një muaj përpara përfundimit të kampionatit. Tani duhet kurajë dhe këto momente duhen jetuar me entuziazëm dhe dëshirë”, tha trajneri i Juves.
“Janë disa momente të vështira kur gjërat nuk shkojnë dhe aq mirë, por kjo nuk do të thotë që një skuadër me fenomenë të kthehet në një skuadër mediokre krejt papritur. Duhet më shumë ekuilibër. Të shtunën duhet të luajmë një ndeshje të madhe, por kampionati nuk vendoset këtë fundjavë. Duhet një ndeshje e fortë, në të kundërt nuk ‘dalim gjallë’ nga San Siro”, tha Allegri.
“Kundër Krotones ishte një ndeshje e shëmtuar, na bënë një gjuajte dhe morëm një gol. Kundër Napolit në një situatë goditje të ndaluar, mund të ndodhë që të pësosh dhe ne morëm gol në minutën e ‘90. Nuk është momenti që të qajmë ato që kanë kaluar, por duhet të kërkojmë të marrim një rezultat të mirë të shtunën”, tha në konferencën për shtyp trajneri juventin.
Më pas Allegri foli edhe për formacionin e mundshëm. “Dybala është një futbollist i madh që këtë muaj duhet të japë një kontribut për skuadrën, pasi të gjithë presin diçka më shumë, por do të jetë shumë i rëndësishëm për ne dhe për objektivin që ai ka, Botërorin. Përveç Sturaro-s, De Sciglio-s dhe Chiellini-t të gjithë janë të gatshëm për këtë ndeshje. Nuk do të luajmë me tre në mbrojtje. Mandzukic mund të luajë, ashtu sikundër edhe Barzagli mund ta nisë nga minuta e parë”, përfundoi Allegri.
a.s/dita
