Skandali me imigrantët, dorëhiqet ministrja e Brendshme britanike

Dita

Ministrja e Brendshme e Britanisë, Amber Rudd ka dhënë dorëheqje nga pozita, pasi Qeveria e kryeministres Theresa May është kritikuar ashpër për trajtimin e disa banorëve me prejardhje nga Karaibet, të cilët ishin shënjestruar gabimisht si imigrantë të paligjshëm.

Në letrën e dorëheqjes, Rudd ka thënë se ajo ka mashtruar pa qëllim një komitet parlamentar javën e kaluar, duke mohuar caktimin e objektivave për dëbimin e imigrantëve ilegalë nga Qeveria.

Kryeministrja britanike, Theresa May, e ka pranuar ndërkohë dorëheqjen e saj, pavarësisht se mund të përbëjë shqetësim për të, sidomos në këtë periudhë kur shënohet edhe viti i fundit i negociatave për Brexit.

Për dy javë, ministrat britanikë janë përpjekur për të kuptuar pse disa pasardhësve të të ashtuquajturit “Brezi Windrush”, u janë mohuar të drejtat bazike.

Ky skandal ka lënë në hije Samitin e Komonuelthit të mbajtur në Londër dhe ka ngritur shumë pikëpyetje lidhur me qeverisjen e May si ministre e Brendshme, para se të fitonte mandatin e kryeministres.

“Skandali Windrush ka nisur me të drejtë vëmendje në një çështje të rëndësishme për shtetin tonë”, ka thënë Rudd në letrën e saj të dorëheqjes, që i ka dërguar kryeministres May.

Amber Rudd është personi i pestë që jep dorëheqjen nga kabineti qeveritar britanik, që nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit të shkuar, duke pasuar Sir Michael Fallon, Priti Patel, Damian Green and James Brokenshire.

s.a/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *