Më shkruan Faik Islami,
më thotë se do bëhet nami,
se nesër në gjithë gjykatat,
do të nisin demonstrata!.
Meqë shumë u’a matën gunën,
që të gjithë do ta lënë punën,
se Vettingu ka minuse,
ka mbi ta masa shtrënguse!.
S’bëjnë tërheqje me shkrim,
po do ikin me tubim,
nesër-shokë-do shikoni,
si demonstron korrupsioni!.
Shqipëri do bënesh qyqe,
që nga nesër s’ka më gjyqe,
ka fjalime-demonstratë,
kundër Njeriut të Gjatë!.
I punoi mëndja fjollë,
bëri sitën më të hollë,
aq të vockla sa janë shpuar,
asnjë në sitë s’ka kaluar!.
E kish thënë dhe shoku Mero,
toleranca do qe zero,
hetimi për pasurinë,
do qe tamam gijotinë!.
Kur tha-gjë nuk kini parë,
ca e morën për të marrë,
si mund ta kishim kuptuar,
se Vettingun kish menduar?!.
Vettingu në të vërtetë,
paskish qenë ilaçi vetë,
ilaçi me shumë lezet,
me pambuk të butë të vret!
Asnjeri nuk do dënohet,
thjeshtë haleja do pastrohet,
ndaj mejtoj-në këtë pikë,
duhej ndenjur dhe njëçikë!.
Sot s’ka rëndësi dënimi,
po pastrimi dhe dëbimi,
po më pas-jemi plot shpresa,
Ligjit do t’i bëhen shtesa!.
Ta themi fjalën si burrë,
pa Xhafën kjo s’bëhej kurrë,
nuk na i preu fiqiri,
se do delte aq i miri!.
Fatmirin-Shtëpi e Bardhë,
e ka shpallur mik të parë,
dhe kur të do Amerika,
pas për mirë të ndjek muzika!.
Kusarët as e mendonin,
se në grackë do përfundonin,
këta të dashkan pa brekë,
s’tolerojnë as dhjetëmijë lekë!.
S’u erdhi kaq papandehur,
se të shumtat i kanë fshehur,
sipas mendësive tona,
s’të thonë gjë për ca miliona!.
Po të thonë-more të thonë,
të bëjnë të kërcesh si zonjë,
ta nxijnë faqen si nata,
të ngrejnë në demonstrata!.
Më shkroi Faik Islami,
po nuk pres të bëhet nami,
se të zestë gjyqtarë,
rrugët e mutit kanë marrë!
Arben Duka
