Afati i negociatave për tarifat e aluminit dhe hekurit me Kanadanë, BE-në dhe Meksikën është zgjatur sërish nga administrata Trump, edhe me 30 ditë të tjera.
Presidenti amerikan Donald Trump vendosi në mars tarifa prej 25% për importet e hekurit dhe 10 % për ato të aluminit. Disa vende u përjashtuan përkohësisht nga këto tarifa, përfshirë këtu Kanadanë, BE-në dhe Meksikën.
Kina, e cila nuk u përfshi në mesin e të përjashtuarve, u hakmor duke vendosur taksa në disa importe amerikane. Dhe kështu, reagimi vijoi zinxhir. Trump u përgjigj me kërcënimin e të tjerave tarifa amerikane përkundrejt Kinës, duke ndezur kështu tensionet tregtare midis dy palëve.
“Koreja e Veriut është përjashtuar pa afat në këmbim të një reduktimi prej 30% në eksportet e saj të hekurit në SHBA. Në të gjitha këto negociata, administrata është e fokusuar në kuotat që do të kufizojnë importet, parandalojnë transportet nga larg dhe të mbrojnë sigurinë kombëtare”, thuhej në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se detajet e marrëveshjeve me Argjentinën, Brazilin dhe Australinë do të finalizohen së shpejti.
Kanadaja dhe Meksika më herët ishin përjashtuar deri më 1 maj, teksa bisedimet mbi naftën dhe marrëveshjen për tregtinë e lirë vijonin në Amerikën e veriut. Në të njëjtën mënyrë ishin përjashtuar edhe Argjentina, Australia, Brazili dhe BE.
Por, si duket, pas një ofensive një javore nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, administrata Trump ka vendosur të tolerojë sërish.
Kjo shtyrje e afatit të negociatave i jep më shumë kohë administratës të bindë partnerët tregtarë që të konsiderojnë kuotat në vend të tarifave.
s.a/dita
