“Këtë sezon veror, jo larg Tiranës; Rita Ora dhe Ermal Meta ndezin Sheshin Skënderbej”

Dita

Në koncertin festiv të mbajtur dje në sheshin “Skënderbej”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dha lajmin e mirë se në kryeqytet do të vijnë disa artistë me famë botërore, të cilët do të performojnë për publikun shqiptar.

“Kjo do të jetë një verë fantastike për Tiranën. Ndaj, është mirë që plazhin ta bëjmë në det, por ama mbrëmjet në Tiranë sepse do të kemi aktivitete pafund. Në datën 9 maj do të festojmë në shesh Ditën e Europës me një super koncert. Në 12 maj do të jetë Festivali i Ngjyrave te sheshi ‘Nënë Tereza”, ndërkohë që në datën 1 qershor do të vijë Ermal Meta”, tha Veliaj, teksa zbuloi se në datën 3 qershor do të jetë në Tiranë një tjetër emër i rëndësishëm.

“Në datën 3 qershor do të jetë këtu Rita Ora. Por, meqë jeni kaq entuziast nuk po ju them surprizat e tjera të qershorit dhe korrikut, por e di që keni votuar pafund dhe do të bëjmë çmos që të gjithë artistët që janë në tur në Europë të kenë patjetër një stacion në Tiranë”, siguroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se sikurse në këto tre vite Tirana ka njohur transformim përmes punëve të realizuara, do të vijojnë edhe aktivitetet festive për gjallërimin e jetës artistike të kryeqytetit.

Ndërkohë, nën moton “Bashkë me të rinjtë për Shqipërinë që punon”, Bashkia e Tiranës organizoi dje  pasdite një koncert në sheshin “Skënderbej”. Artistët më të mirë vendas performuan për qytetarët e shumtë që kishin mbushur  sheshin.

Disa nga artistët që performuan dje ishin: Ledri Vula, Arilena Ara, Yll Limani, Alban K. Ramosaj, Filloreta Raci, Argjentina Ramosaj dhe DJ ALDO.

s.a/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *