Urrejtja dhe dashuria…

DITA Online

 

Një ndjenjë e re-që zemrën peshë ma mban,

sërish nga gjumi nesër do më zgjojë,

do të harroj çdo gjë që ne na ndan,

e atëherë çdo gjë do na bashkojë.

 

Kufijtë e ndarjes e të dashurisë,

si fije peri-krejt të holla janë,

ndaj dhe dilema rron mes njerëzisë,

kur të dy ndjenjat rriten pranë e pranë.

 

Dhe njëra-tjetrën natë e ditë ushqejnë,

në një mënyrë krejt të rastësishme,

sot njeri-tjetrin për vdekje urrejnë,

nesër shkrihen në puthje të magjishme.

 

Mes njëra-tjetrës kufi të saktë s’ka,

se zemra s’mund të ndahet me kufi,

kur ndez e shuan zjarre të mëdha,

kur rrit urrejtje edhe dashuri.

 

Nuk shkroi më kot poeti i lavdishëm:

“Urrejtja është zjarr’ i dashurisë,

tërmetet s’janë nga ‘to më të fuqishme,

të dyja tok-motor i njerëzisë”.

 

Kaq kam mësuar unë nga kjo jetë,

jo thjesht për faktin se më la rinia,

po Bota krejt lëviz-në të vërtetë,

o nga urrejtja-o nga dashuria.

 

Dhe-për të tjerët-ndosht mund të vlejë,

ajo që mbi të bardhë u shkrua me bojë:

“Një zemër që s’ka forcën të urrejë,

nuk ka fuqi as të dashurojë!

 

 

Pa titull…

Zot-o Zot -sa jam i lodhur,

shumë kam mbjellë e pak kam korrur,

mbolla shumé e në çdo stinë,

dhe jo vetëm një lëndinë

 

Shumë lëndina mbolla herët,

erdhën i korrën të tjerët,

eh-ç’më gjeti-Zot-o Zot,

mbolla shumë e s’korra dot!

 

Mbolla-po mbeta i varfër,

se s’m’u ndodh për dreq një drapër,

më dëgjo-po mos e fol,

s’kam të blej një arkivol!

 

Ndaj do rroj sa një gogol,

s’kam ku shkoj pa arkivol,

se unë s’jam e s’jam një horr,

arën e tjetrit të korr!

A. DUKA

Share This Article