Short i kalueshëm, ëndrra vazhdon

anazapta

Shorti nuk është treguar i pamëshirshëm me dy skuadrat shqiptare në Europa League, teksa ka vendosur Çernomorets të Ukrainës përballë Skënderbeut dhe Trabzonsporin e Turqisë përballë Kukësit. Dy kundërshtarët janë favoritë përballë skuadrave tona, por nuk bëhet fjalë kurrsesi për skuadra të pakalueshme, ndaj Skënderbeu dhe Kukësi i kanë shanset e tyre për një kualifikim historik në fazën e grupeve në Europa League. Shorti fillestar i hedhur në Nion të Zvicrës dje i vendosi të dyja skuadrat shqiptare në transfertë për takimet e para, çka do të thoshte se të dyja do ta luanin takimin e kthimit në Shqipëri. Meqenëse secila prej tyre do të luajë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, atëherë është ndryshuar programi i ndeshjeve të Kukësit, i cili do ta luajë ndeshjen e parë brenda dhe më pas udhëton drejt Trabzonit për takimin e kthimit. Nuk është ndryshuar programi i takimeve të Skënderbeut, i cili luan në Tiranën ndeshjen e dytë, për shkak të renditjes më të mirë se Kukësi në kampionatin shqiptar sezonin e kaluar. Takimet e para do të zhvillohen më 22 gusht dhe ato të kthimit më 29 gusht. Ky është raundi i fundit me eliminim dhe skuadrat që kualifikohen shkojnë në fazën e grupeve në Europa League.

 

Deti i Zi

Si Skënderbeu, ashtu edhe Kukësi, do të luajnë në qytete në brigjet e kundërta të Detit të Zi, i cili ndan Ukrainën me Turqinë. Odesa, qyteti ku do të luajë Skënderbeu, shtrihet në bregun veriperëndimor të Detit të Zi, pranë kufirit me Moldavinë. Diagonalisht me të, në bregun juglindor, pranë kufirit me Gjeorgjinë, shtrihet Trabzoni, një qytet i rëndësishëm nga pozita gjeografike, vendi ku do të luajë   Kukësi.

Lidhjet shqiptare

Te Çernomorets Odesa aktualisht luajnë dy futbollistë shqiptarë, sulmuesi Elis Bakaj dhe mbrojtësi Kristi Vangjeli, ky i fundit i lindur në Korçë. Edhe te Trabzonspor ka pak të kaluar shqiptare. Aty ka luajtur sulmuesi kuqezi Alban Bushi, në kohën kur trajner ishte Hans Peter Brigel. Pas largimit nga klubi turk, gjermani mori drejtimin e kombëtares së Shqipërisë.

 

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *