Sekerinska: Çështja e emrit, e vetmja pengesë për Maqedoninë në NATO

Dita

Ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmila Sekerinska, tha se çështja e emrit është arsyeja e vetme që ka penguar pranimin e vendit të saj në Nato.

Pas takimeve që pati në Pentagon me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, Sekerinska u shpreh për Zërin e Amerikës se Shkupi i ka përmbushur të gjitha kriteret e anëtarësimit në Nato, dhe se aprovimi i Greqisë në takimin e ardhshëm të Aleancës, ka për të qenë shumë i rëndësishëm për pranimin e vendit në organizatë.

“Maqedonia i ka shtuar shpenzimet dhe kontributet tek misionet e udhëhequra nga NATO. Kështu, nëse kriteret e nevojshme për anëtarësimin në NATO përmbushen, e panjohura e vetme për takimin e korrikut është nëse ne kemi për të arritur konsensus me Greqinë për mosmarrëveshjen shumëvjeçare të emrit. Ne mendojmë se është shumë i rëndësishëm si për Maqedoninë, edhe për Greqinë, fakti që dyert e NATO-s të hapen për Maqedoninë.”

Sekerinska u pyet nëse mosmarrëveshja për emrin mund të zgjidhet para takimit të NATO-s në mesin e korrikut, ku Maqedonia mund të ftohet për t’u bërë vendi anëtar i 30-të i Aleancës, por ajo shprehu një optimizëm të rezervuar.

Ajo përmendi zgjidhjen brenda një kohe relativisht të shkurtër të trazirave të brendshme politike, kur elementë nacionalistë maqedonas, të pakënaqur me përfshirjen e shqiptarëve, bllokuan formimin e qeverisë së re, duke e thelluar kështu më tej krizën më të rëndë që ka patur Maqedonia që pas shmangies së një lufte civile ndëretnike në vitin 2001.

“Maqedonia e ka marrë veten shumë shpejt nga krizat politike dhe e ka përmirësuar reputacionin e vet si një vend demokratik, me vlera që kërkohen nga një vend i NATO-s”, tha ajo.

Anëtarësimi në NATO jo vetëm që do të shtonte stabilitetin në Ballkan, por njëkohësisht “do të shtonte gatishmërinë dhe forcën e NATO-s në rajon dhe në botë”, shtoi Sekerinska, duke iu referuar përpjekjeve të Perëndimit për t’iu kundërvënë ndikimit rus dhe ndërhyrjeve politike të Rusisë në rajon.

Takimi i NATO-s është në plan të mbahet në Bruksel, më datë 11 korrik.

s.a/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *