“Këngë Jeho” nis sot në Strugë

anazapta

Në Strugë sot fillon festivali “Këngë Jeho 2013”. Gjatë tre mbrëmjeve të festivalit, do të marrin pjesë njëzet ansamble dhe shoqata kulturo-artistike nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Italia, dhe Mali i Zi. Vlen të theksohet se edhe këtë vit, nuk do të mungojë pjesëmarrja e artistëve shqiptarë nga “Unioni Artistik i Kombit Shqiptar” që drejtohet nga Azgan Haklaj. Në natën e parë të festivalit, siparin do ta ngrejë SHKA (Shtëpi Kulturore Artistike) “Jehona” nga Koroshishti-Strugë dhe më pas do të ngjiten: SHKA “Karshiaka”-Shkup, Ansambli “Kaltërsia”-Tiranë dhe “Zëri i Kosovës” nga Kosova, të cilëve do t’u bashkëngjiten edhe solistët e mirënjohur nga Struga, Venera Lumani e Agim Poshka. Natën e dytë të festivalit në skenë do të ngjiten SHKA-të: “Rrezet e Strugës”-Strugë, “Xheladin Zeqiri”-Tetovë, “Bajram Curri”-Prishtinë, “Sadi Halili”-Librazhd dhe “Drita”-Derven. Mysafirë të kësaj nate do të jenë: Liri Rasha, Ingrid Jushi dhe Big Mama (Besjana Kasami). Në natën e tretë përmbyllëse, para se juria e festivalit të shpallë vlerësimet, në skenë do të ngjiten SHKA-të: “Valët e Liqenit”-Ladorishtë, “Jehona” nga Tërnoci, “Shpresa”-nga Veleshta dhe në përmbyllje të këtij edicioni do të paraqiten anëtarët e grupit “Bashkimi Kombëtar” nga SHBA-të. Mysafirë të kësaj nate përmbyllëse do të jenë edhe Besiana Mehmeti  dhe Shkodran Idrizi.

Skenari dhe regjia e festivalit këtë vit i është besuar Jeta Hani-Allës, e cila në bashkëpunim me regjisorin e mirënjohur Llesh Nikolla e kanë përgatitur tashmë realizimin e festivalit, ndërsa skenografia vazhdon të mbetet në duart e arta të Sezai Qyrës.

Vlerësimi i paraqitjeve skenike dhe vlerave të përgjithshme i është besuar jurisë profesionale, në përbërje të personaliteteve të  kulturës muzikore, koreografisë, kostumografisë, muzikologjisë dhe etnokulturës, përfshirë mes tjerësh Ermir Dizdarin, Përparim Tomçinin, Dilaver Kryeziu, Sami Pirraj etj, për t’i dhënë vulën e karakterit të  festivalit mbarëkombëtar, edhe pse festivali nuk ka karakter të mirëfilltë garues. / INA

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *